Cfurku tridhëmbësh i anarkisë
Nga Fatos Çoçoli
Ngjarjet e protestave të 13–21 tetorit 2026 në Tiranë, të cilat u shoqëruan me episode dhune, dëmtim, djegje dhe shkatërim të disa institucioneve publike dhe sulme, plaçkitje e shkatërim të qindra bizneseve private, duhet të shërbejnë si një moment reflektimi për të gjithë shoqërinë tonë.
Në një demokraci, pakënaqësia politike është legjitime. Protesta është e drejtë themelore. Kërkesa për dorëheqjen e qeverisë, kundërshtimi i korrupsionit dhe kërkimi i ndryshimit të sistemit të qeverisjes janë pjesë e debatit demokratik.
Por asnjë prej këtyre të drejtave nuk e shndërron dhunën në një mjet të ligjshëm apo moralisht të justifikueshëm. Kur goditen institucionet, digjen prona, plaçkiten biznese dhe rrezikohen njerëzit, kufiri ndërmjet protestës dhe vandalizmit kapërcehet.
Ne tani duhet të shohim qartë cfurgun tridhëmbësh që rrezikon jetën tone normale.
Dhëmbi i parë: bombardimi i rrjeteve sociale dhe radikalizimi i zemërimit rinor
Rrjetet sociale janë bërë një nga hapësirat kryesore ku të rinjtë informohen, diskutojnë dhe formojnë qëndrimet e tyre politike. Ato mund të jenë mjete të fuqishme për pjesëmarrjen qytetare, organizimin paqësor dhe denoncimin e padrejtësive. Por, në kushte të caktuara, mund të shndërrohen edhe në kanale për manipulimin e emocioneve, përhapjen e dezinformimit dhe nxitjen e sjelljeve aggressive, sikurse po shërbejnë tani.
Mekanizmi më shqetësues shfaqet, kur mesazhet në rrjet kalojnë nga denoncimi, tek nxitja. Fillimisht, të rinjve u paraqitet një realitet krejtësisht i pashpresë. Më pas, u thuhet se institucionet nuk mund të ndryshojnë përmes votës, dialogut apo drejtësisë. Në fund, veprimi i dhunshëm paraqitet si një akt heroik, si një detyrim moral, ose si e vetmja rrugë drejt lirisë dhe mirëqënies.
Në këtë pikë, shkatërrimi i pronës mund të interpretohet si revoltë, përplasja me policinë si trimëri dhe sulmi ndaj një institucioni si fitore politike. Por kjo është një rrugë e rrezikshme. Demokracia nuk mund të mbrohet duke shkatërruar mekanizmat që u japin qytetarëve mundësinë të kundërshtojnë pushtetin, pa përdorur forcën.
Rreziku nuk qëndron tek kritika e qeverisë. Një shoqëri demokratike ka nevojë për kritikë të fortë, për gazetari hulumtuese dhe për të rinj që nuk pranojnë padrejtësitë. Rreziku lind kur kritika zëvendësohet nga propaganda e njëanshme, kur çdo institucion paraqitet si i korruptuar pa dallim, kur çdo kundërshtar i yti në mendim etiketohet si armik dhe kur krijohet bindja se sistemi demokratik nuk mund të ndryshohet me mjete demokratike.
Për muaj të tërë, të rinjtë u ekspozuan ndaj mesazheve të rrjeteve sociale që u përsërisnin se e ardhmja iu është vjedhur, se të gjitha institucionet janë të kapura, se zgjedhjet nuk vlejnë dhe se vetëm përmbysja me forcë sjell ndryshim. Dhe ja çkemi sot. Kemi situatën, kur zemërimi i disa grupeve rinore ekstremiste, të nxitura dhe nga disa forca të reja politike, shndërrohet në armiqësi ndaj çdo autoriteti shtetëror.
Ky është një proces që duhet analizuar me seriozitet. Duhen kuptuar dhe kërkuar më shumë detaje për burimet e financimit të portaleve online, koordinimi i llogarive, përhapja e mesazheve të njëjta dhe lidhjet e mundshme me organizatorët e veprimeve të dhunshme tek ne. Këtë gjë po e bëjnë edhe qeveritë më demokratike të Bashkimit Evropian: Franca, Italia, Spanja, etj., si dhe institucionet e tyre ligjzbatuese.
Të rinjtë shqiptarë kanë arsye të kërkojnë më shumë drejtësi, më shumë mundësi punësimi, paga më të mira dhe institucione më të besueshme. Ata kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë ndryshim. Por pikërisht sepse e ardhmja e tyre ka rëndësi, ata nuk duhet të shndërrohen në instrumente të dhunës s,ë askujt.
