Drejtësi për spektakël, ndëshkim pa gjyq dhe një ‘grusht kockash’?!
Drejtësia e re në Shqipëri ka qënë dhe vijon të mbetet, ndonëse me pak rezerva tashmë, një shpresë për shqiptarët, të cilët kanë kërkuar gjithnjë dhënien fund pandëshkueshmërisë në këtë vend! Dhe fjala është për dhënien llogari të zyrtarëve të lartë, të akjuzuar për abuzime! Nisja e disa hetimeve nga ana e Prokurisë së Posaçme, për zyrtarë të profilit të lartë politik dhe shtetëror, diku nga qejfi dhe inati, diku nga zori dhe e detyruar nga gjykatat ndërkombëtare, duket sikur e kanë ‘ngrohur’ pak ambientin politik dhe shoqëror shqiptar, duke krijuar shpresë! Ndonëse shqiptarët nuk po e përtypin dot faktin se dosjet e rënda të korrupsionit të përgjakshëm, të shoqëruar me humbje jetësh të pafajshme, përmendim këtu tragjedinë e Gërdecit dhe vrasjet e 21 janarit 2011, ku nga dora e shtetit humbën jetën 30 njerëz të pafajshëm, po zvarriten pa fund, deri në dhimbje! Megjithëatë, ende ka shpresa se mund të ndodhë ‘mrekullia’! Këtë element kanë kapur dhe drejtuesit e komunikimit me mediat të SPAK, teksa duke shfrytëzuar etjen e masës së gjërë të popullsisë për ‘sakrificë’, kanë hedhur në publik copëza nga dosjet e rënda të cilat janë nën hetim, me një selektim perfekt, duke evidentuar pikërisht ‘ushqimin’ që kërkon turma! Dhe për hir të së vërtetës nuk ia kanë kursyer përfaqësuesit e drejtësisë së re këtë ‘ushqim’ shqiptarëve, madje deri në mërzi! Kanë përzgjedhur deri në nxjerrje jashtë kontestit pikërisht ato elementë njerëzore, që kanë të bëjnë me biseda diskrete, të vërteta ose të sajuara, apo dhe gjëra të tjera të këtij lloji, pa shumë lidhje me aktakuzën ndaj zyrtarit të radhës, për t’ia përcjellë gazetarëve që punën e vetme që dinë kanë atë të qëndrimit në dyert e SPAK duke pritur çfarë mund të ‘hidhet’ nga zyrat e komunikimit, pakica e pakicës së armatës së gazetarëve që rrinë në dyert e SPAK mund të themi, për t’i hedhur pastaj në publik si lajme që kanë ‘rrjedhur’ nga dosja e të akuzuarve! Çuditërisht ‘rrjedhin’ vetëm informacione nga dosjet në ngarkim të zyrtarëve që vijnë nga radhët e të majtës, dhe nuk ‘pikon’ asgjë nga dosjet në ngarkim të Berishës, dhëndrit të tij apo njerëzve të lidhur me liderin e PD! Ato bllokohen që në gjenezë! Ritheksojmë, se mendojnë se mbajnë këta të majtët! Dhe e dinë që ‘mbajnë’ të majtët, pasi kanë sakrifikuar në ekstrem, vetëm e vetëm për të mbyllur ato të bekuara negociata brenda 2027-tës dhe për të bërë anëtarësimin deri më 2030, qoftë dhe me kosto fatale e ndoshta të pamerituara në radhët e mazhorancës së PS. Gjithsesi një ‘dorovitje’ e tillë e organizuar në publik e lajmeve të selektuara sipas një skenari mirëfilli për të dhënë spektakël, ka krijuar të gjitha kushtet që për zyrtarët e akuzuar të fillojë linçimi publik, duke shkatërruar nocionin e prezumimit të pafajësisë dhe duke dhënë pretencën popullore dhe me ndihmën e mediave, për një dosje e cila ende është në fazën e parapërgatitjes në ngarkim të zyrtarit, i cili është dërguar ‘fishek’ në qeli, ende pa një akuzë mbi kurriz! Nuk duam të biem në përsëritje se tashmë numri i lartë i zyrtarëve të dërguar në burg pa gjyq nuk ka shqetësuar vetëm ata vetë e familjarët e tyre, por dhe organizmat ndërkombëtarë, të cilët më se njëherë kanë bërë thirrje që arresti me burg të jetë masa e fundit që mund të merret. Pra kur s’ka asnjë mundësi tjetër! Madje ndërkombëtarët kanë kërcënuar Shqipërinë, jo drejtësinë për hir të së vërtetës, se mund të bëhet kosto politike dhe për negociatat e anëtarësimit