🌦️
Tiranë 19°C · Rrebesh i lehtë 21 Tetor 2026
S&P 500 7,757 ▲0.58%
DOW 52,856 ▲0.69%
NASDAQ 26,703 ▲1.05%
NAFTA 97.92 ▲0.1%
ARI 4,152 ▲0.23%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1227 EUR/GBP 0.8401 EUR/CHF 0.9267 EUR/ALL 90.8997 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4381 EUR/TRY 55.6898 EUR/JPY 177.64 EUR/CAD 1.5781 EUR/USD 1.1227 EUR/GBP 0.8401 EUR/CHF 0.9267 EUR/ALL 90.8997 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4381 EUR/TRY 55.6898 EUR/JPY 177.64 EUR/CAD 1.5781
₿ CRYPTO
BTC $84,533 ▲ +2.32% ETH $2,493 ▲ +2.23% XRP $1.3926 ▲ +4.78% SOL $108.1900 ▲ +2.01%
S&P 500 7,757 ▲0.58 % DOW 52,856 ▲0.69 % NASDAQ 26,703 ▲1.05 % NAFTA 97.92 ▲0.1 % ARI 4,152 ▲0.23 % S&P 500 7,757 ▲0.58 % DOW 52,856 ▲0.69 % NASDAQ 26,703 ▲1.05 % NAFTA 97.92 ▲0.1 % ARI 4,152 ▲0.23 %
EUR/USD 1.1227 EUR/GBP 0.8401 EUR/CHF 0.9267 EUR/ALL 90.8997 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4381 EUR/TRY 55.6898 EUR/JPY 177.64 EUR/CAD 1.5781 EUR/USD 1.1227 EUR/GBP 0.8401 EUR/CHF 0.9267 EUR/ALL 90.8997 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4381 EUR/TRY 55.6898 EUR/JPY 177.64 EUR/CAD 1.5781
21 Tet 2026
Breaking
Opinion

E gjithë historia e njerëzimit është një protestë

Nga THOMA GËLLÇI

Një miku im në Facebook, të cilin e vlerësoj për dijet, kulturën dhe humorin e tij, shkroi sot në mëngjes një mendim që më bëri të ndalem. Ai shkruante:

“Historia na ka mësuar në mënyrë të përsëritur se nga protestat dhe demonstratat nuk kanë përfituar kurrë protestuesit apo demonstruesit. Përfituesit nga protestat jetojnë në tjetër vend. Dhe ashtu si Revolucioni ha bijtë e vet, edhe Protestat hanë protestuesit e vet.”

E kuptoj zhgënjimin që qëndron pas këtij mendimi. Historia njeh shumë protesta të tradhtuara, shumë idealistë të mashtruar dhe shumë politikanë që kanë përfituar nga sakrificat e të tjerëve. Edhe ne shqiptarët kemi përvojën tonë në këtë drejtim. Mjafton të kujtojmë se çfarë kërkuan studentët në dhjetor dhe çfarë bënë më pas disa prej politikanëve që erdhën në pushtet. Po t’i gjykonim protestat vetëm nga sjellja e këtyre politikanëve, do të na duhej të pranonim se studentët gabuan që kërkuan demokracinë.

Por a ka të drejtë miku im? Unë mendoj se jo. Madje, historia na mëson pikërisht të kundërtën. Pothuajse çdo e drejtë e rëndësishme që gëzojmë sot është fituar sepse dikur disa njerëz kundërshtuan atë që pushtetarët e konsideronin normale. Nëse njerëzit nuk do të kishin protestuar, sot mund të kishim ende mbretër që sundonin pa kufi, gra pa të drejtë vote dhe punëtorë që punonin nga gjashtëmbëdhjetë orë në ditë. Ndoshta do të kishim edhe ndonjë qeveri që do të na shpjegonte se kjo gjendje ishte në interesin tonë.

Në një kuptim të gjerë, e gjithë historia e përparimit të njerëzimit është një protestë kundër padrejtësive dhe kundër atyre që nuk kanë dashur të ndryshojnë asgjë.