Një i ri që kundërshton korrupsionin është një aset për demokracinë. Një i ri që bindet se shkatërrimi është zgjidhja e vetme, rrezikon të bëhet viktimë e atyre që pretendojnë se po e çlirojnë dhe se do t’i sjellin mirëqënien këtu.
Dhëmbi i dytë: papërgjegjësia e partive politike opozitare dhe heshtja e fajshme, përballë dhunës së protestuesve
Partitë politike kanë përgjegjësi të veçantë në një demokraci, sepse ato jo vetëm përfaqësojnë pakënaqësinë e qytetarëve, por edhe ndikojnë në mënyrën se si kjo pakënaqësi shprehet.
Opozita ka të drejtë dhe detyrë të denoncojë korrupsionin, të kundërshtojë qeverinë, të organizojë protesta dhe të kërkojë ndryshimin e pushtetit. Në një sistem demokratik, një opozitë e fortë është e domosdoshme.
Por forca e opozitës nuk matet me aftësinë për të prodhuar tension, as me numrin e njerëzve që mbledh në shesh. Ajo matet edhe me përgjegjësinë për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve për të protestuar pa u përballur me zjarrvënie, plaçkitje apo shkatërrim të pronës.
Asnjëherë, gjatë ngjarjeve të 13–20 tetorit 2026, partitë opozitare nuk e dënuan qartë dhe as nuk u distancuan fort dhunën dhe shkatërrimet nga protestuesit. Dënuan me force vetëm rastet ku, sipas tyre kishte teprim të përdorimit të forces nga policia, duke i etiketuar si terrorizëm policor.
Heshtja e tyre mbi dhunën e ushtruar nga protestuesit mbi institucionet publike dhe bizneset private përbën një problem serioz politik dhe moral për shoqërinë tonë.
Një parti që nesër synon të qeverisë vendin ka detyrimin moral, qytetar dhe madje edhe ligjor, se është pjesë e sistemit, që të thotë dy gjëra njëkohësisht: të kërkojë që qeveria të mbajë përgjegjësi të plotë për çdo shkelje të ligjit dhe teprim të përdorimit të forces nga policia, por edhe të dëonjë po me aq force çdo akt dhune dhe shkatërrimi nga protestuesit. Nuk ka asnjë kontradiktë ndërmjet këtyre dy qëndrimeve.
Ekziston një tundim i përhershëm në politikë: të konsiderohet çdo shpërthim zemërimi popullor si kapital elektoral dhe çdo përshkallëzim si provë se kundërshtari është drejt fundit. Ne ky tundim në historinë tone na ka kushtuar shumë shtrenjtë.
Partitë tona opozitare nuk po e shohin se dhuna, në vend që t’i afrojë, sikurse opozita shpreson, po i largon prej saj çdo ditë e më shumë ata qytetarë që kërkojnë ndryshim nga qeverisja e sotme, por nuk pranojnë shkatërrimin e pronës, rrezikimin e jetës dhe destabilizimin e përditshmërisë së tyre.
Prandaj, çdo forcë opozitare që synon të jetë alternativë qeverisëse duhet të bëjë një dallim të qartë ndërmjet protestës paqësore dhe veprimeve të dhunshme. Ajo duhet të dënojë pa ekuivok djegien, plaçkitjen dhe shkatërrimin e pronës publike e private, si dhe të distancohet nga çdo individ ose grup që nxit dhunën.
Këto nuk janë kërkesa për t’i bërë opozitës një favor politik. Janë standarde minimale për çdo parti që kërkon të marrë përgjegjësinë e qeverisjes nesër.
Opozita që nuk distancohet nga dhuna rrezikon të humbasë dallimin moral ndërmjet kritikës së pushtetit dhe përdorimit të forcës për ta ndryshuar atë.
Dhëmbi i tretë: glorifikimi mediatik i dhunës dhe krijimi i heronjve të rremë
Media ka një rol të pazëvendësueshëm në demokraci. Ajo duhet të hetojë abuzimet e pushtetit, të raportojë protestat, të mbrojë lirinë e shprehjes dhe t’u japë zë qytetarëve që nuk dëgjohen.
Por liria e medias nuk e përjashton përgjegjësinë profesionale. Veçanërisht, në momente tensioni politik, mënyra se si paraqiten ngjarjet mund të ndikojë në perceptimin publik dhe në sjelljen e të rinjve.
