Kosova

Shkrimtari Arif Demolli nderohet me çmimin kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli”

Shkrimtari i mirënjohur Arif Demolli u nderua sot nga kryeministri Isa Mustafa me çmimin kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli” .

Gjatë  ceremonisë me rastin e ndarjes së çmimeve letrare për veprat më të mira, aktivitet ky i organizuar në kuadër të axhendës zyrtare të manifestimeve për shënimin e 8-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës,  Mustafa tha se “këto vepra po e bëjnë historinë e letërsisë shqipe në Kosovë.

“Mund të jem pak subjektiv sepse ne kemi qenë shokë klase, kemi kryer tetë vite bashkë në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë. Natyrisht që Arifi nuk ka qenë vetëm nxënës në shkollë, ka qenë shkrimtar, që nga viti i parë i shkollës fillore, ka qenë njeri prej të cilit kemi mësuar shumë. Është njeri i cili ka një krijimtari të mrekullueshme, që ka siguruar gëzimin e fëmijëve dhe ka krijuar gjuhën e fëmijëve që s’e kanë bërë të tjerët, prandaj ka shumë merita. Ka shumë më shumë merita se sa që mund t’i japim ne sot përmes çmimit kombëtar për veprën e tij jetësore. Unë e uroj për këtë. Uroj që të shkruaj edhe gjatë, që edhe gjatë të kemi vepra të tij dhe që të bashkëjetojmë në frymën që ai ka krijuar të një gjuhe të thjeshtë shumë të kuptueshme, dhe të një veprimtarie tepër të çmueshme për ne në Kosovë, por edhe jashtë Kosove”, tha kryeministri Mustafa.

Nga ana e tij, laureati i shpërblimit më të rëndësishëm në letërsi, Arif Demolli, shprehu dëshirën që ky çmim të jetë motivim për veprat e ardhshme.

“Vetë edhe formulimi për vepër jetësore, pak më tingëllon si trishtueshëm, sikur erdhi tek një pikë, sikur ka marrë fund gjithçka. Mirëpo unë besoj, kam dëshirë dhe uroj të gjithë ata që e kanë fituar këtë çmim dhe do ta marrin, që kjo pikë të bëhet presje dhe jeta të na vazhdojë dhe të krijojmë diçka të re”, theksoi Demolli.

????????????????????????????????????

Çmimet letrare u vlerësuan nga një juri profesionale e kryesuar nga Anton Berisha dhe me anëtarë Musa Ramadani, Nerimane Kamberi, Xhevat Syla dhe Agron Y. Gashi.

Të njëjtët vendosën që çmimin për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku”, t’ia ndajnë sivjet autorit Rexhep Murtez Shala, për veprën “Anonim Profan Wor(l)d, Neokultura”, çmimin për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja”, poetes Ervina Halili për veprën “Amuletë”. Për veprën “Lahuta…e Fishtës (Gjuhë dhe Stil), autori Xhavit Beqiri fitoi çmimin për kritikë letrare “Ibrahim Rugova”.

Për veprën “Danfante, heshtja e poetit është një akt terrorist”, Fadil Bajraj u nderua me çmimin për veprën e përkthyer në gjuhën shqipe ose anasjelltas “Pjetër Bogdani”.

Ndërsa, pos mortum krijuesi Abdullah Thaçi u nderuar me çmimin letrar për veprën më të mirë për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kikaj” për librin “Kalaja e Fjalës”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button