Kronika

Drejtoria e Tatimeve reagon ndaj Braçes

Deputeti socialist Erion Braçe ka inspektuar nga afër çmimet e frutave dhe perimeve në tregjet e Tiranës, me të cilat, sipas tij, po bëhet një abuzim i tmerrshëm.

“Sapo u ktheva nga tre tregje fruta perimesh rreth qendrës së Tiranës, është nam.

Nuk është treg i lirë, është grabitje mesive.

Dikush ketu-me gjase tregtar, me kish shkruar se nga 30 lekë mandarina në Lushnje e Divjakë, në 80 lekë në Tiranë-me gjasë edhe në qytete të tjera “nuk osht nai gjo e madhe”!

Si nuk eshte?

Është 266% më shumë, më shtrenjtë.

Dhe qe mos e thoni me, po ua bej te thjeshte:

Nuk po shkoni ne Lushnje e Divjake per te blere 1 kile, por po blini me tone!

Ne anen tjeter zero fatura në çdo shitje; me gjase edhe ne blerje, zero po them!

Atehere, ky nuk eshte inflacion, kjo eshte grabitje-ndaj bujkut, ndaj qytetarit, ndaj shtetit qe duhet te mbledh tatime e taksa;

Të vetmit që po fitojnë janë grabitësit nga tregu i madh e mizerabël i Tiranës, shumica e famshme, e ne cdo treg lagjesh.

Ne kete pike, gjithë çfarë po u japim këto ditë pensionistëve siu bonus e si rritje pensioni pak më herët, po ua marrin grabitesit;

Ne kete pike, doemos shteti duhet të bëjë detyrë, cdo agjensi e tij, duke nisur nga Tatimet!

Po edhe ministrat duhet te dalin ne tregje, per te pare e korrigjuar paligjshmerine qe grabit njerezit, më të varfërit posacerisht”, shkruan ai.

Më pas, Braçe ka bërë një tjetër reagim për punonjësit e Tatimeve, po për këtë gjë.

“Nuk qenka e thënë, përsëri për çmimet e frutave e perimeve.

Kete here per idiotët e padobishëm të shtetit.

Pas klithmes se mengjesit, ka reaguar nje nga angjencite ligjzbatuese te shtetit; zyrtare te saj kane shkuar ne tregun e madh të Tiranës-Monopol;

Nje pjese e tregtareve-te njoftuar kane mbyllur qepenat, makinat etj, nje pjese-ata qe se zgjidhin dot me ta, jane kapur ne kushte paligjshmerie, sic edhe thashe ne mengjes;

Tamam ketyre u kane thene: Nuk kemi ç’bëjmë, ka dhënë urdhër Braçja (d.m.th unë), prej tij e keni!

E kuptoni ju kete?

Atehere, per ju por posacerisht per idiotet e padobishem te shtetit, dua te sqaroj:

Unë nuk kam tagër të urdhëroj kënd, jam thjesht deputeti qe perfaqesoj e mbroj bujqit e qytetaret.

E dyta, binduni, nuk është qëllim gjoba.

Qellimi eshte fatura tatimorë, ne mblerje nga bujku, ne shitje nga tregtari, ne shumice e ne pakice;

Fatura dhe kuponi ne cdo blerje e shitje, me cmime transparente, jo te rreme, deri ne 31 dhjetor eshte emergjence, e keni edhe detyrim ligjor!

Kjo e bën çmimin e drejtë.

Kaq bëni!

Dhe vini edhe emrin tim pas”, shkruan deputeti socialist.

Atij i është përgjigjur Administrata Tatimore.

Në një reagim zyrtar ajo e quan të pasaktë pretendimin  e Braçes duke sqaruar se punonjësit janë në terren vazhdimisht dhe se prania në tregun qendror ka nisur në dhjetor si pjesë e një plani masash në kuadër të festave të fundvitit.

“Reagimi i Administratës Tatimore për fyerjet dhe pasaktësitë e deklaratave të Deputetit

Administrata Tatimore kërkon të sqarojë deputetin Braçe dhe opinionin publik se monitorimi dhe verifikimi i tregjeve, ku operojnë Bizneset e Mëdha është procedurë standarde, që ndiqet çdo vit nga strukturat e saj. Prezenca e Tatimeve në tregun qendror ka nisur në fillim të muajit dhjetor, në zbatim të planit operacional, ku në fokus janë tregjet e mëdha dhe qarkullimi i shtuar i mallrave në transport nga ana e bizneseve, që tregtojnë me shumicë, në kuadër të festave të Fundvitit.  Kështu që deklarata e deputetit në media për daljen e strukturave të Administratës Tatimore pas denoncimeve të tij është e pasaktë” – thuhet në reagimin e Administratës Tatimore.

Më tej në reagim thuhet se Administrata Tatimore ka në focus kryesisht biznezet e mëdha ndërsa shprehet keqardhje për deklaratën e deputetit të PS-së dhe gjuhën e përdorur prej tij.

“Sqarojmë Z. Braçe se Administrata Tatimore ka në fokus kryesisht Bizneset e mëdha, që janë subjekt i Tatim Fitimit dhe TVSH-së. Ndihemi të keqardhur për deklaratat publike të bëra nga Z. Braçe dhe gjuhën e përdorur prej tij, duke qenë se ai vetë ka qenë personalisht i angazhuar në luftën kundër Evazionit, dhe pavarësisht kësaj lufte disa vjeçare fenomeni ka vazhduar. Na vjen keq të dëgjojmë nga një Deputet fyerje dhe mungesë respekti ndaj Administratës Tatimore, duke përdhosur punën e saj, aq më keq me informacione të pavërteta, gjykime të një Deputeti që jo vetëm nuk e përmirësojnë punën e një Administrate, por përkundrazi e ofendojnë publikisht atë me apo pa të drejtë” – vijon reagimi.

Në fund të reagimit, Adminisrata Tatimore sqaron Braçen e publikun se bizneset e vogla kanë 0 tatim fitimi e 0 TVSH kështu që lëshimi ose jo i faturës tatimore nuk ndryshon asgjë për sa u përket çmimeve edhe pse është shkelje ligjore.

“Kujtojmë Z. Braçe, dhe sqarojmë publikun, që Bizneset e vogla janë me 0 Tatim Fitimi dhe 0 TVSH. Kështu që lëshimi apo jo i Faturës Tatimore, edhe pse është shkelje ligjore, nuk do të ndryshojë në asnjë mënyrë çmimet, sikurse pretendohet, pasi çmimet përcaktohen nga Ofertë-Kërkesa si në çdo ekonomi të liberalizuar. Sqarojmë opinionin publik se Administrata Tatimore është maksimalisht e angazhuar në nxitjen e përmbushjes vullnetare të detyrimeve nga ana biznesit dhe qytetarëve, përmes fushatave sensibilizuese, që në thelb kanë ndërgjegjësimin dhe jo gjobitjen e biznesit, duke krijuar për herë të parë klimën më të mirë dhe bashkëpunuese me biznesin” – mbyllet reagimi i Administratës Tatimore./m.j

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button