Drafti i PS/ Edhe Këshilli Bashkiak i Korçës voton pro dhe miraton me 26 vota Reformën Territoriale dhe bashkimin me Maliqin
Këshilltarët bashkiakë të Korçës kanë diskutuar propozimin për ndarjen administrative territoriale të njësive të qeverisjes vendore.
Sipas këtij propozimi, bashkisë së Korçës i bashkohet edhe bashkia e Maliqit. Për këtë arsye, Këshilli Bashkiak paraprakisht ka zhvilluar disa dëgjesa me banorët e njësive administrative, duke marrë edhe mendimet e tyre.
Sipas kryetarit të grupit të këshilltarëve të majtë, Petrika Tollkuçi, 75% e banorëve kanë qenë pro reformës.
Në mbledhjen e këshillit u shfaqën mendime të ndryshme nga këshilltarët: të djathtët kundër bashkimit me Maliqin, ndërsa të majtët pro këtij bashkimi.
“Kjo është në shkelje totale të kushtetutës, për faktin që niset si projektligj dhe pastaj bëhen dëgjesa, e më pas u dërgohet mendimi bashkive. Nuk ka konsensus politik normal, nuk ka as konsensus qytetar.” – Mirela Qeleshaj, këshilltare
“Unë jam kundër, e gjej të pavend, të paargumentuar, aspak teknike, por as politike.” – Lazjon Petri, këshilltar
“Mua më bie erë të keqe interesi elektoral kjo reformë.” – Irvin Bode, këshilltar
“Qytetarët do të kenë më pak akses dhe kërkesat e tyre, hallet e tyre do të kenë shumë më shumë vështirësi për t’u zgjidhur.” – Elvin Bregu, këshilltar
“Bashkitë e Korçës dhe të Maliqit, përveç orientimit bujqësor, kanë ngjashmëri dhe kohezion social e kulturor me njëra-tjetrën. Kështu që bashkimi i tyre në një të vetme do të jetë i natyrshëm dhe mjaft funksional.” Petrika Tollkuçi, kryetar i grupit të këshilltarëve të majtë
Pas diskutimeve, propozimi për reformën administrative territoriale u miratua me 26 vota pro dhe 5 kundër.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.