në BE të Shqipërisë, një numër kaq i lartë i personave të dërguar në paraburgim, pa gjyq, në pritje ttë gjetjes së ndonjë prove rrugës! Por drejtësia jonë e re ka statistikë për të plotësuar, do shifra! Dhe një iniciativë e Gjykatës ë Lartë për të për të rishqyrtuar vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e saj, pavarësisht se është gjëja më e mirë që mund të ndodhë në këtë situatë, është shumë shumë e vonuar e nuk dihet ende se kur do të jetë në funksion të pakësimit të paraburgimeve të panevojshme! Se jo vetëm që shkatërrohen njerëz, familje dhe karriera në këtë rast, por dëmtohet edhe buxheti i shtetit, pasi në vend që të ushqehet vetë dhe të mos ketë nevojë për roje deri në momentin e gjykimit, duke mbajtur madje dhe familjen përmes punës, një zyrtar i lartë i akuzuar, pa pasaporte dhe mendje për të ikur, do të jetë për një afat të pacaktuar barrë për shtetin shqiptar! Njëherësh, dhe një ndryshim në ligj për të shkëputur përfundimisht Gjykatën nga ‘kthetrat’ e Prokurorisë së Posaçme, e cila e përgjon kudo, deri dhe në krevat si dhe i bën vlerësimin e punës gjyqtarit, nuk e dimë se përse po vonohet aq shumë, apo më saktë nuk e dimë se çfarë kërkojnë ata që e kanë marrë përsipër këtë punë dhe që nuk po e bitisin! Sepse në Shqipëri, me këto që po ndodhin me drejtësisnë e re dhe prokurorët e posaçëm, koncepti i bërjes drejtësi në këtë vend po ngatërrohet me dashje me punën e SPAK. Ndërkohë që është Gjykata, ajo që në të vërtetë duhet të japë drejtësi si kudo në planet, organi i akuzës është palë, nuk quhet. Madje Gjykata cilësohet dhe trajtohet si ‘notere’ e SPAK, për çdo kërkesë të prokurorëve të posaçëm! E ka pranuar publikisht Dumani, kur ishte kreu i SPAK këtë gjë! Fundja gjykatësit kanë frikë për karrierën e tyre, kanë bërë dhe ndonjë zullum ndoshta e SPAK që ‘vëzhgon’i ka të dokumentuara gjërat, duke i bërë të ‘kërcejë prifti nga belaja’! Kjo është tragjedi në fakt! Por, që të jemi korrektë, nisja e hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, është një sukses nga ana e drejtësisë së re! Duhet ta pranojmë, pasi më parë as që i shkonte mendja njeriu të futej nëpër këto kasavetet e hetimit apo gjykimit të zyrtarëve apo ish zyrtarëve të lartë! Por, për hir të së vërtetës, e themi këtë me pak rezerva, sepse kur vjen puna tek Berisha i ‘kërrusur’ nga akuzat, deri dhe vrasje shtetërore, këtyre prokurorëve tanë të posaçëm sikur u ikën gjuha, as emrin nuk guxojnë t’ia përmendin. por ama e përgjithshmja është pozitive! Kanë vrarë frikën prokurorët! Këtu ‘heronjtë tanë’ sikur e humbin shkëlqimin, por ama e ruajnë heshtjen, dhe kur Berisha i merr dhe i shan e kërcënon me ‘libër shtëpie’! Janë seriozë në heshtjen e tyre! Ajo që kërkojnë tani, shqiptarët kanë evoluar shumë dhe nuk duan vetëm telenovela të lodhura, por duan dhe drejtësi në këtë vend, madje dhe kthim parash nëse zyrtarët e shtetit kanë guxuar dhe kanë prekur arkën e shtetit. Pra shqiptarët kërkojnë cilësi në hetim por dhe në gjykim! E mbi të gjitha, kërkojnë që hetimi dhe dënimi të bëhen me prova dhe fakte të qëndrueshme dhe të pakontestueshme, për t’i dërguar aty ku e kanë vendin, në kokërr të burgut, të gjithë ata që kanë abuzuar me paratë e shtetit! Nuk duan të falet asnjë zullumqar, nëse është fajtor me tamam! Por ama shqiptarët kanë qënë gjithnjë të drejtë, dhe me kundërshtarët e tyre! Prandaj kanë kërkuar dhe kërkojnë gjykim të drejtë dhe mbi të gjitha trajtimin e këtyre zyrtarëve të akuzuar, madje dhe të burgosur ende pa marrë dënimin, si njerëz