Nëse pamjet e shkatërrimit transmetohen vazhdimisht pa kontekst, nëse autorët e veprimeve të dhunshme portretizohen si heronj, luanë, shqiponja apo gavroshë e protagonistë të një revolucioni rinor, atëherë shikuesi rrezikon të mos dallojë më ndërmjet guximit qytetar dhe vandalizmit!
Problemi nuk është raportimi i dhunës. Publiku ka të drejtë të shohë dhe të kuptojë çfarë ka ndodhur. Problemi lind kur raportimi kthehet në spektakël, kur veprimet e paligjshme romantizohen dhe kur pasojat për viktimat, bizneset dhe qytetarët e zakonshëm mbeten në plan të dytë.
Një i ri që denoncon korrupsionin me prova, që organizon një protestë paqësore, që mbron të drejtat e bashkëmoshatarëve dhe që kërkon llogaridhënie nga qeveria meriton vlerësim.
Një person që djeg një institucion, thyen xhamat dhe plaçkit një biznes nuk bëhet dot hero, vetëm sepse vepron në emër të një kauze politike.
Në një shtet të së drejtës, gjykimi i sjelljes duhet të bazohet tek faktet dhe te ligji, jo tek simpatia për kauzën e pretenduar.
Standardi profesional mediatik duhet të jetë i qartë: raportim i fakteve, dhe jo dramatizim i pakontrolluar, dallim ndërmjet protestuesve paqësorë dhe personave që kryejnë akte të dhunshme, si dhe verifikim i pamjeve dhe pretendimeve që shpërndahen në rrjetet sociale.
Media natyrisht nuk duhet dhe nuk ka pse të jetë zëdhënëse e qeverisë, por as edhe tribunë që e shndërron dhunën në spektakël! Ajo duhet të jetë garantuese e së vërtetës, e llogaridhënies dhe e interesit publik.
Si ndërthuren tre dhëmbët e anarkisë?
Rreziku më i madh nuk qëndron tek seicili prej këtyre dukurive i marrë veçmas, por te ndërveprimi i tyre.
Rrjetet sociale e përhapin zemërimin dhe i japin atij një interpretim radikal. Partitë e papërgjegjshme opozitare mund të përfitojnë nga tensioni, nëse nuk vendosin kufij të qartë kundër dhunës, ndërsa disa televizione, për fat të keq, mund t’i japin kësaj dhune një imazh romantik dhe ta shndërrojnë në përmbajtje që tërheq audiencë.
Kështu krijohet një cikël i rrezikshëm: zemërimi ushqen përplasjen, përplasja prodhon pamje dramatike dhe pamjet dramatike ushqejnë më tej zemërimin.
Rreziku për shoqërinë tone përkthehet, sikurse ndodhi këto tetë ditë të hekurit dhe zjarrit, në pasiguri, dëme ekonomike, humbje besimi dhe dobësim të kulturës demokratike
Si mund të thyhet ky çfurk tridhëmbësh?
Përgjigjja nuk është heshtja, censura apo ndalimi i protestave. Përgjigjja është forcimi i mekanizmave demokratikë që e ndajnë kundërshtimin legjitim nga dhuna.
Së pari, me përgjegjësi digjitale dhe edukim mediatik. Shkollat, universitetet, familjet dhe platformat duhet të ndihmojnë të rinjtë të dallojnë faktin nga opinioni, kritikën nga dezinformimi dhe thirrjen për protestë nga nxitja e dhunës.
Së dyti, distancim i qartë politik nga dhuna. Duhet t’u kërkojmë partive politike që mbështesim që të dënojnë pa ekuivoke dhunën, në çdo formë dhe nga çdo burim që shfaqet ajo.
Së treti, duhet të kërkojmë si shoqëri standarde të larta profesionale për median. Redaksitë duhet të shmangin glorifikimin e akteve të dhunshme, të verifikojnë materialet që publikojnë dhe të mos i shndërrojnë autorët e shkatërrimit në personazhe heroike, ndërkohë që raportimi kritik mbi qeverinë duhet të mbetet i lirë, i pavarur dhe i mbështetur në fakte.
Shqipëria nuk ka nevojë për një rini të heshtur. Ka nevojë për të rinj kritikë, të guximshëm, të informuar dhe të aftë të kërkojnë llogari nga çdo qeveri. Nuk ka nevojë për një opozitë që heq dorë nga kundërshtimi, por për një opozitë që e ushtron atë me përgjegjësi. Nuk ka nevojë për media që fshehin problemet, por për media që i zbulojnë ato, pa e shndërruar dhunën në spektakël.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.