“Duart e huaja” si alibi për shmangien e përgjegjësisë politike

Pak metra larg sheshit përpara Kryeministrisë, ku policia dhe protestuesit po përplaseshin të enjten në mbrëmje, një grup të rinjsh përpiqeshin t’i shpëtonin gazit lotsjellës duke u larguar drejt zonës së ish-Bllokut, pranë Kryesisë së Kuvendit.
BIRN dëshmoi momentin kur dy prej tyre u ndaluan nga dy persona të veshur civilë, të cilët mbanin shkopinj gome në duar. Pasi i futën të rinjtë në një makinë të bardhë, personat u larguan nga vendngjarja. Dy vajza që shoqëronin të ndaluarit arritën të largoheshin me vrap.
“Edhe neve na thanë: ‘Afrohuni, mos kini frikë’, por ne vrapuam. Shokët tanë i ndaluan”, tregoi njëra prej tyre, studente e vitit të dytë të Arkitekturës.
E shqetësuar, studentja u përpoq të telefononte njërin prej djemve, shok kursi në universitet, por ai nuk iu përgjigj. Ajo nuk e dinte nëse ishte shoqëruar nga policia apo ku ishte dërguar dhe po përpiqej të vendoste nëse duhej të njoftonte prindërit e tij, të cilët jetonin jashtë Tiranës.
Pak metra më tej, disa furgonë policie ishin parkuar në anë të rrugës, ndërsa efektivët po shoqëronin të rinj të tjerë të ndaluar drejt automjeteve.
Skena të ngjashme u përsëritën gjatë natës së të enjtes në rrugët e kryeqytetit. Në disa raste, ndalimet u kryen nga persona të veshur civilë, që përdornin automjete pa shenja identifikuese të policisë.
Një video e shpërndarë në rrjetet sociale, ku një person shihej teksa futej me forcë në një automjet pa shenja dalluese, nxiti pikëpyetje mbi identitetin e personave që kryenin ndalimet. Policia e Shtetit sqaroi se bëhej fjalë për një shoqërim të kryer nga punonjës të Policisë Kriminale, në kuadër të veprimeve për identifikimin e personave të dyshuar për përfshirje në akte të paligjshme gjatë protestës.
Ndalimet masive pasuan përshkallëzimin e protestave kundër qeverisë, të cilat, pas rreth katër muajsh demonstratash kryesisht paqësore, morën një kthesë të dhunshme të martën, me përfshirjen e studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme.
Me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen!” dhe “Revolucion”, mijëra të rinj dolën në rrugë, ndërsa protestat u përhapën nga Tirana në qytete të tjera të vendit. Përplasjet me policinë u shoqëruan me përdorimin e gazit lotsjellës, ndalime të protestuesve dhe akte vandalizmi ndaj institucioneve dhe pronave publike e private.
Përballë kësaj vale pakënaqësie, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të fajësojë opozitën dhe aktorë të huaj për dhunën, pa identifikuar publikisht këta të fundit dhe pa paraqitur prova që mbështesin pretendimet për ndërhyrjen e tyre.
“Dora e mbrapshtë, dora e vjetër, dora e keqe […] sot mbështetet dhe nga duar të tjera, duar të huaja, duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë”, deklaroi Rama, duke pretenduar se aktorët që qëndrojnë pas trazirave synojnë të pengojnë përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Kjo nuk është hera e parë që Rama i lidh protestat kundër qeverisë së tij me ndikime të jashtme. Ai përdori një retorikë të ngjashme edhe në qershor, pas nisjes së protestave kundër një projekti turistik në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”.
Por për ekspertët e komunikimit dhe qeverisjes, rikthimi i tezës së ndërhyrjes së huaj, në një kohë kur protestat kanë marrë përmasa kombëtare, rrezikon të zhvendosë debatin publik nga shkaqet e pakënaqësisë te pretendimet për kërcënime të jashtme.
