FOKUS – Merz: Liria dhe demokracia nuk duhen marrë kurrë si të mirëqena
BERLIN, 9 nëntor /ATSH -DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz ka bërë thirrje për mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë në Gjermani dhe Evropë, me rastin e 37-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit.
Në një postim të publikuar të hënën në rrjetin social X,
Merz rikujtoi tri ngjarje kyçe të historisë gjermane që lidhen me datën 9 nëntor: shpalljen e republikës në vitin 1918, pogromet naziste kundër hebrenjve në vitin 1938 dhe rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989.
“9 Nëntori përfaqëson orët më të errëta dhe më të lumtura të historisë sonë: antisemitizmin dhe persekutimin, fillimin e demokracisë dhe rënien e murit”, deklaroi Merz.
Ai theksoi se liria dhe demokracia nuk janë të garantuara përgjithmonë, duke bërë thirrje për mbrojtjen e tyre në Gjermani dhe në Evropë.
Data 9 nëntor zë një vend të veçantë në kujtesën kolektive gjermane. Në vitin 1918, abdikimi i perandorit Wilhelm II hapi rrugën për shpalljen e republikës.
Në vitin 1938, regjimi nazist organizoi sulme në mbarë vendin kundër hebrenjve, duke shënuar një përshkallëzim të rëndë të persekutimit të tyre dhe fillimin e një periudhe që do të çonte në shfarosjen sistematike të miliona hebrenjve.
Ndërsa në vitin 1989, rënia e Murit të Berlinit shënoi fundin e ndarjes së Gjermanisë dhe fillimin e procesit të ribashkimit të vendit.
Më vonë gjatë së hënës, Merz do të marrë pjesë në një ceremoni në Mynih, me rastin e 20-vjetorit të themelimit të sinagogës Ohel Jakob, së bashku me kryeministrin e Bavarisë, Markus Söder, dhe presidenten e Parlamentit të këtij landi, Ilse Aigner.
Aigner konsiderohet një nga emrat që pritet të propozohet për të pasuar presidentin aktual federal, Frank-Walter Steinmeier, çka do ta bënte atë gruan e parë në historinë e Gjermanisë që mban këtë post.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.