Keshilla

Dhjetë mijë hapa në ditë, rregulli për një zemër të shëndetshme

Nëse keni probleme me shëndetin e zemrës, atëherë ju këshillohet që të bëni dhjetë mijë hapa në ditë. Një studim i fundit ka demonstruar se kjo shifër përmirëson qarkullimin e gjakut dhe mirëfunksionimin e gjymtyrëve të poshtme, për ata të cilët bëjnë një jetë sedentare

Një rregull i ri ka dalë në qarkullim, ai i dhjetë mijë hapave në ditë. Gjithçka lind nga rëndësia e një “motori” që vë në lëvizje shëndetin: është sistemi i venave e i enëve të gjakut në pjesën e poshtme të trupit, i cili bën që gjaku të rikthehet në zemër pa rënë poshtë ashtu siç e do graviteti.

Paul Fadel, profesori i farmakologjisë mjekësore dhe i fiziologjisë në Universitetin e Misurit, është autori i një studimi, nëpërmjet të cilit tregohet se sa e rëndësishme është lëvizja në këmbë për shëndetin e enëve të gjakut tek individët e të gjitha moshave dhe sidomos sa e dëmshme është jeta sedentare, qoftë edhe për periudha të shkurtra kohore.

Ja përse, sipas OBSH-së, sasia e lëvizjes është thelbësore për shëndetin e zemrës dhe duket se dhjetë mijë hapa në ditë janë tepër të domosdoshëm për këtë çështje.

Në studimin e pasqyruar në “Medicine and Science in Sports and Exercise”, Fadel dhe grupi i tij kanë studiuar se çfarë ndodh kur kalohet nga një nivel optimal i lëvizjes së përditshme – dhjetë mijë hapa – në një “dozë” të pamjaftueshme, deri në pesë mijë hapa (ato që në përgjithësi përshkohen edhe nga ata që bëjnë fundja një jetë sedentare).

Nga analizat ka dalë se rritja progresive e sasisë së lëvizjes është e mjaftueshme për të ndikuar në funksionimin e enëve të gjakut, sidomos në gjymtyrët e poshtme. Kjo është një gjë për të mos u nënvlerësuar, sepse përndryshe rreziku prej tensionit të lartë dhe goditjeve në zemër, do të bëhej më i madh.

Pasi kanë bërë kuotën optimale të lëvizjeve për disa ditë, te të gjitha subjektet u vu re një përmirësim i dukshëm i funksionimit të enëve të gjakut, deri në kthim të niveleve të duhura.

Ndaj kjo tregon se nuk është asnjëherë vonë për të ecur dhe për të lëvizur. “Trajtimi më i mirë është të bëheni më aktivë.”

Ndërkohë, shëndeti i enëve të gjakut e ndien edhe stilin e ushqyerjes. Ai mund të favorizohet nga një dietë ku përfshihen ushqime të veçanta, të cilat kanë një efekt rigjenerues të venave, për shembull çokollata e zezë, vaji i ullirit dhe lëngu i boronicës.

Kësaj fushe të veçantë studimi i është dedikuar kardiologu dhe studiuesi zviceran, Andreas Flammer, nga Spitali Universitar i Zyrihut, të cilit së fundmi i është dhënë çmimi për kërkimet më të mira shkencore në vitin 2014 nga Fondacioni Zviceran i Kardiologjisë. Ai e fitoi këtë çmim, për shkak se zbuloi disa konkluzione interesante mbi efikasitetin e këtyre tri ushqimeve, tashmë të njohura nga kardiologët për përmbajtjen e lartë të flavonoideve.

Çokollatë dhe jo vetëm

Në rastin e çokollatës së zezë, për shembull, Flammer ka demonstruar se kjo substancë ka një funksion të mirë për zemrën dhe mund të përmirësojë funksionalitetin e enëve të gjakut të dëmtuara nga brenda. Efekti, ndër të tjera, është më i habitshëm te pacientët me insuficiencë kardiake, te të cilët konsumi i përditshëm i një sasie të vogël çokollate, mund t’i sjellë përfitime funksionimit kardiovaskular. Një rezultat të ngjashëm japin si vaji i ullirit, ashtu edhe lëngu i boronicës: të dy kanë dhënë një përmirësim të dukshëm të funksionimit të sistemit vaskular tek ata persona që i përfshinin këto ushqime në mënyrë të rregullt në dietën e tyre.

Ecni sa më shumë

Fizkultura u bën mirë njerëzve të çdo moshe dhe për këtë nuk keni pse shkoni në palestër. Një fillim i mbarë është që në punë të mos shkoni me makinë apo me autobus, por në këmbë, gjithmonë nëse keni për të bërë një rrugë jo shumë të gjatë. Prindër, nxitini fëmijët të bëjnë lojëra të cilat i vënë në lëvizje, mundësisht jashtë shtëpisë. Këto aktivitete u forcojnë trupin dhe i mësojnë të bashkërendojnë lëvizjet, e kjo nuk arrihet kur luajnë ulur, si për shembull, me videolojëra.

Burimi: La Stampa

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button