Dita e Alfabetit, Shiroka Pula: Ta ruajmë dhe pasurojmë gjuhën shqipe
Presidentja e Kosovës, Shiroka Pula, ka përcjellë një mesazh me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke theksuar rëndësinë e tij në ruajtjen e identitetit kombëtar.
Në mesazhin e saj, presidentja ka kujtuar Kongresin e Manastirit të vitit 1908, ku 50 delegatë nga 26 qytete, shoqata dhe klube shqiptare u bashkuan për të përcaktuar alfabetin e gjuhës shqipe.
Ajo ka theksuar se alfabeti është dëshmi e qëndresës dhe e përpjekjeve ndër shekuj për ruajtjen e identitetit kombëtar.
“Lufta jonë për liri u bë edhe për gjuhën shqipe, për të drejtën për ta folur dhe shkruar atë lirshëm”, thuhet në mesazhin e presidentes.
Shiroka Pula ka theksuar se përgjegjësi e brezave të sotëm është ruajtja, pasurimi dhe përcjellja e kësaj trashëgimie te gjeneratat e ardhshme.
Në fund, ajo ka uruar të gjithë shqiptarët për Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.