Dështon sërish seanca gjyqësore ndaj Mark Frrokut
Ka dështuar sërish seanca gjyqësore ndaj ish-deputetit Mark Frroku.
Kësaj radhe, nuk janë paraqitur avokatët në seancën ku pritej të verifikoheshin fashikujt e gjykimit.
Sipas prokurorisë janë 29, por gjykata deklaron se disponon 27.
Në datën 22 nëntor, në procesin gjyqësor ndaj ish-deputetit Mark Frroku, i akuzuar për vrasje, mosdeklarim të pasurisë dhe ndërtim të paligjshëm, pas pyetjes së dëshmitarëve, ku të fundit ishin oficerët e policisë belge, prokuroria vijoi me administrimin e provave shkresore. Por, nga verifikimet rezultoi se numri i fashikujve sipas prokurorisë nuk ishte i njëjtë me ato që dispononte gjykata.
Më konkretisht, përfaqësuesit e akuzës deklarojnë se fashikujt janë nga 1 në 29, ndërsa gjykatës i rezultojnë 27. Po ashtu, në fashikullin 18, sipas prokurorisë, ndodhen 536 fletë, ndërsa gjykata konfirmon se në fashikull ka 426 fletë.
Përballë këtyre mosrakordimeve, prokurorët Adriatik Cama dhe Anisa Qilimi kërkuan shtyrjen e seancës, në mënyrë që të verifikonin fashikujt dhe për të kuptuar nëse ato mungojnë.
Në këtë moment ka ndërhyrë edhe vetë i pandehuri Frroku, i cili hodhi akuzua për spekulime ndaj tij, ndërsa deklaroi se oficerët e policisë belge që dëshmuan kundër tij duhej të arrestoheshin për deklarim të rremë.