Që në Romën e lashtë, rreth dy mijë e pesëqind vjet më parë, njerëzit e zakonshëm u ngritën kundër aristokratëve që mbanin pushtetin. Ata u larguan nga qyteti dhe refuzuan të kryenin detyrimet e tyre. Sipas historisë romake, kjo protestë çoi në krijimin e një institucioni që mbronte qytetarët e zakonshëm nga abuzimet e pushtetarëve. Pra, edhe në atë kohë njerëzit e kishin kuptuar se të prisje drejtësi vetëm nga mirësia e sundimtarëve nuk ishte ndonjë zgjidhje shumë e sigurt.

Disa shekuj më vonë, në Anglinë mesjetare, një grup baronësh e detyruan mbretin të pranonte kufizime të pushtetit të tij. Nuk bëhej fjalë për demokraci dhe as për barazi të të gjithë qytetarëve. Baronët mbronin kryesisht interesat e tyre, por nga ajo përplasje lindi një parim që më vonë mori rëndësi të madhe: edhe mbreti duhet t’u nënshtrohet disa rregullave. Për kohën ishte një ndryshim i rëndësishëm, sepse mbretërit nuk kishin ndonjë dëshirë të veçantë t’u jepnin llogari të tjerëve.

Në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë, kolonistët amerikanë u ngritën kundër politikave të Britanisë së Madhe. Protestat u pasuan nga lufta për pavarësi dhe krijimi i Shteteve të Bashkuara. Pothuajse në të njëjtën periudhë, francezët u ngritën kundër monarkisë absolute dhe privilegjeve të aristokracisë. Revolucioni Francez pati dhunë, viktima dhe shumë padrejtësi. Disa nga drejtuesit e tij përfunduan në gijotinë, por ndryshimet që solli ndikuan në zhvillimin politik të Evropës dhe në përhapjen e ideve për të drejtat e qytetarit.

Këtu qëndron edhe gabimi i parë në arsyetimin e mikut tim. Ai e gjykon vlerën e protestës nga fati personal i protestuesve dhe jo nga ndryshimet që ajo sjell në shoqëri. Një protestues mund të përfundojë në burg, ndërsa kërkesa për të cilën ai protestoi mund të kthehet më vonë në një të drejtë që e gëzojnë miliona njerëz. Të thuash se protesta dështoi vetëm sepse ai njeri vuajti, do të thotë të mos marrësh parasysh rezultatin.

Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, miliona punëtorë në Evropë dhe Amerikë punonin dymbëdhjetë deri në gjashtëmbëdhjetë orë në ditë. Edhe fëmijët punonin në fabrika dhe miniera. Punëtorët organizuan greva dhe protesta për të kërkuar ditën tetëorëshe, kushte më të mira dhe mbrojtje nga abuzimet e pronarëve. Në Çikago pati përplasje të dhunshme, viktima dhe dënime të rënda ndaj drejtuesve të lëvizjes.

U deshën shumë vite përpjekjesh që dita tetëorëshe të bëhej një standard i rëndësishëm në shumë vende. Sot miliona punëtorë përfitojnë nga kjo e drejtë, edhe pse shumica nuk i dinë emrat e njerëzve që protestuan për të. Me sa duket, pronarët e fabrikave nuk e kishin menduar vetë se punëtorët kishin nevojë edhe të pushonin. U desh t’ua kujtonin me greva.

Edhe e drejta e grave për të votuar nuk erdhi nga ndonjë vendim bujar i burrave që drejtonin shtetet. Për shumë dekada, gratë protestuan, organizuan marshime, u arrestuan dhe hynë në grevë urie. Në fillim të shekullit të njëzetë, kjo lëvizje arriti fitore të rëndësishme në shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Pengesat dhe diskriminimi nuk u zhdukën menjëherë, por u arrit një ndryshim që më parë dukej i pamundur.

Në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, Mahatma Gandhi udhëhoqi në Indi protesta paqësore kundër sundimit britanik. Mijëra njerëz u arrestuan dhe shumë të tjerë u përballën me dhunën e autoriteteve koloniale. Pas një lëvizjeje të gjatë politike dhe shoqërore, India fitoi pavarësinë. Gandhi nuk u bë kryeministër dhe nuk kërkoi ndonjë post qeveritar. Kjo nuk i pengoi miliona indianë të përfitonin nga përfundimi i sundimit kolonial.

