Për diplomatët që ‘zgjodhën’ ta quajnë revolucionin e studentëve Antifa

Kur Rama & Co. e quajtën revolucionin e studentëve Antifa, me qëllim ta barazonin revoltën në Shqipëri si në vendet e tjera europiane Itali apo Francë, shumica e protestuesve dhe popullit opozitar as e dinin se çfarë ishte Antifa. Ky përcaktim në retorikë i shërbente regjimit të Ramës të fshinte thelbin e protestës dhe të kërkonte “mbrojtjen” e vendeve të BE-së dhe SHBA-së, si një fenomen që kishte prekur edhe Shqipërinë.
Protesta e studentëve në Shqipëri është kundër korrupsionit, kapjes së shtetit, lidhjes së politikës me krimin e organizuar, ku regjimi me arrogancë shpërdoron fondet publike dhe e nxori vendin në shitje në favor të oligarkëve dhe grupeve të interesit që i siguronin pushtetin.
Rinia Shqiptare kërkon që politikat anti-kombëtare të shpopullimit të ndalohen dhe ata të kenë kushte të studiojnë, punojnë dhe jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.
Të ngrihesh kundër këtyre fenomeneve negative që kanë kapur funksionimin e shtetit Shqiptar është e drejtë themelore e cdo qytetari dhe nuk afrohen me lëvizjet ideologjike të ekstremit të majtë në demokracitë e konsoliduara perëndimore. Për ta bërë më të kuptueshëm, shqiptarët nuk kanë shtet por një bandë që i udhëheq dhe e ka kthyer Shqipërinë në lavatricen e pastrimit të parave të pista të mafias dhe krimit të organizuar. Ndërsa ANTIFA është lëvizje radikale e ekstremit të majtë brenda demokracive funksionale në shtetet perëndimore.
Lind pyetja: – Pse diplomatët perëndimorë kanë “zgjedhur” që ta quajnë revoltën e studentëve shqiptarë një lëvizje Antifa? Pse Edi Rama përmend që jemi sulmuar si pjesa tjetër e demokracive europiane?
Arsyeja të drejton drejt këtij shpjegimi:
a) Janë të paaftë të kuptojnë realitetin, apo kanë mungesë informacioni
Kjo tezë bie se ata janë të aftë dhe me informacion mëse të plotë.
b) Kërkojnë stabilitet në funksion të krizave të shumta dhe situatës së komplikuar gjeopolitike, për të mos hapur një vatër të re konflikti në Ballkan
Ky qëndrim është shumë i gabuar dhe miop, për arsye se realiteti kërkon një zgjidhje të shpejtë për të ndaluar një diktaturë të re në zemër të Europës, ku instalimi i të cilës do ti krijojë një problematikë akoma më të madhe në të ardhmen e afërt. Është pikërisht goditja e regjimit që do të sigurojë të ardhmen perëndimore të Shqipërisë.
c) Blerja e influencës nga regjimi më i korruptuar në botë. Kjo tezë po zë vend gjithmonë e më shumë në opinionin publik Shqiptar, duke njohur karakterin korruptiv të regjimit i evidentuar në korruptimin e McGonigal, burokratëve të Brukselit, apo aferave korruptive me gazin amerikan nëpërmjet ndërmjetësit grek të Aktor, Tigrat 1 dhe 3, afera kundër vetë ekonomisë amerikane, Aeroporti i Vlorës, etj., etj.
Rama përpiqet të luajë rolin e pranueshëm të klientelistit me partnerët tanë, por qëllimi i tij është të tregojë që të gjithë janë njësoj dhe mosveprimi i BE tregon një mbrojtje në heshtje se çfarë ndodh në Shqipëri. Kjo gjë duhet ndaluar menjëherë, që qytetarët Shqiptarë të mos humbin besueshmërinë në institucionet e Bashkimit Europian, në vlerat dhe parimet e tij.
Si përfundim, Antifa s’ka të bëjë me revoltën studentore në Shqipëri ku të rinjtë luftojnë për të ardhmen e tyre perëndimore, për liri, dinjitet dhe kundër instalimit të narko-shtetit. Për më tepër, diplomatët perëndimorë duhet ta kenë të qartë që në Shqipëri për më shumë se 13 vjet në pushtet është një qeveri socialiste tepër e majtë, me politika hapur të ekstremit të majtë si wok-izmi, apo politika ekstremisht liberale të migracionit.
ANTIFA është vetë sekti i Rilindjes. Vlerësojeni këtë situatë dhe mos bini pre’ e justifikimeve të Autokratit, i cili beson se mund të blejë dhe kontrollojë çdo mesazh që mund të vijë nga Shqipëria.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.