DOHA – Macron akuzon liderë të huaj për shfrytëzim politik të trazirave në Francë
– Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka akuzuar presidentin amerikan Donald Trump dhe liderë të tjerë të huaj se po shfrytëzojnë politikisht trazirat në Francë, duke përhapur informacione të manipuluara dhe deklarata të papërgjegjshme, sipas “The Guardian”.
Gjatë një vizite në Katar, presidendti Macron i cilësoi komentet e tyre si të papranueshme dhe të pamenduara.
I pyetur nëse i referohej presidentit amerikan, ai u përgjigj se Trumpi ishte ndër personat për të cilët po fliste.
Presidenti Trump ka fajësuar emigrantët, xhihadistët dhe komunistët për dhunën në Francë, ndërsa po zhvillon fushatë në mbështetje të Partisë Republikane përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Macron paralajmëroi se në internet po qarkullojnë imazhe të krijuara me inteligjencë artificiale, të cilat paraqesin ngjarje që nuk kanë ndodhur realisht.
Ai kundërshtoi pretendimet për një pushtim të Francës nga emigrantët dhe islamistët, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
Edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Franca po përballet me një “pushtim nga ekstremizmi islamik”.
Sipas raportimit, analistët kanë hedhur poshtë pretendimet se emigrantët janë shkaku kryesor i protestave.
Macron akuzoi disa liderë se po përhapin narrativa të caktuara për përfitime elektorale, duke e kthyer krizën franceze në një instrument për fushatat e tyre politike.
Trazirat shpërthyen pas demonstratave që fillimisht ishin kryesisht paqësore dhe lidhen me rritjen e kostos së jetesës, por më pas u shndërruan në akte dhune dhe plaçkitjeje në Paris, Marsejë, Lion dhe qytete të tjera.
Në Limozh, ndërtesa e bashkisë u përfshi nga zjarri dhe u dëmtua rëndë.
Qeveria franceze ka pranuar se humbi kontrollin mbi situatën gjatë trazirave të së shtunës, ndërsa kriza vjen vetëm gjashtë muaj përpara zgjedhjeve presidenciale që do të përcaktojnë pasuesin e Macronit.
Për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm, qeveria ka njoftuar një operacion të zgjeruar sigurie, me përforcime të mëdha policore dhe mundësinë e angazhimit të trupave ushtarake.
Macron deklaroi se vendi nuk ka nevojë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, pasi institucionet kanë mjetet e nevojshme për të kontrolluar situatën.
Ndërkohë, lëvizja e jelekëve të verdhë ka planifikuar një marshim në Paris për të shtunën, ndërsa studentët kërkojnë më shumë investime në arsim.
Sindikatat kryesore franceze kanë shpallur një mobilizim mbarëkombëtar më 5 nëntor.
Drejtuesja e sindikatës CGT, Sophie Binet, deklaroi se zemërimi qytetar kërkon një përgjigje politike dhe jo vetëm masa represive.
Trazirat në Francë, si dhe episodet e dhunës në Itali dhe Belgjikë, kanë shtuar shqetësimet për përhapjen e pakënaqësisë sociale në Evropë, në një kohë kur shumë vende përballen me rritjen e kostos së jetesës dhe vështirësi buxhetore. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.