Drejtori ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg, do të përballet me jurinë në një gjyq historik për varësinë nga mediat sociale.
Mark Zuckerberg pritet të përballet me pyetje të forta nga avokatët, të cilët argumentojnë se shërbime si Instagram janë projektuar qëllimisht si “kazino dixhitale” për të varur të rinjtë, duke nxitur një krizë të shëndetit mendor tek adoleshentët.
Paraqitja e Zuckerberg përpara një jurie në Los Anxhelos është momenti më i pritur i gjyqit. Ashtu si pjesa tjetër e procesit, dëshmia e tij nuk do të transmetohet drejtpërdrejt.
Thelbi i gjyqit përqendrohet në një pyetje që mund të ketë pasoja të gjera për Silicon Valley: A janë platformat e mediave sociale “produkte me defekt”, të projektuara për të shfrytëzuar dobësitë e trurit të të rinjve?
Avokatët e kompanive teknologjike kundërshtojnë duke thënë se fakti që një fëmijë përjeton probleme të shëndetit mendor pas përdorimit të një platforme nuk do të thotë se media sociale është përgjegjëse për problemet e tij. Sipas tyre, industria është kthyer në një “kokë turku” për problemet komplekse emocionale që përballen fëmijët, të cilat kanë shumë shkaqe të ndryshme.
Megjithatë, avokatët e prindërve që kanë ngritur padinë theksojnë dokumente të brendshme të kompanive ku theksohet synimi për t’i bërë aplikacionet e mediave sociale të vështira për t’u lënë mënjanë, përmes veçorive si lëvizja e pafundme (infinite scroll), riprodhimi automatik, pëlqimet, filtrat e bukurisë dhe njoftimet shtytëse. “Këto kompani ndërtuan makina të projektuara për të varur trurin e fëmijëve,” tha avokati Mark Lanier gjatë deklaratave hapëse të gjyqit. “Dhe e bënë me qëllim.”
Në qendër të çështjes është një 20-vjeçare nga Kalifornia, e njohur në dokumentet ligjore vetëm si KGM, ose Kaley. Ajo thotë se filloi të përdorte në mënyrë kompulsive YouTube që në moshën 6-vjeçare dhe më pas, rreth moshës 9 vjeç, nisi të përdorte Instagramin. Kaley pretendon se përdorimi i këtyre platformave përkeqësoi depresionin e saj dhe mendimet vetëvrasëse. Juria pritet të dëgjojë dëshminë e saj në detaje më vonë gjatë procesit.
Shumë gjëra janë në lojë për kompanitë teknologjike, pasi ky konsiderohet një rast provë që mund të ndikojë në rezultatin e rreth 1,600 çështjeve të tjera të ngjashme për varësinë nga mediat sociale, të paraqitura nga prindër dhe distrikte shkollore.
Ndërkohë, në Nju Meksiko, Meta përballet me një proces tjetër gjyqësor për mbrojtjen e konsumatorit, të ngritur nga prokurori i përgjithshëm i shtetit, i cili akuzon kompaninë se nuk ka arritur të parandalojë shfrytëzimin seksual të fëmijëve në platformat e saj. Nuk është e qartë nëse Zuckerberg do të dëshmojë edhe në atë çështje.
Në gjyqin në Los Anxhelos, që zhvillohet në gjykatë shtetërore, nevojitet miratimi i tre të katërtave të jurisë — 9 nga 12 jurorë — për të vendosur në favor të KGM ose kompanive teknologjike. Një fitore për familjen mund të çojë në dëmshpërblime të konsiderueshme financiare dhe ndryshime të gjera në funksionimin e aplikacioneve të mediave sociale. Rezultati i këtij procesi pritet të hapë rrugën për negociata marrëveshjeje në qindra çështje të tjera.
Për dekada me radhë, Silicon Valley ka mbajtur një mburojë ligjore pothuajse të papërshkueshme përmes Nenit 230 të Aktit për Decencën në Komunikime, një ligj i vitit 1996 që u lejon kompanive teknologjike të shmangin përgjegjësinë ligjore për përmbajtjen që publikojnë përdoruesit e tyre. Por vitet e fundit, avokatët e paditësve kanë përdorur një strategji të re ligjore për ta anashkaluar Nenit 230, duke ngritur çështje sipas ligjeve për përgjegjësinë e produktit, të ngjashme me paditë kundër një prodhuesi për një produkt me defekt.
Në padinë fillestare, KGM paditi Meta-n, Google-in, TikTok-un dhe Snap-in, duke i akuzuar se kanë përdorur teknika të ngjashme me ato të industrisë së duhanit në dekadat e kaluara për të targetuar të rinjtë dhe për t’i bërë ata të varur, ndërkohë që injoronin kërkimet e brendshme që tregonin se produktet e tyre do të dëmtonin adoleshentët.
TikTok dhe Snap arritën marrëveshje para se të fillonte gjyqi, duke lënë Meta-n dhe Google-in si të pandehurit e mbetur.
Prej javësh, salla e gjyqit është mbushur me prindër të pikëlluar që mbajnë fotografi të fëmijëve të tyre, të cilët humbën jetën pasi u përballën me dëme të lidhura me mediat sociale.
Julianna Arnold, vajza e së cilës vdiq në moshën 17-vjeçare pasi u joshe nga një predator që e njohu në rrjetet sociale, ka qenë mes atyre që kanë ndjekur procesin në Los Anxhelos. Ajo dhe prindër të tjerë shpresojnë në një vendim kundër kompanive teknologjike.
“Ne i humbëm fëmijët tanë dhe për këtë nuk mund të bëjmë asgjë. Por ajo që mund të bëjmë është të informojmë prindërit dhe familjet e tjera për këto rreziqe, që këto platforma janë të rrezikshme dhe se duhet të vendosen kufizime për këto kompani,” tha Arnold për NPR. “Ata nuk mund të bëjnë çfarë të duan, kur të duan dhe si të duan. Dhe dua që prindërit ta dinë se këto nuk janë platforma të sigurta për fëmijët e tyre.”



