Shkrimtari i shquar i kombit tonë, Dritëro Agolli sot mbush 84 vjeç. Pasi shaloi Pegasin e tij në Menkulas në vitin 1958, trokiti në dyert e letërsisë shqipe, i ndrojtur, por i sigurt me vargjet e librit “Në rrugë dola”. Përmes një itinerari të gjatë njerëzor e artistik, mes dy shekujsh, i qëndroi besnik kësaj rruge, duke farkëtuar, fjalë pas fjale e libër pas libri, paradigmën e një personaliteti të shquar të letërsisë e kulturës shqiptare. Rruga krijuese e tij i ngjan një pelegrinazhi të gjatë, të lodhshëm e të komplikuar, por të bukur. Ndonëse tani nuk udhëton aq shpesh si më parë është vepra e tij letrare që endet udhëkryqeve të kulturës sonë.
Ai hyri vrullshëm në letërsinë shqiptare në fillim të viteve ’60, duke u bërë shumë shpejt një prej figurave kulturore më të respektuara për publikun e gjerë, një poet i dashur për të gjithë, një prozator i pangjashëm me askënd tjetër dhe një prej protagonistëve më aktiv në proceset shoqërore, politike, kulturore e letrare në vend. Nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar e deri sot, për shkaqe letrare e jashtëletrare, emri dhe vepra e këtij personaliteti të shquar, kanë kondicionuar ndjeshëm tendencat e mentalitetit shoqëror dhe rrjedhën letrare e kulturore shqiptare.
Për këtë arsye, në jo pak raste pas viteve ’90, veprimtaria dhe letërsia e tij kanë frymëzuar debate e polemika të shumta, ndonjëherë me nota të ashpra, me argumente jashtëletrare dhe larg fisnikërisë së nevojshme intelektuale. Ndërkohë Dritëroi dhe vepra letrare qëndrojnë stoik e të qetë falë integritetit moral dhe estetik që i karakterizon, pa u shqetësuar nga libido tinëzare pseudoshkencore.
Dritëro Agolli është sot njëri prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, prodhimtar dhe cilësor, autor i një vepre letrare të plotë e të paplotësuar, të gjerë, të thellë, ndikuese, të vlefshme e të larmishme. Poet individualist i Un – it personal gërshetuar mjeshtërisht me Ne – në kolektive. Ai është një prej shkrimtarëve shqiptarë më të njohur e lexuar brenda e jashtë vendit. Agolli përfaqëson portretin e letrarit inteligjent dhe ekzigjent, zot dhe rob i fjalës shqipe, figurës, mendimit, krijues i frymëzimit filozofiko – metafizik dhe i vlerave universale. Një individualitet poetik i famshëm që në gjallje dhe një lirik i madh i letërsisë shqipe, në një radhë me De Radën, Naimin dhe Lasgushin.
Poet i gjuhës së thjeshtë, por jo i mendimit të thjeshtëzuar, prozator origjinal i fabulës dhe rrëfimit, mjeshtër i detajit jetësor, i humorit dhe groteskut, romancier e tregimtar i rafinuar, autor i kryeveprave satirike “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe “Arka e Djallit”. Ai është gjithashtu autor i disa novelave dhe dhjetëra tregimeve antologjike, përkthyes virtuoz, gazetar e publicist profesionist, dramaturg, fabulist, kritik letrar etj.
Dritëroi ynë është njeri i angazhuar, mendimtar dhe veprimtar shoqëror mendjehapur, dialektik e progresist. Njeri politik, por në pjesën dërrmuese të veprës jo i politizuar, realist dhe utopist, ëndërrimtar dhe i zhgënjyer, me kulturë politike të majtë, por jo ekstremist dhe dogmatik, revolucionar iluminist që i beson librit e bibliotekës dhe jo dhunës, zyrtar i lartë i shtetit komunist, por njeri i drejtë, epikurian, miqësor dhe liberal, mbrojtës dhe inkurajues i talenteve të reja, shefi i shkrimtarëve shqiptarë nën diktaturë për dy dekada radhazi, por çuditërisht edhe ai me vepra të ndaluara. Shkrimtar i glorifikuar në kohën e realizmit socialist, por dhe i kritikuar për gabime ideologjike, hierark i lartë i piramidës kulturore që kurrë nuk fabrikoi alibi për të kaluarën e tij. Është i mirëpritur e i vlerësuar dhe sot në demokraci, por edhe i anatemuar për ca faqe të shkruara me bojë të kuqe.
Në kundërshtim me ideologjinë zyrtare komuniste Agolli krijoi një prozë origjinale me personazhe e karaktere “të dalë duarsh”: fanolistë e partizanë që bëhen ballistë e anasjelltas, partizanë që pushkatohen se dyshohen për marrëdhënie intime me shoqet, partizanë që para se të pushkatohen duan të puthin shokët e skuadrës së pushkatimit, partizanë që pushkatohen tragjikisht se ngjajnë me një ballist tradhtar, komandantë e partizanë që pijnë raki dhe hanë mish të pjekur, partizanë që dezertojnë dhe bëhen dervish, dervish që pijnë raki me partizanë e ballistë, dajallarë që vrasin nipërit, kapedanë trima që martohen me të bijat e krerëve të Ballit, komisarë të plagosur që dalldisen pas femrave, komandant balli trima që duan të dalin partizanë, por nuk iu pëlqen komanda e të tjerëve etj, pra, gjithfarë tipash dhe karakteresh, të vizatuar në opozicion me ideologjinë që vetë shkrimtari përfaqësonte.
