Dështon misioni i McAllister, nuk ka zgjidhje. Mazhoranca: Por ka zgjedhje pa opozitën
Negociatat mes qeverisë dhe opozitës, me ndërmjetësimin e Parlamentit Europian, nuk ia dolën që të ulnin bashkë në një tryezë dialogu Edi Ramën dhe Lulzim Bashën.
5 orët e negociatave ishin intensive, por pa produkt të përbashkët. Takimi i parë i David McAllister nga e djathta dhe Knut Fleckenstein nga e majta e Parlamentit Europian, ishte me bashkëkryetarët e koalicionit qeveritar, Edi Rama dhe Ilir Meta. Ata janë njohur me një dokument që synonte përmirësimin e standardit të zgjedhjeve, por që nuk përfshinte si pikë kërkesën e opozitës për qeverinë teknike. Burime pranë qeverisë i thanë Top Channel se mazhoranca e ka vlerësuar dokumentin si një bazë të mirë për dialog me opozitën dhe se do të ishte e gatshme të diskutonte me të në një tryezë dialogu. Burime të tjera, që e kanë parë dokumentin, bënë të ditur për Top Channel se ai përmban disa çështje që janë menduar se i japin besueshmëri procesit zgjedhor. 3 prej tyre janë drejtimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga opozita, ndryshimi i disa drejtuesve të policisë, si dhe ndryshimet në Kodin Penal, për të ashpërsuar dënimin për shitblerjen e votës.
Por, për opozitën ky dokument nuk ishte një zgjidhje. Burime nga opozita thanë për Top Channel se ndërmjetësuesit europianë informuan se dokumenti është hartuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe prezenca e OSBE-së dhe kanë kërkuar të mësojnë pozicionin e opozitës, nëse ai përbën një bazë për dialog. Të njëjtat burime thanë se kryetari Lulzim Basha është shprehur se e vetmja bazë për dialog është qeveria teknike dhe mandati i saj. Pas marrjes zyrtarisht të kësaj kërkese të opozitës, negociatorët janë ulur me palët në të njëjtin vend, tek Pallati i Kongreseve, në të njëjtin orar, në orën 19:00 të mbrëmjes së të martës, por në formate të veçanta. Europiani i djathtë McAllister me opozitën dhe europiani i majtë Fleckenstein me qeverinë. Takimi i opozitës zgjati më pak se 30 minuta, sepse burimet thanë se fokusi ishte kërkesa e opozitës për qeverinë teknike. Lulzim Basha nuk dha detaje.
Burime të Top Channel thanë se në takimin e dytë me McAllister, opozita ka mbrojtur qëndrimin se negociatat nisin vetëm me formimin e qeverisë teknike, si pika e parë e diskutimeve të tryezës së dialogut. Pala e qeverisë doli më vonë nga takimi, ndoshta, pasi është përcjellë zyrtarisht kërkesa e opozitës. Që, mesa duket, nuk është pranuar, por kryeministri Edi Rama nuk dha një përgjigje të qartë: “Keni më shumë informacion nga Partia Demokratike”.
Ilir Meta ishte edhe më hermetik. Ai përsëriti disa herë vetëm një shprehje që nuk përcillte optimizëm: “Nuk kam koment”.
Burime pranë qeverisë thanë për Top Channel se ka patur një propozim nga negociatorët për shtyrjen e zgjedhjeve me 1 muaj, si dhe për disa ndërhyrje në qeveri me emërimin e disa ministrave teknikë. Mësohet se Ilir Meta e ka pranuar këtë, ndërsa Edi Rama, siç thonë burimet, as e ka pranuar, as e ka refuzuar, por ka theksuar se është gati të diskutojë një shtyrje të arsyeshme të zgjedhjeve brenda kufirit të lejuar nga Kodi Zgjedhor, me kushtin që gjithçka të fillojë nga vetting-u. Përsa i takon diskutimit mbi ndërhyrjet në qeveri, Rama mësohet të ketë thënë se çdo diskutim pa çështjen e vetting-ut është i kotë.
Vetë negociatorët nuk mbajtën një qëndrim në deklaratën e tyre zyrtare, të publikuar 2 orë pas mbylljes së takimeve. Në deklaratën e përbashkët, dy eurodeputetët prezantuan përpjekjet për dialog, që përfshinin propozimet e tyre për çështjet mbi dekriminalizimin, luftën kundër narkotikëve, masa teknike për përmirësimin e zhvillimit të zgjedhjeve dhe masa që rrisin besimin politik.
Në deklaratë thuhet se negociatorët propozuan idenë për diskutimin e datës së zgjedhjeve dhe një ndryshim të mundshëm parazgjedhor të strukturave qeveritare për të ndërtuar besim afatgjatë tek sistemi. Deklarata e negociatorëve thotë se nga ana e qeverisë u dha dakortësi për pikat, nëse vetting-u do të votohej në Parlament. Partia Demokratike, thotë deklarata, mbajti pozicionin e saj për emërimin e një kryeministri teknik dhe votimin elektronik si kushte për zgjedhje të lira e të ndershme.