Në mesin e shekullit të kaluar, në Amerikë, një grua me ngjyrë, Rosa Parks, refuzoi t’ia lironte vendin në autobus një pasagjeri të bardhë. Ajo u arrestua dhe qytetarët me ngjyrë organizuan një bojkot të gjatë të transportit publik. Në fund, ndarja racore në autobusët e atij qyteti u shpall antikushtetuese. Më vonë, protestat e udhëhequra nga Martin Luther King dhe shumë aktivistë të tjerë ndihmuan në miratimin e ligjeve të rëndësishme kundër diskriminimit.

Martin Luther King u vra, por të drejtat që fitoi lëvizja nuk u zhdukën bashkë me të. Përkundrazi, miliona amerikanë përfituan nga ndryshimet ligjore dhe shoqërore që ajo arriti. Edhe këtu, fati tragjik i një drejtuesi nuk mund të përdoret si provë se protesta ishte e padobishme.

Në fund të shekullit të kaluar, punëtorët polakë organizuan greva kundër regjimit komunist dhe krijuan sindikatën e pavarur Solidarność. Shumë aktivistë u burgosën, por lëvizja vazhdoi dhe luajti një rol të rëndësishëm në kalimin e Polonisë drejt demokracisë. Në të njëjtën periudhë, protesta masive në Çekosllovaki dhe Gjermaninë Lindore ndihmuan në përfundimin e sundimit komunist.

Dhe vijmë te Shqipëria, ku e kemi më të lehtë të flasim, sepse shumë prej nesh i kemi jetuar vetë këto ngjarje.

Në fillim të viteve nëntëdhjetë, studentët e Universitetit të Tiranës dolën në protesta kundër regjimit komunist. Ata kërkuan liri dhe pluralizëm politik. Protestave iu bashkuan qytetarë, intelektualë dhe punëtorë. Regjimi u detyrua të pranonte pluralizmin dhe Shqipëria nisi ndryshimin e sistemit politik.

Sot kemi shumë arsye për të qenë të pakënaqur me mënyrën si u zhvillua demokracia shqiptare. Mund të kritikojmë politikanët që erdhën në pushtet pas ndryshimit të sistemit dhe që shpesh i harruan premtimet e tyre. Por kjo nuk do të thotë se studentët gabuan që protestuan. Falë ndryshimeve të asaj kohe, shqiptarët fituan të drejtën të krijonin parti, të botonin gazeta të pavarura, të votonin në zgjedhje pluraliste dhe të kritikonin qeverinë.

Fakti që më pas disa politikanë e përdorën demokracinë kryesisht për interesat e tyre nuk e zhvlerëson protestën e studentëve. Përndryshe, do të na duhej të pranonim se shqiptarët duhet të kishin vazhduar të jetonin nën regjimin komunist, vetëm që të mos rrezikonin të zhgënjeheshin nga Sali Berisha dhe pasardhësit e tij.

Këtu qëndron gabimi i dytë në mendimin e mikut tim. Ai ngatërron protestën me politikanët që marrin pushtetin pas saj. Një protestë mund të kërkojë largimin e një qeverie të korruptuar, por nuk garanton që qeveria pasardhëse do të jetë e ndershme. Një revolucion mund të rrëzojë një diktaturë, por nuk garanton që pushteti i ri do të jetë demokratik.

Historia njeh edhe revolucione që kanë përfunduar me regjime të reja shtypëse. Revolucioni Rus dhe Revolucioni Iranian janë dy shembuj të njohur. Por prej këtyre rasteve nuk del përfundimi se njerëzit nuk duhet të protestojnë. Del përfundimi se largimi i një pushtetari nuk mjafton nëse nuk ndryshojnë rregullat që i lejojnë pushtetarët të abuzojnë me qytetarët.

Ky është edhe mësimi që duhet të nxjerrim nga protestat e sotme në Shqipëri.

Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë kundër Edi Ramës, korrupsionit, përqendrimit të pushtetit dhe mungesës së përgjegjshmërisë së qeverisë. Por nëse protesta përfundon vetëm me largimin e Ramës dhe ardhjen e një politikani tjetër që qeveris në të njëjtën mënyrë, atëherë ndryshimi do të jetë i kufizuar.

Nëse largohet Rama dhe kthehet Berisha, pa ndryshuar mënyra si funksionon shteti, shqiptarët do të kenë ndërruar kryeministrin, por jo problemet. Këtë lloj ndryshimi e njohim mirë. Madje, kemi aq shumë përvojë sa mund t’u japim këshilla edhe vendeve të tjera se si të ndërrojnë qeveritë pa ndryshuar mënyrën e qeverisjes.

