Hamza për presidentin: PDK-ja mund t’i përshtatë qëndrimet, jemi në rrethana të reja
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se zhvillimet politike pas 16 shtatorit kanë krijuar rrethana të reja, mbi bazën e të cilave partia mund t’i përshtatë qëndrimet e saj edhe sa i përket zgjedhjes së presidentit.
Hamza i bëri këto deklarata pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, ku u pyet nëse qëndrimi i partisë për zgjedhjen e presidentit mund të ndryshojë në bazë të situatës së krijuar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
“Jemi në rrethana të reja. Jemi në rrethana të reja, jemi në gjendje të re, një gjendje që nuk ka të bëjë veç me të kaluarën, nuk ka të bëjë me individë, ka të bëjë me shtetin dhe ka të bëjë me të ardhmen e shtetit”, tha Hamza.
Ai shtoi se, mbi bazën e këtyre rrethanave, PDK-ja do t’i përshtatë qëndrimet për çështjet që lidhen me të ardhmen dhe stabilitetin e shtetit.
“Dhe mbi bazën e këtyre rrethanave të reja ne normalisht se i ndërrojmë edhe i përshtatim edhe qëndrimet tona për çështje të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen dhe me stabilitetin e shtetit”, u shpreh ai.
I pyetur nëse PDK-ja do ta mbështeste një kandidat për president nga Lëvizja Vetëvendosje, Hamza tha se nuk dëshiron të flasë për skenarë hipotetikë pa një propozim konkret.
“Nuk muj me folë mbi hipotetike, para se me ardhë kjo temë”, tha ai.
Kreu i PDK-së bëri të ditur se është i gatshëm të zhvillojë takime me liderët e partive politike për çështjet me rëndësi për vendin. Ai konfirmoi se tashmë është takuar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e AAK-së, Ardian Gjini.
“Unë jam taku dhe jam i gatshëm me u taku, jam taku me kryetarët e tri partive politike, edhe me zotin Kurti, edhe me zotin Abdixhiku, edhe me zotin Gjini, jam në komunikim dhe është krejt normale që për tema kaq të rëndësishme, sfiduese e kaq të rëndësishme për vendin që të ketë takime”, deklaroi Hamza.
PDK-ja në ditët e fundit ka theksuar nevojën për bashkëpunim ndërpartiak lidhur me zhvillimet pas aktgjykimit të 16 shtatorit dhe ka bërë të ditur se do të përcaktojë hapat e mëtejshëm në bazë të situatës së krijuar. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.