Derbi Partizani-Tirana fut kryeqytetin në kaos, përplasje me flakadanë mes tifozëve! Policia blindon rrugët, ja akset që b
Derbi i Kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës është ndezur pak orë përpara fillimit të saj teksa janë regjistruar episode dhune.
Tifozë të të dyja skuadrave janë përplasur mes tyre në rrugët pranë ‘Arenës Kombëtare’ duke krijuar tensione në prag të kësaj ndeshjeje shumë të rëndësishme. Madje disa prej tyre ishin të pajisur me flakadanë që i hodhën në drejtim të njëri-tjetrit.
Për fat të mirë, në atë moment ndërhyri menjëherë policia që ndodhej në vendin e ngjarjes dhe situata u normalizua shpejt.
Derbi i Kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës do të luhet në orën 18:30 të kësaj të diele ku për të dyja skuadrat fitorja është një detyrim.
Aktualisht bardheblutë janë në kuotën e 5 pikëve në klasifikim në vendin e 6 ndërsa Partizani është në tetin me 4 pikë.
Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë: sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Lekë Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, si dhe zonat përreth stadiumit.
Rrugëkalimet e tifozëve do të jenë si më poshtë:
– Lëvizja e tifozëve të “Partizanit” do të bëhet si vijon: nisja nga zona e Inxhinierisë, në rrugën “21 Dhjetori”, më pas te “Libri Universitar”, duke vijuar anash Presidencës, në rrugën “Gjergj Filipi”, te “Coin”, për t’iu drejtuar tribunës N.
– Lëvizja e tifozëve të “KF Tiranës” do të bëhet si vijon: nisja nga sheshi “Skënderbej”, te ish-Hotel “Dajti”, Ura e Dajtit, kthim te ETC-ja, në rrugën e Elbasanit, rruga “Dervish Hima”, më pas drejt rrugës “Sheh Ahmet Pazari”, “Ambasador 3”, për t’iu drejtuar hyrjeve V–S.
Policia do të garantojë dhe sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë itinerareve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullime apo kalime jashtë itinerarit të përcaktuar.
Në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle rigoroze ndaj tifozëve para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme, si sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë apo lëndë piroteknike etj. Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
Nuk do të lejohet hyrja në stadium e shtetasve pa dokument identifikimi. Gjithashtu, fëmijët nën moshën 16 vjeç, edhe nëse janë të pajisur me biletë, nuk do të lejohen të hyjnë pa praninë e prindit ose kujdestarit ligjor, i cili duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
Nuk do të lejohet hyrja në stadium e tifozëve të identifikuar më parë nga Policia si problematikë në aktivitete të ndryshme sportive.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive për zbatimin e masave të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të shmangur lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura, gjatë orareve të përcaktuara”, njofton Policia.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.