Mbi 265 kg kanabis, arrestohen 4 persona në Shkodër! Shpallen në kërkim 3 të tjerë (Detaje)
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtues Dashamir Spaho ka dalë në një konferencë për mediat lidhur me megaoperacionin antidrogë, “POLINOMI”. Spaho gjatë fjalës së tij ka bërë me dije se pas një hetimi 4 mujor u bë i mundur arrestimi i 4 personave.
Ata akuzohen për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Sipas hetimeve, ata në bashkëpunim me tre persona të tjerë të cilët janë shpallur në kërkim kishin krijuar një grup kriminal, për të shitur brenda dhe jashtë shtetit, mbi 265 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa.
Ata gjithashtu kishin në posedim mina të dyshuara antitank. Anëtarët e këtij grupi rezultojnë persona me precedentë të mëparshëm kriminalë, për veprimtari në të njëjtat fusha. Mësohet se ata janë familjarë me njëri-tjetrin. Policia ka sekuestruar drogën e gjetur gjatë kontrolleve, minat dhe 6 mjete që përdoreshin nga grupi.
Fjala e plotë:
Ju falënderoj për praninë tuaj, sot, për të bërë prezente për ju dhe nëpërmjet jush, për qytetarët, rezultatet e një hetimi intensiv 4-mujor, nga sektorët për Hetimin e Narkotikëve dhe të Mbështetjes Operacionale Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës.
Hetimi profesional, me metoda proaktive, rezultoi me finalizimin e megaoperacionit të koduar “POLINOMI”, në kuadër të të cilit u goditën tentativa e një grupi kriminal, për të shitur brenda dhe jashtë shtetit, mbi 265 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, si dhe posedimi i kundërligjshëm i minave të dyshuara antitank.
Konkretisht, në kuadër të megaoperacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-A. S., 38 vjeç, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim;
-E. R., 25 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë vëllezërit, shtetasit:
-B. K., 56 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-N. K., 52 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Më tej, në vijim të megaoperacionit, u shpallën në kërkim, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, vëllai tjetër i të arrestuarve, shtetasi E. K., 58 vjeç, djali i 56-vjeçarit, shtetasi D. K., 23 vjeç, si dhe shtetasi A. M., 39 vjeç.
Të 7 këta shtetas, të identifikuar si pjesëtarë të një grupi kriminal në fushat e prodhimit dhe trafikimit të sasive të mëdhaja të lëndëve narkotike, janë banues në Malësi të Madhe dhe kanë precedentë të mëparshëm kriminalë, për veprimtari në të njëjtat fusha.
Në kuadër të megaoperacionit “POLINOMI”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ndërhynë në lagjen “Guraj”, Malësi e Madhe, ku ndaluan automjetin tip “Volkswagen Passat” që drejtonte shtetasi E. R..
Nga kontrollet në këtë automjet dhe në banesat e shtetasve të arrestuar, B. K. dhe N. K., u gjetën në total dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 265,4 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e përgatitur dhe e paketuar për shitje dhe për trafikim.
Më tej, nga kontrollet e mëtejshme, në një sipërfaqe toke në pronësi të shtetasit B. K., u gjetën 2 mina të dyshuara antitank, të cilat iu dorëzuan shërbimeve xheniere të Forcave të Armatosura, për ekzaminim të mëtejshëm.
Ndërkaq, lënda narkotike u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, së bashku me 7 celularë dhe 6 automjete që përdoreshin për transportimin e saj.
Gjatë periudhës hetimore ka rezultuar se shtetasit B. K., N. K., D. K. dhe E. K., familjarë të njëri-tjetrit, magazinonin dhe paketonin lëndën narkotike, ndërsa shtetasit A. S., E. R. dhe A. M. organizonin transportin dhe shitjen e saj, brenda dhe jashtë shtetit.
Policia e Shkodrës vijon intensivisht kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, vijon hetimi për të dokumentuar plotësisht këtë veprimtari kriminale, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë të përfshirë në të, si dhe për të individualizuar rolin dhe përgjegjësinë e secilit.
Të nderuar qytetarë, Ky megaoperacion, puna për kapjen e shtetasve në kërkim, goditjet e përditshme kundër kultivimit, prodhimit, shitjes dhe trafikimit të narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, transportimit ilegal të emigrantëve dhe kundër çdo forme tjetër kriminalitet, dëshmojnë angazhimin e palëkundur të Policisë së Shkodrës, për të garantuar rend dhe siguri në të gjithë territorin e qarkut.
Aleati kryesor i këtyre përpjekjeve është komuniteti i qarkut Shkodër, të cilin gjej rastin ta ftoj për bashkëpunim më të ngushtë me Policinë, duke denoncuar menjëherë çdo indicie që kanë për paligjshmëri. Ju siguroj se reagimi ndaj çdo shqetësimi dhe çdo raportimi do të jetë parësor dhe konform ligjit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.