dhe jo si plehra! Të gjykohen për atë që kanë bërë dhe jo të ndëshkohen që në qelitë e paraburgimit, ende pa ngritur akuzat! Të mos vihen nën presion psikologjik e të mos ketë ndëshkime fizike, deri dhe në izolime, të padenja për një qenie njerëzore! Mbi të gjitha nuk duan që të linçohen dhe ‘dënohen’ me gjyqe publike, ende pa u dhënë pretenca zyrtare apo dënimi përfundimtar! Deri atëherë sipas ligjit ata janë të pafajshëm! Duhet të kuptohemi dhe të ndajmë akuzën dhe zullumin që mund të kenë bërë nga njerëzorja! Shqiptarëve nuk u dhimbsen zyrtarët e lartë si zyrtarë, pasi shqiptarët duan që ata të marrin dënimin që meritojnë nëse janë të fajshëm, ose të lirohen, nëse shpallen të pafajshëm. Por ama, duhet të trajtohen si njerëz! Nuk është rastësi që u arrit deri aty sa të gjithëve u ka rënë në sy, madje me dhimbje, gjendja aspak dinjitoze dhe shëndetësore e Ilir Metës, i cili ka qënë kryeministër, kryetar parlamenti dhe President i Shqipërisë! Për këtë periudhë po hetohet dhe pritet të gjykohet, jo për kohën e fëmijërisë kur ka vjedhur ndonjë kumbull te ana e komshiut! Nuk gëzoi askënd katandisja e Metës në atë gjendje të rëndë, e cila rezatonte tërë stresin, presionin psikologjik dhe rëndimin fizik të tij! Duke arritur deri atje, sa dhe ata që kanë lutur Zotin dhe robin që Meta të përfundojë në burg, të ndjejnë keqardhje, madje ta shohin dhe me sy tjetër. Duke kthyer në bumerang punën e prokurorëve dhe institucioneve të tjera! Po ashtu dhe kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që për hir të së vërtetës me atë që kemi parë në ato daljet e pakta publike nga qelia në sallën e gjyqit, ishte tjetërsuar! Apo ish ministri Ilir Beqaj, ish ministri Lefter Koka, ish kryetarë bashkish apo ish deputetë, që kanë kaluar kalvarin e përballjes me drejtësinë e re dhe dikush dhe qelitë e burgut, me apo pa vendim gjykate! Mund të përmendim pafund këtu, që nga ish ministri i Brendshëm Tahiri e deri tek të tjerët brenda apo jashtë burgut, të cilët po përballen mbi të gjitha me presionin e jashtëzakonshëm, të prokurorëve dhe të medias, të cilët ende pa kaluar në gjykatë, i kishin etiketuar si të korruptuar, kriminelë apo abuzues me pushtetin! Kanë familje dhe ata, kanë rreth shoqëror dhe mbi të gjitha kanë pasur një karrierë të arritur me mund dhe sakrifica! Nuk themi që të falen për këtë arsye, por të hetohen e të gjykohen si njerëz, me prova dhe fakte dhe pa u linçuar publikisht! Siç bëhej në kohën e Enverit, që nga organizata e Frontit e deri në gjykimin me gjyq popullor! E themi këtë sepse drejtësia nuk bëhet në vetëvete thjeshtë e vetëm për ndëshkim në fund herës, përtej vendimit final. Hetimi për një vepër të caktuar penale në fund të fundit nuk është një mënyrë se si duhet ta konsumojë njeriun deri në atë farë feje, sa ta katandisë një ‘grusht kockash’ dhe në fund të herës ta përdorësh rëndshëm për spektakël! Dhe për statistikë! Por dhe duke e lëshuar individin, qoftë dhe zyrtar ky, në dorën e horrave për një linçim popullor, ku prezumimi i pafajsisë në këtë rast është një ‘mish i huaj’ në ‘sektorin’ e drejtësisë shqiptare! Sepse në fund të herës vjen dhe dita e gjykimit dhe këto paraburgimet po vertetohen ditë pas dite se kanë qënë një bllof i fortë, për të fituar kohë dhe gjetur proivat rrugës, nëse gjenden, kundër personit të piketuar për të mbushur statistikat! Thoma Gëllçin e masakruan për diçka që kishte në mendje të bënte sipas akuzës, por që nuk arriti! Ish ministrin Tahiri e torturuan për vite me radhë duke i faturuar akuzat më