“Më qesharaku kundër vendimit ishte kryebashkiaku i Kavajës”- Balla nga Golemi: Pas vitesh pritjeje, Reforma Territoriale
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë, Taulant Balla, ishte në Golem, ku zhvilloi një takim me qytetarët, duke vënë në fokus statusin e ri të qytetit, potencialin turistik të zonës dhe nevojën për më shumë investime.
Balla u ndal edhe te kundërshtimi i këtij vendimi, duke ironizuar qëndrimin e kryetarit në ikje të Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja.
“Më qesharaku kundër këtij vendimi ishte kryetari në ikje i Bashkisë Kavajë”, u shpreh Balla, duke theksuar se Golemi e meriton statusin e qytetit për nga numri i popullsisë, zhvillimi urban dhe rëndësia turistike.
Me rreth 200 hotele, Golemi përfaqëson një nga zonat e rëndësishme të turizmit në vend. Sipas Ballës, njohja e këtij zhvillimi duhet të shoqërohet edhe me investime dhe shërbime më të mira për banorët dhe bizneset.
Gjatë takimit, Balla foli edhe për administrimin e të ardhurave dhe investimet e Bashkisë Kavajë, duke krahasuar buxhetin e saj me atë të Bashkisë Lushnjë.
“Një bashki si Kavaja ka të ardhura dy herë më shumë se Bashkia Lushnjë dhe shtron rrugë dhjetë herë më pak se Bashkia Lushnjë”, deklaroi Balla, duke vënë në dukje nevojën që të ardhurat e mbledhura të përkthehen në investime konkrete dhe shërbime për qytetarët.
Në përfundim, ai theksoi se sfida është që Bashkia Kavajë të rikthehet në funksion të qytetarëve dhe të përmbushë nevojat e komunitetit përmes investimeve dhe administrimit më të mirë të fondeve publike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.