Dokumentet e pronësisë, drejtuesit e institucioneve zbresin në Himarë
-Strukturat shtetërore po bashkëpunojnë në kuadër të rishikimit të të gjithë dokumentacionit për pronarët që preken nga ndërhyrja që do të bëhet për rikualifikimin urban në Himarë.
Përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkisë së Himarës, Hipotekës së Vlorës dhe ALUIZNI-t ishin në Himarë në kuadër të procesit të bisedimit me banorët që pretendojnë titujt e pronësisë në objektet që preken nga projekti i rikualifikimit urban.
I pranishëm në terren ishte edhe zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli sipas të cilit Himara, sikurse e gjithë zona rreth e rrotull, është më e vonuar përsa i përket hedhjes në sistem të të dhënave për tokën.
“Është menduar nga qeveria shqiptare, me mbështetjen e pushtetit lokal, që ky projekt për rikualifikimin urban të shërbejë edhe si një projekt pilot për regjistrimin e pronave të njerëzve që kanë pretendime. Bëj një apel të fundit në mënyrë që sot një javë të jenë në dispozicion të këtyrepretendentëve për prona të cilët kanë dokumentet. Ti paraqisin këto dokumenta të enjten tjetër në mjediset që do të vërë në dispozicion bashkia. Një gjë është e qartë dhe e sigurtë që ky projekt do të vazhdojë dhe nuk ka kthim prapa të projektit”, nënvizoi Shkreli.
Ai garantoi qytetarët e Himarës se qeveria shqiptare i ka marrë të gjitha masat, ka nxjerrë dhe fondin e dëmshpërblimit duke llogaritur sikur të gjithë pronarët do të hipotekojnë pronat e tyre.
“Këto do ti marrin padyshim ata që do ta çojnë procesin deri në fund. Projekti do të vazhdojë në atë formë që është miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit i cili në vetvete ka marrë parasysh edhe sugjerimet që kanë ardhur nga konsultimet me publikun dhe aktorët që preken ose ndihmohen nga ky projekt”, insistoi Shkreli.