DOHA – Katari heq dorë nga gazsjellësi për të anashkaluar Hormuzin, shpall investime mbi 60 miliardë dollarë
– Katari ka hedhur poshtë mundësinë e ndërtimit të një gazsjellësi, për të shmangur Ngushticën e Hormuzit, duke argumentuar se një zgjidhje e tillë nuk do të ishte ekonomikisht e leverdishme, sipas “Euronews”.
Ministri i Shtetit për Çështjet e Energjisë dhe drejtori ekzekutiv i “QatarEnergy”, Saad Sherida Al-Kaabi tha se disa vende fqinje i kanë ofruar Katarit mundësinë, për të transportuar gazin përmes territoreve të tyre.
Por, sipas tij, kjo nuk do të ishte një zgjidhje praktike. Gazi natyror nuk mund të eksportohet si LNG përmes një gazsjellësi të zakonshëm.
Katari do të duhej të ndërtonte impiante të reja në destinacion për ta kthyer gazin në LNG, duke përsëritur investime të mëdha që tashmë po bëhen në Katar.
Al-Kaabi kundërshtoi gjithashtu deklaratën e sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent, se Ngushtica e Hormuzit mund të humbiste rëndësinë brenda dy vitesh për shkak të krijimit të rrugëve alternative.
Ai e cilësoi këtë vlerësim si “plotësisht të gabuar”, duke theksuar se në Hormuz transportohen shumë lloje mallrash, jo vetëm naftë dhe gaz.
Dëmtimet kanë prekur eksportet e LNG-së
Zgjerimi i “North Field”, një prej projekteve kryesore të gazit të Katarit, synon të rrisë kapacitetin e prodhimit të LNG-së nga 77 milionë tonë në vit në 142 milionë tonë deri në vitin 2030.
Sulmet në Ras Laffan në muajin mars, dëmtuan dy njësi të prodhimit të LNG-së dhe ulën kapacitetin eksportues të Katarit me rreth 17%.
Sipas Al-Kaabit, riparimi i këtyre dy njësive mund të zgjasë tre vjet.
Për shkak të ndërprerjeve, ekonomia e Katarit është prekur gjithashtu.
Të dhënat zyrtare tregojnë se PBB-ja ra me 7% në tremujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Katari shpall mbi 60 miliardë dollarë mundësi investimi
Në Forumin Ekonomik të Katarit në Nju Jork, kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, njoftoi më shumë se 60 miliardë dollarë (rreth 52 miliardë euro) projekte dhe mundësi investimi për pesë vitet e ardhshme.
Plani përfshin, rreth 38, 5 miliardë dollarë (33,5 miliardë euro) projekte të reja infrastrukturore, përfshirë partneritete publike-private, si dhe rreth 22,5 miliardë dollarë (19,6 miliardë euro) investime private në pasuri të paluajtshme dhe sektorin e hotelerisë.
Në të njëjtën kohë, Katari ka krijuar platformën e re “Doha Investment” (Investimet në Doha), e cila do të menaxhojë dhe zhvillojë investimet vendase të fondit shtetëror “Qatar Investment Authority” (QIA) (Autoriteti i Investimeve të Katarit).
Platforma do të nisë me 45 kompani, që përfaqësojnë rreth një të tretën e aseteve vendase të QIA-së.
Ato operojnë në sektorë si financat, transporti, telekomunikacioni, teknologjia, pasuritë e paluajtshme, turizmi, ushqimi dhe bujqësia.
Qeveria e Katarit synon që përmes kësaj strukture, të tërheqë më shumë investime private dhe të zhvillojë sektorë të rinj, përfshirë teknologjinë e avancuar, prodhimin, zinxhirët e furnizimit dhe shëndetësinë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.