Opinion
Dhunë e pritshme në Kuvendin e Shqipërisë

Më 11 maj populli do të zgjedhë përfaqësuesit e vet për Kuvendin e Shqipërisë që ta përfaqësojnë denjësisht. Populli dëshiron që foltorja e Kuvendit të shndërrohet në një tempull ku përfaqësuesit e çdo partie të diskutojnë dhe debatojnë me kulturë dhe dashamirësi për çdo projekt-ligj ose problem të mprehtë të ekonomisë, jetës sociale dhe politikës sonë të jashtme. Pret të miratohen ligje për të mirën e Shqipërisë. Më lind pyetja sa mundësi ka që, sidomos me disa deputetë të listave të mbyllura, foltorja ka për të qenë vatra e diskutimeve dhe debateve të kulturuara? Duke u nisur nga përvoja e vitit 2024 them se përsëri kemi për të qenë të zhgënjyer. Pse?
Me trishtim kam ndjekur transmetimet televizive me pamje nga më fyeset. Deputetë të përjashtuar nga seancat që hynin në foltore, duke u kacavjerë si majmunë, nga dritaret. Kam regjistruar duar deputetësh duke i bllokuar telefonin kundërshtarit. Ka edhe më keq akoma. Kanë hedhur bomba tymuese në foltore. Kanë bërë pirg karriget aty pari dhe janë përpjekur t’u vënë flakën. Arritën të djegin edhe një tavolinë deputeti që ish kryetari i tyre, të mos kishte ku të ulej. Më kujtohen si në ekran filmi skenat e bllokimit të foltores. Nuk ishin vetëm disa çaste. Kaluan javë dhe disa muaj, që opozita përpiqej të bllokonte seancat. Pozita miratonte me shpejtësi, pa asnjë debat, ligjet e propozuara. Kuvendi u kthye në një institucion ku njëra palë me harbutëri dhe histerizëm tregonte forcën e vet shkatërruese, ndërsa pozita, vazhdonte me qetësi punën për të mos e lënë popullin pa ligjet që i duheshin. Ai nuk ishte Kuvend normal. Një çmenduri e iniciuar dhe dirigjuar nga i dhunshmi kryetar i Partisë Demokratike, po që ka dalë dukshëm nga binarët e demokracisë.
Pse mu kujtuan pamjet dramatike, të turpshme të Foltores së vitit të kaluar ? Kur Kuvendi u kthye në një tymnajë estradeske-dramatike pata biseduar me disa intelektualë mërgimtarë, me të cilët ndava këtë shqetësim qytetar. Ngushëlluam veten duke thënë: ” KËTA RRUGAÇË QË MERITOJNË TË GJYKOHEN SI TË TILLË, populli nuk ka për t’i votuar më.” Nuk besonim që kompromisi PD-PS, i cili njihet si kompromisi famëkeq Rama-Berisha, do të përsëritej. Për të mbetur të plotpushtetshëm në partitë e tyre, për të pasur në dorë fatin e vartësve që lakmojnë karrigen e deputetit, populli do të votonte për listën që çdo parti paraqiste. Nuk na shkonte mendja që zoti Rama do ta përsëriste atë pakt të turpshëm me ndryshimin: Disa kandidatë do të jenë në listat e mbyllura, të tjerët në listat e hapura?! Ata të listave të mbyllura e kanë të siguruar që do të jenë deputetë. Nuk mund të them se lista e mbyllur nuk është demokratike. Atë e zbatojnë disa shtete në Evropë. Ku Evropa demokratike dhe ku ne?! Sidomos vjet u duk qartë se ajo praktikë nuk na përshtatet. U jep shumë fuqi kryetarëve. Edhe pa listat e mbyllura, si Berisha dhe Rama janë të plotpushtetshëm. Më e keqja është se në Kuvend do të kemi shumë nga figurat e diskredituara për veprimet tymshpërthyese, për dhunën, për djegiet, për bllokimin e seancave, për goditjen e policisë, për gojshthurjen që shkaktoi e ashtuquajtura ” MOSBINDJE CIVILE’,’ e cila ishte 100 për qind lëvizje e çartur që shkelte ligjet. Po drejtësia e ”reformuar” çfarë bëri? Ndiqte si spektator dramën e turpshme të Foltores. A do të kishte ndejtur duarkryq, po të kishte hedhur tymuese në foltore ndonjë qytetar i thjeshtë? Kurrë dhe kurrë! Kishin për ta dënuar sipas ligjit. Jam i bindur që deputetët të cilët u sollën si njerëz ordinerë, si rrugaçë të pandreqshëm që meritonin të gjykoheshin, populli nuk do t’i votonte. Po ja që ata iu dashkan partive?! Me që në Kuvendin e Shqipërisë do të jetë përsëri Sali Berisha, frymëzues dhe organizator i ardhjes në pushtet përmes dhunës bashkë me dishepujt aktivë Nard Noka, Gazmend Bardhi, Albana Vokshi, Edi Paloka me shokë, vështirë se ata do ta harrojnë zakonin: me anë të mosbindjes civile të rrëzojnë qeverinë e zgjedhur nga populli.
Si mund t’i bëhet parapritë kësaj të keqeje diskredituese edhe për Shqipërinë? E para kishte për të qenë që të gjithë deputetët të zgjidhen nga populli. Me që kjo nuk bëhet dhe deputetët rrugaçë bëjnë trimin, heqja e imunitetit të deputetit, kur ai shkel ligjin, kishte për ta frenuar shumë dhunën në foltore. Përpara ligjit të gjithë duhet të jemi të barabartë. Imunitet deputeti të ketë vetëm për mendimet që shpreh, për kritikat që i bën qeverisë, po jo për bomba tymuese, djegie karrigesh, bllokim të foltores, rrahje të policëve, shpifje dhe kërcënime.
Nga listat e mbyllura do të jenë deputetë edhe disa figura që kanë zënë rrënjë në Kuvend si Fatmir Mediu me një parti të asfiksuar, po që ka mbajtur këtë post për shërbimet ndaj Berishës. Janë edhe disa të tjerë që nuk meritojnë t’u përmendet as emri.
Këtë dhuratë me një Kuvend me deputetë rrugaçë, të zgërdhirë dhe me procese penale, populli e ka direkt nga zoti Rama. Kompromisi i tij me Berishën i hoqi popullit të drejtën legjitime për të zgjedhur të gjithë përfaqësuesit e vet. Ka për t’u penduar kur, po nga ata deputetë u thënçin, në Kuvendin e Shqipërisë edhe gjatë legjislaturës së re tymi, bllokimi i Foltores, djegiet dhe aktet e rrugaçërisë nuk kanë për të munguar. Ka për të qenë tepër vonë për pendimin e Ramës. Ka të ngjarë që mosbindja civile të rishfaqet që më 12 maj me klithmën ulëritëse: NA VODHËN VOTAT. KJO QEVERI HAJDUTE DUHET RRËZUAR!