Drogë dhe prostitucion me “app”, pranga 10 shqiptarëve në Itali
Përmes një aplikacioni të instaluar në celularët e tyre kontrollonin lëvizjet e prostitutave dhe më pas fitimet e grumbulluara investoheshin në prodhimin e marijuanës.
Ishin këto aktivitetet e një bande të përbërë nga 10 shtetas shqiptarë në Itali, që është shkatërruar nga karabinierët e Torinos.
Siç raportojnë mediat italiane, shtetasit shqiptarë akuzohen përveç shfrytëzimit të prostitucionit dhe drogës edhe për dhënie parash me fajde e gjobëvënie.
Falë një hetimi disamujor, karabinierët e lokalitetit Torino Oltre Dora kanë zbuluar kultivimin e kanabisit indian në pyjet e thella, në zona posaçërisht të shpyllëzuara.
Sipas burimeve, janë mbi 4 mijë bimët narkotike të sekuestruara nga karabinierët, të cilat kapin vlerën e disa miliona eurove. Parcelat ku ato ishin të kultivuara janë zbuluar nga hetuesit përmes dronëve.