DETAJET/ U rrëmbye, u vra me tortura dhe u hodh në liqen, SPAK çon për gjykim dosjen e 4 të akuzuarve për eliminimin e Ren
Prokuroria e Posaçme ka dërguar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykimin e katër personave të pandehur për rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, ngjarje e ndodhur më 8 korrik 2025 në zonën e Matit.
Në përfundim të hetimeve, SPAK ka dërguar për gjykim procedimin penal nr. 181 të vitit 2025, në ngarkim të Fation Bushgjokajt, Petrit Hoxhës alias Çakri, Kristë Bushgjokajt dhe Aleksandër Bushgjokajt.
Sipas SPAK-ut, të katër të pandehurit akuzohen për veprat penale të “Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit”, në formën e bashkëpunimit të posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Hetimi lidhet me mbrëmjen e 8 korrikut 2025, kur Renis Dobra u rrëmbye në zonën e Matit.
Sipas organit të akuzës, katër të pandehurit kanë vepruar në mënyrë të koordinuar për të lokalizuar dhe më pas rrëmbyer 23-vjeçarin.
SPAK thotë se lëvizjet e tyre janë dokumentuar përmes kamerave të sigurisë, të dhënave GPS të automjeteve me qira, tabulateve telefonike dhe të dhënave të nxjerra nga pajisjet telefonike.
Sipas hetimit, në zonën pranë “Urës së Matit”, Renis Dobra është pikasur duke udhëtuar me automjetin e tij tip Mercedes-Benz.
Pas tij, sipas SPAK, ka lëvizur një automjet Hyundai Santa Fe, ku ndodheshin Petrit Hoxha alias Çakri dhe Kristë Bushgjokaj. Këta, sipas akuzës, kanë sinjalizuar Fation dhe Aleksandër Bushgjokajn, të cilët ndodheshin në një automjet tjetër, tip Range Rover.
Sipas SPAK, rreth orës 21:58, automjeti Range Rover i ka bllokuar rrugën Renis Dobrës. 23-vjeçari dyshohet se është nxjerrë me forcë nga automjeti i tij dhe, nën dhunën e autorëve, është futur në Range Rover. Më pas, sipas hetimeve, të tre automjetet kanë vijuar lëvizjen në drejtim të Ulzës dhe Shkopetit.
SPAK pretendon se gjatë këtij itinerari Renis Dobra është dhunuar dhe më pas i është shkaktuar vdekja. Këtë pjesë të dinamikës, sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme, e mbështet edhe akti i ekspertimit mjeko-ligjor.
Më pas, automjeti i viktimës, bashkë me trupin e tij, dyshohet se është hedhur në drejtim të ujërave të liqenit të Ulzës, me qëllim fshehjen dhe zhdukjen e provave. Një nga elementët kryesorë të dosjes janë pamjet e kamerave të sigurisë dhe të dhënat e GPS-it.
Raportime të mëparshme mbi dosjen hetimore kanë bërë të ditur se automjetet Range Rover dhe Hyundai Santa Fe janë konstatuar duke lëvizur në të njëjtin itinerar me Mercedes-Benz-in e Renis Dobrës. Pamjet e kamerave kanë dokumentuar lëvizjet e tyre përgjatë aksit Burrel–Shkopet.
Sipas materialeve të publikuara më herët, hetuesit kanë analizuar qindra orë filmime nga kamera të ndryshme, ndërsa një nga elementët e evidentuar në dosje ka qenë edhe pamja e drejtuesit të Range Rover-it, ku dalloheshin tatuazhe në krah.
SPAK thotë se, pas analizimit të të gjitha këtyre të dhënave, është arritur në përfundimin se rrëmbimi dhe vrasja kanë qenë pjesë e një plani të strukturuar dhe të koordinuar.
Katër personat janë aktualisht në masën e sigurimit “arrest në burg”. Në qershor të këtij viti, Gjykata e Posaçme konfirmoi masën e arrestit në burg për Fation, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokajn, si dhe Petrit Hoxhën alias Çakri.
Pak ditë më herët, në ambientet e GJKKO-së ishte regjistruar edhe një përplasje fizike mes tre vëllezërve Bushgjokaj dhe Petrit Hoxhës. Sipas raportimeve, konflikti erdhi gjatë zhvillimit të seancës dhe lidhej me deklarimet e Hoxhës për çështjen e Renis Dobrës.

Në korrik 2026, GJKKO zgjati me tre muaj afatin e hetimeve, pas kërkesës së SPAK për kryerjen e veprimeve të tjera hetimore, përfshirë ekspertime të telefonave dhe verifikime të gjurmëve papilare.
Tashmë, me dërgimin e kërkesës për gjykim, çështja kalon në një fazë të re procedurale. Renis Dobra, 23 vjeç, u rrëmbye mbrëmjen e 8 korrikut 2025 në zonën e Matit. Të nesërmen, trupi i tij u gjet pranë liqenit të Shkopetit, ndërsa automjeti me të cilin udhëtonte ishte përfunduar në ujë.
Në ditët pas ngjarjes, policia arrestoi Fation Bushgjokajn dhe Petrit Hoxhën alias Çakri, ndërsa Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj u shpallën në kërkim. Më pas, të katër përfunduan nën masën e arrestit në burg.
Raportimet e kohës kanë përmendur si një prej pistave të hetimit edhe konflikte të lidhura me aktivitetet e paligjshme të drogës, por ky element duhet trajtuar si pjesë e pistave dhe pretendimeve të hetimit dhe jo si një fakt i provuar me vendim gjyqësor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.