Dështon mocioni i mosbesimit në Maqedoninë e Veriut, qeveria e Zaev do të vijojë punën. Opozita nuk arriti të sigurojë votat në parlament
Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të vijojë punën, pasi opozita nuk ka siguruar votat e nevojshme për mocionin e mosbesimit. Pak para mesnatës së të enjtes, kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi, ka mbyllur seancën duke thënë se në mungesë të deputetëve të opozitës që paraqitën nismën dhe mungesës së kuorimit të nevojshëm, parlamenti nuk ka votuar nismën e saj.
Opozita maqedonase dhe ajo shqiptare u larguan rreth orës 22:00 pasi nuk arritën të sigurojnë 61 vota për të votuar mocionin e mosbesimit të Qeverisë së kryeministrit, Zoran Zaev. Parlamenti maqedonas ka 120 deputetë dhe për tu mbajtur seanca nevojitet prania në sallë e 61 deputetëve, aq sa nevojiten edhe për mocionin e mosbesimit të qeverisë. VMRO DPMNE-ja dhe partitë shqiptare në opozitë kanë akuzuar pushtetin për siç kanë thënë “rrëmbimin e Kastriot Rexhepit, deputetit të Lëvizjes Besa”, gjë që i ka pamundësuar opozitës të ketë 61 vota të deputetëve për mbajtjen e seancës.
Kastriot Rexhepi shkroi në Facebook se nuk do të votojë pro rrëzimit të qeverisë duke qenë se ka informacione që vendit ka gjasa t’i hapen zyrtarisht negociatat me Bashimin Evropian në dhjetor. Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandër Nikollovski tha se Maqedonia e Veriut të enjten ka shënuar një nga ditët më të errëta të demokracisë, pasi pakica jo vetëm që shkeli vullnetin e shumicës por edhe rrëmbeu një deputet për të pamundësuar mocionin e mosbesimit.
Sipas Kushtetutës, votëbesimi ndaj Qeverisë duhet të përfundojë në të njëjtën ditë. Nëse opozita siguron 61 vota kundër kabinetit të kryeministrit (Zaevit), atëherë qeveria është e detyruar të japë dorëheqje brenda 24 orëve, pas çka fillon afati dhjetëditor për presidentin e shtetit (në këtë rast Stevo Pendarovski), që t’ua japë mandatin për formimin e qeverisë së re partive që do të konfirmojë se kanë të paktën 61 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Nga ana tjetër, nëse opozita nuk arrin të rrëzojë Qeverinë, atëherë në 90 ditët e ardhshme nuk do të mund të paraqesë mocion të ri mosbesimi ndaj Qeverisë, nëse së paku 61 deputetë nuk paraqesin iniciativë.