Dron rus godet stacionin hekurudhor në Dnipro, 13 të vrarë
Një dron rus me motor reaktiv goditi peronin e stacionit kryesor hekurudhor në Dnipro, ku po nisej një tren për në Zaporizhzha; 13 persona u vranë dhe të paktën pesë u plagosën, njoftojnë autoritetet rajonale.
Një dron rus vrau 13 persona në stacionin kryesor hekurudhor të qytetit Dnipro, duke goditur një peron të mbushur me njerëz që po hipnin në tren, siç njofton Reuters.
Sipas kompanisë shtetërore të hekurudhave Ukrzaliznytsia, një dron me motor reaktiv goditi peronin ku treni periferik nr. 866 po përgatitej të nisej drejt Zaporizhzhës, në jug. “Pavarësisht paralajmërimit për rrezik të shtuar, njerëzit ndodheshin në peron”, tha kompania, duke shtuar se ekipet e shpëtimit ndodhen në vendngjarje.
Guvernatori rajonal Oleksandr Hanzha njoftoi në Telegram se të paktën pesë persona të tjerë u plagosën. “Shumë njerëz u vranë. Shumë u plagosën”, shkroi në Telegram kryetari i bashkisë së Dnipros, Borys Filatov, i cili tha se u godit një tren pasagjerësh.
Ekipet mjekësore po u japin ndihmë të plagosurve në vendngjarje, ndërsa forcat e rendit dhe shpëtimtarët vazhdojnë punën në stacion.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.