Digjet Muzeu Kombëtar i Brazilit, shkaktohen dëme kolosale
Gjendja është mjaft e vështirë; pamjet ajrore të transmetuara nga televizoni shtetëror brazilian treguan sesi zjarri, që ka nisur mbrëmjen e së dielës pasi godina kishte mbyllur dyert për vizitorët, është përhapur tani në të gjithë strukturën.
Shkallë e vërtetë e dëmeve dhe arsyeja e këtij zjarri nuk dihen ende. Në këtë muze, mes flakëve nuk ka përfunduar vetëm historia e Brazilit. Shumë e shohin atë si simbolin e qytetit të Rio de Zhaneiros e mbase edhe të gjithë vendit, por edhe si metaforën e tyre dhe të krizës që i përfshiu sidomos pas Lojërave Olimpike, me rënien e thellë të ekonomisë dhe skandalet politike.
Edhe muzeu vetë ishte injoruar e keqfinancuar prej kohësh, e pasojat e këtij qëndrimi tani po dëshmohen katastrofike për trashëgiminë kulturore të Brazilit. Koleksioni i tij i historisë së natyrës përfshin kocka të rëndësishme dinosaurësh, si dhe skeletin 12.000-vjeçar të një gruaje, më i vjetri i gjetur ndonjëherë në të dy Amerikat.