Doris Pack: Zgjedhjet vendore, PD-ja përfaqësimi i grave 20 % e kandidatëve dhe 50% e këshilltarëve
Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë së bashku me Fondacionin Konrad Adenauer për Shqipërinë, organizuan takimin “Gruaja dhe rinia shqiptare, sa afër dhe larg Europës”
Fokusi i takimit në këtë forum të hapur ishte roli i gruas dhe rinisë shqiptare në përpjekje për t’u identifikuar si një zë kuptimplotë i shoqërisë në radhë të parë në vend e më tej në Bashkimin Evropian.
Në forum mori pjese edhe presidentja e Forumit të Gruas së Partive Popullore Europiane, Doris Pack. “Zgjedhjet lokale po afrojnë. 20 % e kandidatëve të Partisë Demokratike në zgjedhjet për qeverinë lokale do të jenë gra dhe vajza, ndersa ne këshillat bashkiake, 50 % e kandidateve do te jene gra dhe vajza”, theksoi ajo.
Doris Pack u shpreh gjate aktivitetit se “Jam këtu për të inkurajuar kandidimin e grave për këshillat bashkiakë. Nuk ka rëndësi sa i madh është qyteti juaj, e rëndësishme është që ju të jeni aty, sepse ju aty jetoni. Fëmijët tuaj aty kanë shkollën. Ju aty kujdeseni për të moshuarit. Në qytetin tuaj ju përballeni me problemet dhe nëse jeni në vendimmarrje do të loboni për zgjidhjen”.
Kryetaria e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi, ka publikuar në rrjetin social një album nga aktiviteti i nismës “Gruaja dhe rinia shqiptare, sa afër dhe larg Europës”, si një mesazh i qartë i politikës për pjesëmarrjen e grave në politikë.