Prandaj protestat duhet të kërkojnë ndryshimin e rregullave, kufizimin e pushtetit personal, institucione të pavarura, zgjedhje të ndershme dhe përgjegjësi të qeveritarëve përpara qytetarëve. Këto janë kërkesa që u shërbejnë të gjithëve, pavarësisht se cilën parti mbështesin.

Ka edhe një fakt tjetër që miku im duket se nuk e merr parasysh. Nga protestat përfitojnë shpesh edhe njerëzit që nuk marrin pjesë në to, madje edhe ata që i kundërshtojnë. Nga dita tetëorëshe përfituan edhe punëtorët që nuk bënë grevë. Nga e drejta e votës përfituan edhe gratë që nuk dolën në demonstrata. Nga rrëzimi i komunizmit përfituan edhe shqiptarët që nuk morën pjesë në protestat e studentëve.

Kjo është krejt normale. Një protestë për të drejtat e qytetarëve nuk është një aktivitet ku përfitimet u shpërndahen vetëm pjesëmarrësve. Kur ndryshon një ligj i padrejtë, përfitojnë të gjithë ata që preken prej tij. Edhe ata që kanë qëndruar në shtëpi dhe kanë kritikuar protestuesit.

Sigurisht, jo çdo protestë është e drejtë. Ka protesta me kërkesa të gabuara, ka lëvizje që përdorin dhunën dhe ka politikanë që i shfrytëzojnë ato për interesat e tyre. Por kjo është arsye për të gjykuar kërkesat dhe drejtuesit e një proteste, jo për të mohuar vlerën e protestës si mjet demokratik.

Madje, mendimi se protestat nuk sjellin asgjë ka edhe një pasojë që nuk duhet nënvlerësuar. Nëse qytetarët binden se çdo protestë është e kotë dhe se gjithmonë do të mashtrohen, atëherë ata heqin dorë nga një prej mjeteve kryesore për të kontrolluar pushtetin. Kjo është pikërisht ajo që do të dëshironte çdo qeveri që nuk ka ndër mend të japë llogari. Një popull që nuk proteston është shumë më i lehtë për t’u qeverisur, sidomos nga ata që nuk e kanë shumë qejf kritikën.

Miku im ka të drejtë të jetë skeptik ndaj politikanëve që kërkojnë të përfitojnë nga protestat. Por historia nuk i jep të drejtë të jetë skeptik ndaj vetë protestës. Janë dy gjëra krejt të ndryshme dhe ngatërrimi i tyre na çon në përfundime të gabuara.

Historia e njerëzimit nuk është vetëm historia e mbretërve, perandorëve, presidentëve dhe kryeministrave. Është edhe historia e njerëzve të zakonshëm që kanë kundërshtuar padrejtësitë e kohës së tyre. Pa këta njerëz, shumë prej të drejtave që sot na duken të zakonshme nuk do të ekzistonin.

Dhe për të arritur në këtë përfundim nuk është e nevojshme të jesh historian. Lehtësia me të cilën mund të kërkojmë sot në internet për historinë e njerëzimit na lejon të gjejmë brenda pak minutash qindra shembuj të protestave që kanë ndryshuar shoqërinë. Nuk kemi nevojë të kalojmë vite duke studiuar të gjitha enciklopeditë e botës për të njohur këto fakte. Shembujt që përmenda janë vetëm një pjesë e vogël e tyre.

Prandaj unë besoj se e gjithë historia e përparimit të njerëzimit është një protestë e gjatë kundër padrejtësisë. Protestuesit nuk kanë fituar gjithmonë, por pa ta njerëzimi do të kishte fituar shumë më pak.

Dhe miku im, që e njeh mirë historinë, besoj se do të jetë dakord të paktën me një gjë: nëse njerëzit nuk do të kishin protestuar kurrë, sot nuk do të kishim as të drejtën të debatonim kaq lirisht në Facebook për dobinë e protestave. Do të duhej të prisnim mendimin zyrtar të qeverisë. Dhe, duke njohur qeveritë, kam frikë se përgjigjja do të ishte gjithmonë e njëjtë: protestat nuk janë të nevojshme, sepse qeveria i di më mirë se qytetarët nevojat e tyre.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.