Krijimtarinë e Agollit e dominojnë dashuria e pakufishme për zakonet, psikikën dhe kulturën shqiptare, respekti për gjyshërit e baballarët, nderimi e adhurimi ndaj kulturës materiale e shpirtërore të krijuar në shekuj prej tyre. Agolli është udhëtar i përjetshëm i viseve arbërore, shtegtar i natës dhe i ditës, poet modern i tokës shqiptare, i plisit dhe ugarit, poeti i fshatit dhe fshatarit që rron me natyrën, në gjirin e së cilës ai gjen harmoninë dhe parajsën e vërtetë. Ai është këngëtar i thjeshtë dhe madhështor i botës bimore e shtazore, adhurues, deri në njësim e zoomorfizim me kafshët shtëpiake, sidomos i kuajve, të cilët i ka kthyer në një ikonë. Ndërkaq Agolli është, nga njëra anë, promovues i sfondit industrial e tekniko-shkencor dhe në anën tjetër, rikrijues origjinal e modern i njeriut që bëhet njësh me natyrën, i arketipit homosnatura.
Në historinë e letërsisë shqiptare vështirë se mund të gjendet ndonjë poet tjetër, si Agolli që të vetërrëfejë me këmbëngulje dhe sens estetik gjithë të dhënat e tij jetësore biografike të familjes, vendlindjes dhe vetvetes. Edhe sikur të mos kemi asnjë të dhënë biografike për Agollin, vepra e tij na ndihmon mjaftueshëm të formulojmë skedën e tij jetësore: vendlindjen, marrëdhëniet me prindërit, fëmijërinë, rininë, pasionet, dhuntia për vargëzim, shkollimi, martesa, ndjenjat, dëshirat, vizionet etj.
Me shumë rëndësi janë qëndrimet që Agolli ka mbajtur në disa momente kyçe. Në vitin 1961, ai së bashku me Ismail Kadarenë, Fatos Arapin etj., bëhet promovues radikal i një poezie të re dhe pjesëmarrës sfidant në debatin Traditë – Novatorizëm, debat që i mbylli përfundimisht shtigjet poezisë së vjetruar. Ky brez i talentuar i ktheu letërsisë shqipe përmasën njerëzore, natyralitetin, dinjitetin dhe “nderin e humbur”. Qëndrimet kulturore të djaloshit Dritëro Agolli nuk u frymëzuan nga direktiva ideologjike, por nga intuita intelektuale, ndjesitë estetike novatore dhe talenti artistik i tij. Ky kapitull i rëndësishëm kulturologjik shqiptar nuk është i tillë vetëm për biografinë artistike të Agollit, por për tërë brezin e tij dhe letërsinë tonë kuptuar kjo si frymë, kontribut dhe kontinuitet.
Me të tillë kthjelltësi intelektuale Dritëro Agolli, u rishfaq publikisht tri dekada më vonë, në vitin 1991, gjatë proceseve transformuese të shoqërisë shqiptare nga diktatura në demokraci. Në ato rrethana të vështira politike e shoqërore, të kuptoje dhe analizoje të kaluarën totalitariste, të pranoje publikisht gabimet dhe mëkatet e saj në të gjitha fushat, mes të tjerash edhe në art e letërsi, të kritikoje familjen natyrale politike, të kërkoje reformimin e saj, të rrëzoje brenda saj dhe vetes mitet, dogmat dhe statujat ideologjike, të mbroje gjithçka të bukur dhe humaniste të krijuar dhe, përmbi këto, të kishe besimin dhe energjinë për të ecur sërish në rrugën artistike me shumë të panjohura, e tërë kjo ishte një sjellje njerëzore publike gati e pabesueshme dhe e pamundur. Por Dritëroi e bëri. E bëri sërish dhe pa alibi, duke dëshmuar personalitet dhe integritet të lartë njerëzor, kulturor, por dhe ideologjik.
Sigurisht që Agolli ishte dhe mbetet njeri politik, madje i tillë, herë pas here shfaqet edhe në ditët e sotme. Por, në art ai e ka të vështirë të politizohet dhe dogmatizohet, sepse është një shkrimtar reflektiv dhe evolucionist që e kupton ndër të parët cilësinë e re shoqërore e politike të kohës.
Edhe në librat e botuar pas viteve ’90, si “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi kohës”, “Fletorka e mesnatës”, “Vjen njeriu i çuditshëm”, “Zhurma e erërave të dikurshme”, “Kalorësi lakuriq” etj., rikonfirmon ndërgjegjen e lartë estetike, shoqërore e politike që e karakterizon. Për këto e të tjera shumica e studiuesve shqiptarë e të huaj, mes tyre edhe më kritikët e tij e pranojnë se Agolli është shkrimtar i shquar i kombit tonë që meriton të kujtohet, studiohet e vlerësohet gjithmonë.
Prof. Dr Rolan Zisi
Kryetari I Lidhjes Komunisteve te Shkrimatereve dhe anetari I KQ te Partise Komuniste, nuk eshte shkrimtar pa asnje vlere, por jo aq I famshem sa thuhet.KOLIQI I DENUAR SI FASHIST ESHTE SHUME HERE ME I MADH SE KY AGOLLI.