Opinion

Dita e Bullgare e kulturës dhe ekspozita e Andon Kuqalit në Tiranë

24 maji–Dita e Arsimit, Kulturës Bullgare dhe e Shkrimit Sllav që i dedikohet vëllezërve Kirill e Metodij-feste me një domethënie të madhe për popullin bullgar është festuar edhe në Tiranë e shoqëruar me ekspozitën e piktorit dhe studjuesit Andon Kuqali, i cili ka mbaruar në vitet 60’ Akademinë e Arteve të Bukura në Sofje. Eventi u organizua ditën e martë, më 24 maj në Tiranë, në bar “Sofje”, nga Konsullata e Nderit e Republikës së Bullgarisë në Shqipëri në bashkëpunim me Ambasadën Bullgare. Ishin të pranishëm ambasadori i Bullgarisë në Tiranë, z.Dirmitar Arnaudov, kryetari Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Bullgari, deputeti Edmond Spaho, deputetët Musa Ulqini e Namik Dokle, intelektualë të cilët kanë mbaruar studimet në Bullgari, piktorë, petagogë, përfaqësues të medias, etj.

3Konsulli i  Nderit e Republikës së Bullgarisë  në Shqipëri, z.Selim Hoxhaj foli për festën e 24 majit si “Dita e arsimit, kulturës bullgare dhe e shkrimit sllav”. “Kjo ditë, tha ai, lidhet me vëllezërit Kirill e Metodij, të cilët në fund të shekullit IX dhe fillim shekulli X  mbi bazën e gjuhës së folur bullgaro-sllave, krijuan një alfabet i cili ndikoj në kulturën e popujve sllavë. Kështu ata, me alfabetin e ri,  përhapën fenë e krishtere në gjuhën sllave, ku deri atëherë përdorej j latinishtja. Dhe nuk është e rastit, që në vitin 1980 Papa Gjon Pali II shpalli vëllezërit e Shenjtë Kirill dhe Metodij-mbrojtës të Evropë”. Sipas konsullit Hoxhaj, festa e vëllezërve Kirill dhe Metodij  evidentohet për herë të parë në vitin 1851 në shkollën në Plovdiv, kurse në vitin 1857 kjo ditë u bë festë tradicionale”.

“Në këtë ditë feste për bullgarinë, tha Hoxhaj, menduam të hapim edhe ekspozitën në pikturë, të piktorit, studjuesit dhe kritikut të arteve Andon Kuqali, i cili ka mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura në Sofje, edhe si shënjë miqësia midis dy popujve tanë”. “Si dhe shumë të tjerë, iluministë, intelektualë, arsimdashës, albanologë, patriotë shqiptarë, etj. edhe Anton Kuqali është një urë lidhëse miqësie midis dy popujve tanë”, tha Hoxhaj.

Por lidhjet e tij me Bullgarinë nuk mbetën vetëm të piktura. Konsulli Hoxhaj, shtoi se: “duke njohur mjaft mire, gjuhen bullgare, Andon Kuqali, lëvroi edhe përkthimin nga bullgarishtja në shqip. Ai përktheu rreth viteve ’60 nga bullgarishtja në shqip vellimin me tregime “Lajthitje pranverore”, të shkrimtarit bullgar Elin Pelin (emër arti) i shkrimtarit të shquar bullgar Dhimiter Ivanin”.

Në vazhdim  ambasadori i Bullgarisë në Tiranë, z.Dirmitar Arnaudov, foli për festën e 24-majit, progresin që Kirill e Metodij sollën me alfabetin  e tyre në kulturën sllave,  por dhe atë europiane. “Krahas alfabetit latin dhe atij grek, alfabeti cirilik sot është alfabeti i tretë i Evropës së bashkuar”, tha Arnaudov. Ai foli edhe për marrdhëniet e mira midis bullgarisë dhe shqipërisë dhe tha se “interesimi për të studjuar në Bullgari është rritur vitet e fundit”.

2Kurse Doktori i Shkencave për Artin, piktori Abaz Hado, foli për punimet në pikturë të Andon Kuqali i cili në vitin 2002, u nda nga jeta në moshën 78 vjeçare. “Piktori, studjuesi dhe petagogu shqiptar ka një linjë lidhëse me Bullgarine, sepse ai vertet e kishte shprehur talentin e vet në pikturë në moshë të re, madje që gjatë Luftës nëpërmjet ulustrimeve te buletineve të Luftës, por formimin e plotë e mori në Sofje, aty në Sofje të Bullgarisë, ai studjoi dhe mbaroj  Akademinë e Arteve të Bukura. Per këtë, sot që është 24-maji, Dita e Kulturës Bullgare dhe Shkrimit Sllav, hapim këtë ekspozitë me rreth 20 krijime në gjininë e pikturës, të Andon Kuqalit”, tha Hado.

