Dita Botërore e Kontracepsionit: Vetëm 14% e grave të reja përdorin kontraceptivë modernë
HERA kërkon futjen e tabletave kontraceptive në listën pozitive të barnave, për ta bërë kontracepsionin të përballueshëm
Shkup, 26 shtator — Në Maqedoninë e Veriut, vetëm 14% e grave të reja të moshës 20–24 vjeç përdorin një metodë moderne kontraceptive, ndërsa 38,6% mbështeten te ndërprerja e marrëdhënies seksuale. Këto të dhëna i publikoi sot Shoqata për edukim shëndetësor dhe kërkim HERA, me rastin e Ditës Botërore të Kontracepsionit, që sivjet mbahet nën moton “Zgjedhje pa barriera”.
Në nivel kombëtar, 43,9% e çifteve të moshës 15–49 vjeç në martesë apo bashkësi përdorin marrëdhënien e ndërprerë si metodë për parandalimin e shtatzënisë, ndërsa vetëm 14% përdorin kontracepsion modern, sipas të dhënave më të fundit kombëtare të studimit MICS 2018–2019 të UNICEF-it. Vetëm 11% e grave të reja të grupmoshës 20–24 vjeç përdorin kondom.
“Përdorimi i ulët i kontraceptivëve nuk është vetëm çështje zgjedhjeje personale, por edhe i faktit se ata nuk janë financiarisht të përballueshëm për të gjithë”, thekson HERA.
Shoqata kërkon që, pas përfshirjes së tabletave kontraceptive në listën esenciale të barnave këtë vit, ato të futen edhe në listën pozitive, që të mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor dhe të bëhen financiarisht të përballueshëm për qytetarët.
“Pas të drejtës së zgjedhjes duhet të qëndrojë edhe një sistem shëndetësor funksional që siguron kontracepsion të përballueshëm, këshillim cilësor dhe shërbime të shëndetit seksual dhe riprodhues”, thotë HERA.
Përveç përballueshmërisë, shoqata thekson nevojën për informacion dhe këshillim të besueshëm e të bazuar në shkencë mbi shëndetin seksual dhe riprodhues, përfshirë metodat moderne të kontracepsionit, përmes edukimit gjithëpërfshirës seksual, që do t’u mundësojë të rinjve të fitojnë njohuri për mbrojtjen e shëndetit të tyre.
Dita Botërore e Kontracepsionit mbahet për të nxitur vetëdijen për rëndësinë e planifikimit familjar dhe të përballueshmërisë së mjeteve moderne kontraceptive. (Burimi: HERA / FinPortal.mk, 26.9.2026)
Foto ilustruese: tableta kontraceptive (CC0, Wikimedia Commons).



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.