Drejtoresha e burgjeve mund ta ndihmojë qeverinë me standarde të reja, jo me justifikime të vjetra
Nga Mero Baze
Drejtoresha e re e burgjeve duket një grua sypatrembur. Në fakt, po të mos ishte e tillë, nuk do të ishte vetofruar për të drejtuar burgjet shqiptare, që vazhdojnë të jenë territori më kriminal i shtetit. Edhe më sypatrembur dukej në përgjigje të cilat njerëzit i dinë, por duan të kuptojnë vetëm si i përjeton drejtoresha ato.
E vetmja gjë e mirë e saj duket se është që dëshiron të justifikojë çfarë ka ndodhur e çfarë po ndodh, pasi mendon se kështu ndihmon qeverinë.
Në të vërtetë, meqë jam gazetar pro qeverisë, duhet t’i them se si ndihmohet qeveria në këtë rast.
Kishte dy pamje të përmbysura në justifikimet e saj ndaj gjendjes në burgje.
Pamja e parë ishte justifikimi për “diskriminimin pozitiv” në burgje të një sërë të burgosurish për krime të rënda, që kanë qeli speciale, jetë luksoze me eskorta, internet dhe deri palestra në burgje. Justifikimi se ato i përkisnin kohëve të mëparshme dukej sikur kishin ndodhur në kohën e Zogut. Ato, në fakt, kanë ndodhur në kohën e Ulsiut dhe nuk vë bast që nuk vazhdojnë akoma. Dhe justifikimi pa ndëshkim është pranim i asaj gjendjeje.
Shumë zyrtarë të lartë të korruptuar në të gjitha kohërat kanë vetëm një mënyrë shpëtimi për t’i pasur duart e lira të vjedhin. Ata vetofrohen të përdoren politikisht për t’u amnistuar juridikisht.
Kështu kanë pas bërë gjyqtarët në kohën e Berishës. Gjin Gjoni, për shembull, dënonte ndonjë gazetar që sulmonte Sali Berishën, pastaj lironte trafikant droge të akuzuar për 6 tonë drogë në Gjermani, duke e nxjerrë me arrest shtëpie te kthesa e Kamzës. Kështu vepronin zyrtarët e korruptuar të policisë në kohën e Berishës, por dhe të Edi Ramës. Të gjithë bëjnë nga një “heroizëm” politik, që pastaj të bëhen zotër të asaj cope shteti që drejtojnë. Drejtori i burgjeve është përjetësisht identikiti i këtij lloj zyrtari.
Drejtoresha e re duket se ka ardhur e përgatitur për këtë punë. Por, që ta ndihmojë qeverinë, duhet të pranojë problemet, t’i nxjerrë ata para përgjegjësisë dhe të vendosë një standard për të gjithë njësoj në burgje.
Me po aq lehtësi sa mohonte dhe justifikonte diskriminimin pozitiv të kriminelëve në raport me të tjerët, justifikonte edhe transferimin e Erion Veliajt në Fier dhe ankesat e tij për probleme shëndetësore. Transferimin e ka marrë përsipër kryeministri dhe nuk është më sekret. Është gabim. Dhe gabimi nuk justifikohet nga drejtoresha duke përsëritur faktin që është sekret. Gabimi është mirë të zhbëhet dhe këtu përfundojnë gjithë debatet. Për aq sa është politik, ai vendim e ka bërë dëmin e vet, dhe për Veliajn, dhe për kryeministrin. E vetmja që nuk është dëmtuar nga ai vendim është drejtoresha dhe sekreti shtetëror.
Ndaj nuk është se i bën ndonjë nder kryeministrit duke vazhduar të thotë që është sekret. Nderi më i madh që mund t’i bëjë është ta detyrojë Veliajn të mos ankohet as për këmbën e thyer, as për mungesën e mjekut dhe as për mungesën e kushteve, duke e respektuar si të burgosur, jo si armik. Shërbimi më i mirë që mund t’i bëjë qeverisë është “t’i mbyllë gojën Veliajt”, jo me dhunë, por me transparencë dhe përkushtim ndaj nevojave të tij mjekësore dhe njerëzore si familjar. Të tjerat dëmtojnë pushtetin, fytyra e të cilit është ajo, pavarësisht se është më e bukur se Ulsiu.
Unë e kuptoj që Veliaj, tani duke qenë në luftë politike me Edi Ramën, mund të jetë i përqendruar tek ekspozimi i persekutimit të tij, por një zyrtare e mirë, sidomos një zyrtare e devotshme ndaj Edi Ramës, ka për detyrë të neutralizojë pikërisht këtë prirje dhe jo të bëjë garipen si xhelate. Kjo është mënyra se si kryeministri ndihmohet dhe lehtësohet nga ky debat i panevojshëm dhe toksik. Pastaj, po qe se lufton për dekoratën “Bleta punëtore”, duhet të shikojë ku janë ato që e kanë marrë vite më parë. Sypatrembura dukeshin dhe ato.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.