Dhuna dhe kaosi në protestë, ministri Gonxhja apel prindërve: Flisni me fëmijët, të protestosh nuk do të thotë të vanda
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, u është drejtuar me një mesazh prindërve pas protestave të dhunshme që kanë përfshirë Tiranën dhe disa qytete të vendit.
Në reagimin e tij, Gonxhja u bën thirrje prindërve që të flasin me fëmijët dhe t’u tregojnë atyre se muzetë, historia dhe kultura nuk janë pjesë e një qeverie apo partie.
Sipas tij, Shqipëria nuk mund të dhunohet nga duart e fëmijëve të saj.
Reagimi i Gonxhes:
“Të dashur prindër,
Pamjet që po shohim duan reagimin tuaj!
Mes turmës, të mitur e adoleshentë po dëmtojnë pasuri publike, institucione kulturore e trashëgimi historike, muze, teatro, biblioteka, objekte kulti
Si fëmijë, përgjegjësia fillon nga familja.
Flisni me ta. Për t’u kujtuar një kufi që nuk duhet kapërcyer:
Asnjë zemërim nuk justifikon shkatërrimin e asaj që u përket të gjithëve, sot e nesër!
Në Tiranë janë dëmtuar hapësirat e jashtme të Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”; hapësira të Teatrit të Kukullave; Muzeut Historik Kombëtar, Bibliotekës Kombëtare. Është sulmuar edhe hapësira e jashtme e Xhamisë së Et’hem Beut, monument unikal kulture i kategorisë 1! Në Durrës janë shkatërruar vepra e instalacione të Bienales së Artit!
Një muze nuk është i një qeverie.
Një teatër nuk është i një partie.
Një monument kulture nuk është kundërshtari a shënjestra e askujt.
Këto janë pasuri publike kombëtare. Janë tempujt e artit, kulturës dhe kujtesës sonë kolektive. Janë vende ku shkohet për të mësuar historinë e festuar krijimtarinë.
Të dashur prindër, flisni me fëmijët tuaj!
Të protestosh nuk do të thotë të vandalizosh!
Qëndrimet politike mund të na ndajnë; përgjegjësia për ta mbrojtur historinë dhe kulturën duhet të na bashkojë!
Anarkia e kaosi duhet t’i japin vendin arsyes!
Shqipëria nuk mund të bombardohet nga duart e fëmijëve të saj! Urrejtja e fabrikuar dhe pasojat e kësaj histerie lumturojnë armiqtë tanë historikë!”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.