Dënimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, reagimet e avokatëve dhe mundësia për Apel
Gjykata Speciale dënoi të mërkurën katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me gjithsej 81 vjet burgim.
Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqi me 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.
Trupi gjykues theksoi se secili nga katër të akuzuarit mban përgjegjësi penale individuale për krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.
E pas dënimit të katërshes së UÇK-së, pati reagime të shumta.
Fillimisht me vendimin nuk u pajtuan avokatët e ish krerëve të UÇK-së, të cilët paralajmëruan se vendimin do ta apelojnë.
Avokati i Hashim Thaçit, Pier Rishar Prosper ka reaguar para mediave pas vendimit të sotëm, duke shprehur shqetësimin e tij për mënyrën se si është zhvilluar procesi dhe për dëshmitë e marra në konsideratë.
Prosper ka deklaruar se, sipas tij vendimi ka qenë i parapërgatitur dhe se gjatë procesit është paraqitur një version i historisë ku përgjegjësia kryesore është vendosur mbi Hashim Thaçin.
Ai e ka cilësuar vendimin si një “shkelje të drejtësisë”, duke deklaruar se beteja ligjore nuk përfundon me aktgjykimin e shkallës së parë.
“Lufta për drejtësi do të vazhdojë”, ka thënë Prosper.
Edhe, avokati i Kadri Veselit, Rodni Dikson ka deklaruar se mbrojtja do të reagojë pas vendimit të fundit, duke shqyrtuar procedurat që mund të ndërmerren më tej.
Ai ka shprehur pakënaqësi me mënyrën se si është trajtuar çështja, duke vlerësuar se gjatë procesit ka pasur mungesë të dëshmive të mjaftueshme.
“Ka pasur mungesë të dëshmive dhe ne do të reagojmë për të parë se cilat janë procedurat që duhet ndjekur. Për fat të keq, kjo nuk është një ditë e mirë për Kosovën, për ligjin në përgjithësi”, ka deklaruar avokati.
Po ashtu, pas vendimit ka folur edhe avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra.
Ajo ka bërë të ditur se mbrojtja do ta apelojë aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë, duke e cilësuar atë si zhgënjyes.
Alagendra ka thënë se synimi i mbrojtjes mbetet lirimi i Krasniqit teksa shtoi se procesi ende nuk ka përfunduar.
Edhe mbrojtja e Rexhep Selimit, e udhëhequr nga avokati Geoffrey Roberts, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, me të cilin Selimi u dënua me 13 vjet burgim.
Në një deklaratë të shkurtër për media, Roberts tha se mbrojtja është e zhgënjyer me vendimin, por theksoi se bëhet fjalë për aktgjykim të shkallës së parë.
“Jemi shumë të zhgënjyer me aktgjykimin, por është shumë e rëndësishme të theksohet se kjo është vetëm faza e parë, beteja e parë, si të thuash. Z. Salimi synon plotësisht t’i ushtrojë të drejtat e tij për ta apeluar këtë aktgjykim përmes kuadrit ligjor të Kosovës dhe ne jemi të bindur se në fund, përfundimisht, ai do të shpallet i pafajshëm për të gjitha këto akuza”, ka thënë ai.
Cilat janë procedurat që palët ndjekin për apelim?
Sipas Rregullores, palët që apelojnë vendimin e gjykatës ose dënimit duhet të dorëzojnë njoftimin për apel, ku parashtrohen arsyet e apelimit.
Kjo bëhet 30 ditë nga shpallja e aktgjykimit.
Paneli i Apelit – një panel i veçantë prej 3 gjyqtarësh shqyrton ankesat.
Paneli i Apelit mund të lërë në fuqi vendimin; ndryshojë pjesë të aktgjykimit; ndryshojë dënimin; ose, në rrethana të caktuara, ta kthejë çështjen për shqyrtim të mëtejshëm.
Kjo i bie që dënimi i së mërkurës me 81 vjet burgim ndaj katërshes së UÇK-së nuk është përfundimtar, pasi mund të apelohet.
Sa mund të zgjasë?
Ndonëse nuk dihet saktë, mund të shohim sa ka zgjatur në rastin e Pjetër Shalës.
Në rastin Shala, njoftimi i apelit ishte paraqitur në shtator 2024, seanca e Apelit ishte mbajtur në maj 2025, ndërkaq aktgjykimi i Apelit u shpall në korrik 2025.
Pas Apelit çka?
Gjykata Supreme – në rrethana të caktuara ekziston edhe mundësia e një ankese të shkallës së tretë para Panelit të Gjykatës Supreme. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.