Andon Kuqali ishte një intelektual me interesa të gjëra në fushën e artit, krijimit dhe studimit shkencor. Andon Kuqali ishte bashkëautor në botimet “Historia e artit shqiptar”, botuar në vitin 1988 dhe “Historia  artit botëror”, botuar në vitin 1989. Në vitin 1961 Kinostudio “Shqiptarja e re” realizoi dokumentarin për “Migjenin” dhe skenari u shkrua nga Andon Kuqali. Para vitit 1945 u pergatit dram “Vilhelm Tel” nga profesor Aleks Buda dhe skenografia u realizua nga Andon Kuqali.

Andon Kuqali nuk ishte njeri dogmatik, konservator, por me një ndjeshmëri të lartë e kuptonte kohën. Si Sekretar i kolegjumit të revistës “Nëndori” u shkarkua në dhjetor 1973, sepse kishte botuar vepra me koncepte që nuk ishin në përputhje me vijën e partisë si psh romanin dhe dramën e Petro Markos, “Një emër në katër rrugë” dhe “Niku i Martin Gjinit”. Ai u godit edhe sepse përkrahu piktorët e rinj.

Mund të thuhet se Andon Kuqali holli themelet e punimeve në grafikën shqiptare në vitet ’60. Ka shumë punime në grafike si: “Pranvera”, “Agimi”, “Fshatari”, “Plaka e menduar”, “Rrugicat e Beratit”, “Ura e Tabakut” në Tiranë, por edhe në pikturë si psh: “Motive lufte”. Ai ka ilustruar shume revista apo botime të tjera  si romanin “Udha e Valanit” të Kin Dushit në vitin 1955.

Familja e tij ka qënë e lidhur me Luftën Nacional Çlirimtare. Ju vranë dy vellezër në këtë luftë: Gjikë Kuqali vetem 23 vjeç, në vitin 1943 u pushkatua nga nazistët në kampin nazist në Prishtinë. Vëllai tjetër Thoma Kuqali vdiq në kampin nazist në Manthauz. Pas çlirimit, sistemi komunist i burgosi të atin: Kolë Kuqali, i cili ishte arsimuar në Amerikë, ishte në vitin 1945 deputet, ishte zv/drejtor i Bankës e Shqiperisë, ishte për një demokraci perëndimore. Ai kishte punuar si përkthyes në ambasadën amerikane deri në vitin 1939 dhe këto mjaftonin pë të ngritur akuzën: si “agjent i amerikanëve”. Brenda Ambasadës Amerikane në Tiranë, në vitin 2010 është ngritur një memorial nderimi ku është emri i Kol Kuqalit i cili nga torturat vdiq në burg vitin 1947.

Andon Kuqali konsiderohet kritiku i parë i arteve figurative. Ka bërë studime për Kol Idromenon, Spiro Xeken, Abdurrahmin Buzën, Vangjush Mion, Odise Paskalin, etj. Ka qënë studjues arti dhe petagog i shquar.

Siç e thamë edhe më sipër, Andon Kuqali ka mbaruar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Sofje-Bullgari. Andoni e mbrojti diplomën në mbarim të studimeve me tablonë “Kengë në burg”, të cilin e punoi në atelienë e petagogut të tij Deçka Uzunov.

Shkrimtari Kico Blushi e quan një “burrë të kulturuar”, duke kujtuar bisedat me Kuqalin,  atëhere redaktor në gazetën e Lidhjes së Shkrimtarëve “Drita” për të shpëtuar godinën e Shkollës së Parë Shqipe në Korçë nga ndërtimet e pallateve, etj. Kuratorja Suzana Varvarica e konsideron “Studjues arti dhe petagog i shquar”. Piktori Agim Faja,  “duke kujtuar njeriun e mirë e të dashur Andon Kuqali” shkruan se: “ishte njeri i mrekullueshem që dinte të ndërtonte marrëdhënie shumë të ngrohta me njerëzit”

Andon Kuqali zotëronte 5 gjuhë të huaja.  Një rrugë në Tiranë mban emrin e tij, Rruga “Andon Kuqali”.

Ded Kola

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button