Protesta/ OSBE i bashkohet Presidentit Begaj: Të gatshëm të ndërmjetësojmë për fillimin e dialogut për krizën!
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar në lidhje me protestat e dhunshme që po zhvillohen në Tiranë.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret mesazhin e sotëm të Presidentit Begaj. Ne i bashkohemi thirrjes për qetësi dhe dialog gjithëpërfshirës dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në lehtësimin e një dialogu të tillë, nëse na kërkohet”, thuhet në mesazhin e tyre.
Më herët, delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë dënoi ashpër aktet e dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike e private, duke u bërë thirrje protestuesve për vetëpërmbajtje.
“Dënojmë me forcë përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune. Dhuna nuk ka vend në demokraci. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. Dialogu konstruktiv mes të gjitha palëve është e vetmja rrugë përpara për të adresuar shqetësimet legjitime”, shkruan BE.
Në protestën e dhunshme të një dite më parë, protestuesit dogjën edhe godinën e Kolegjit të Europës te Piramida.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.