Deputetja Hafizi përkrah Blushit
Deputetja e Shkodrës, Mimoza Hafizi thotë se mbështet deputetin Ben Blushi për të zbatuar statutin e Partisë Socialiste. Në një reagim në rrjet, ajo thotë se duhet mbështetur mendimi kritik në parti.
Reagimi:
I bashkohem kolegut tim Ben BLUSHI në kërkesën për respektimin dhe zbatimin e statutit të Partisë Socialiste e normave themelore të qenies bashkë në këtë grupim të madh politik. I kam ofruar mbështetje në rrugëtimin dhe platformën për Kongresin e ardhshëm të Partisë.
Do mundohem të përcjell në këtë dokument dhe në aspiratat tona për të ardhmen e partisë ku bëjmë pjesë, të gjithë përvojën e punës sime shumëvjeçare me strukturat socialiste të Tiranës e Shkodrës, zërin kritik të socialistëve shkodranë, analizat e përgjegjshmërisë qeverisëse deri në nivel bazë dhe reflektimet për një frymë të re bashkëpunimi e respekti.
Mirëpres çdo sugjerim, besoj që kauza e një partie të madhe nuk i përket vetëm anëtarëve të saj, por çdo qytetari.