ekstreme, deri dhe grup të strukturuar kriminal, i shkatërruan karrierën, i shkatërruan jetën dhe në fund e dënuan për shpërdorim detyre! Gjysma e administratës, po të jetë puna, dënohet për shpërdorim detyre! Si Tahiri! Një shef qarkullimi rrugor, oficer karriere në polici, e plasën në burg një vit pa akuzë, dhe në fund mori pafajësinë! Po kështu ish kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, Joniad Muzyri, u thirr në SPAK, u akuzua dhe çfarë nuk u tha për të, u linçua deri duke u marrë dhe me paraqitjen e tij fizike, më saktë gjatësinë. U linçua dhe u degjenerua pikërisht nga ata, në drejtësi dhe media, që janë ku thërret qameti për nga pamja fizike. U shpall hajdut nga këta linçues, iu ‘prenë’ dhe vitet e burgut, pavarësisht se vinte nga ekselenca dhe kishte zgjedhur të jetonte dhe kontribuonte në Shqipëri! Tani mori pafajsinë! Po sikur nesër të marrin pafajsinë që nga Meta, e deri tek Veliaj e Beqaj! Apo të shpallet e pafajshme Balluku, ish zv.kryeministrja shqiptare me të cilën u sollën dhe po sillen barbarisht, pavarësisht se ende nuk ka akuzë për korrupsion, por vetëm një akuzë për shkelje të barazisë në tendera, pavarësisht se nuk është mbyllur dosja! Ajo që pyesim në fund të herës, pas gjithë këtij linçimi publik që po u bëhet njerëzve nën hetim, nga ana e ‘triumviratit’ Prokurori-media-politikë, dënimi pa gjyq të këtyre zyrtarëve të akuzuar, nëse ata marrin pafajësinë, kush ‘paguan’ për shkatërrimin total të tyre! Kush mban përgjegjësi për ‘dënimin’ e tyre pa gjyq, sepse në radhë të parë janë njerëz, kanë qënë tërë kohën nën hetim me damkën e ‘hajdutit’ në ballë të vënë me pa të drejtë, të ekspozuar para fëmijëve të tyre, prindërve, vëllezërve e motrave, miqve dhe të afërmëve, kolegëve, eprorëve. vartësve apo shqiptarëve! Kush ua kthen jetën e tyre të marrë nëpër këmbë me pa të drejtë! Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këto gjyqe popullore dhe dënime pa asnjë vendim gjykate! Drejtësia e re duhet të ballafaqohet fillimisht me veten profesionalisht që të mos burgosë njerëz për statistikë, të mos sillet me arrogancë me të akuzuarit dhe të mos i ndëshkojë ata pa gjyq! Njëherësh duhet të ballafaqohet dhe me publikun që pret prej kësaj drejtësie që të bëhet drejtësi, jo të dëgjojë e lexojë copa akuzash dhe bisedash pa lidhje në media, që më shumë trullosin publikun e lodhur me këtë çasje se sa tregojnë me prova e fakte se besimi i shprehur për këtë drejtësi ka qënë i drejtë! Bashkë dhe me paratë e hedhura për ta mbajtur këtë drejtësi në këmbë, që të mos i quajnë para të shkuara dëm! Një zgjidhje të cilën e ka gjithë bota është, ajo që të bëhet transparencë e plotë e gjykimit të zyrtarëve të lartë, të jepen gjitha seancat live, nga salla e gjyqit! Gjykojnë vetë shqiptarët për drejtësinë, teksa e dëgjojnë drejpërdrejt atë që thotë prokurori, provat që sjell ai, atë që thotë i akuzuari e avokati i tij, kundër provat që sjellin ata dhe atë që vendos gjykata, si institucioni i vetëm që jep drejtësi, pasi ka bërë balancat e provave dhe fakteve palëve në gjykim! Forcohet dhe besimi te drejtësia kështu! Janë të paktë tashmë ata që duan spektakël, ndëshkim pa gjyq dhe njerëz të katandisur në ‘një grusht kockash’ nga keqtrajtimi i drejtësisë! Duan thjeshtë dhe vetëm drejtësi! Pasi një ditë, larg qoftë, çdo shqiptar mund të jetë dhe vetë në këtë situatë! Dhe kur ua bëjnë njerëzve të fortë të politikës, e imagjinojnë se çfarë u ndodh atyre, të thjeshtëve shqiptarë!



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.