“Çdo përpjekje për ta lexuar dhe propaganduar këtë shprehje masive pakënaqësie të të rinjve vetëm si një lëvizje e cila nxitet nga influenca të vendeve të huaja do të ishte një mundësi e humbur për të reflektuar dhe mbajtur përgjegjësi politike në momentin dhe kohën e duhur”, tha për BIRN Elvin Luku, pedagog i gazetarisë.
“Në demokraci dorëheqja nuk është as mëkat, as tragjedi, por është akti më fisnik i një politikani”, shtoi ai.
Sipas Lukut, edhe nëse do të provohej përfshirja e aktorëve të huaj në nxitjen e trazirave, kjo nuk do ta përjashtonte qeverinë nga përgjegjësia politike.
Përkundrazi, ai argumenton se depërtimi i një ndikimi të tillë në shoqëri do të ngrinte pikëpyetje të tjera mbi aftësinë e institucioneve për ta parandaluar atë, duke përbërë një arsye shtesë për të kërkuar llogari nga qeveria.
Luku vëren se pretendimet për ndërhyrje të huaja kanë qenë të pranishme në retorikën qeveritare si gjatë muajve të protestave paqësore, ashtu edhe pas përshkallëzimit të tyre. Sipas tij, megjithëse ndikimi i aktorëve të jashtëm është një mundësi që nuk mund të përjashtohet apriori, ai nuk mund të shërbejë si justifikim për shmangien e përgjegjësisë politike.
Edhe Aranita Brahaj, drejtuese e Institutit Shqiptar të Shkencave, AIS, e interpreton retorikën e kryeministrit për “duar të huaja” si një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga kërkesat e protestuesve dhe përgjegjësia e qeverisë për krizën.
Sipas saj, akuzat për ndërhyrje të jashtme, kur nuk mbështeten në prova publike dhe artikulohen në një moment përballjeje me një revoltë qytetare, rrezikojnë ta kthejnë debatin mbi problemet e vendit në një diskutim mbi sigurinë dhe stabilitetin.
“Kur një kryeministër flet për komplote dhe ndërhyrje të huaja pa paraqitur prova, dhe në momente kur rrezikohet pushteti i tij, ai rrezikon të zëvendësojë debatin mbi kërkesat legjitime të qytetarëve me një narrativë kërcënimi ndaj sigurisë dhe stabilitetit të vendit”, tha Brahaj për BIRN.
Ajo thekson se shqetësimi nuk lidhet vetëm me gjuhën e përdorur nga kryeministri, por edhe me ndikimin që kjo retorikë mund të ketë te perceptimi publik dhe reagimi i institucioneve ndaj protestave.
“Kur narrativa e kërcënimit të jashtëm përkon me episode dhune dhe neglizhencë institucionale, krijohet një klimë pasigurie që objektivisht mund t’i shërbejë dobësimit të protestës dhe shtimit të pasigurisë civile”, tha ajo.
Brahaj e vendos këtë qasje në një kontekst më të gjerë të komunikimit politik të Ramës ndaj kritikëve dhe lëvizjeve qytetare. Sipas saj, kryeministri është përpjekur prej muajsh t’i lidhë mobilizimet kundër qeverisë me ndikime të jashtme, duke shmangur përballjen me arsyet e pakënaqësisë.
Si shembull, ajo përmend edhe fjalimin e Ramës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku, sipas interpretimit të saj, mobilizimi politik në Shqipëri u lidh me fenomenin e dezinformimit.
Brahaj paralajmëron se retorika e kërcënimit të jashtëm mund të ketë pasoja përtej debatit politik, duke ndikuar në gatishmërinë e qytetarëve për të marrë pjesë në protesta.
“Në gjykimin tim, nuk kemi të bëjmë thjesht me një përpjekje për të zhvlerësuar protestën, por me krijimin e një klime frike dhe pasigurie që mund t’i shërbejë ruajtjes së pushtetit përmes dobësimit të rezistencës qytetare”, tha ajo.
Në këtë kontekst, Brahaj kërkon që vëmendja publike të mos kufizohet te deklaratat e kryeministrit, por të përfshijë edhe veprimet e institucioneve, veçanërisht mënyrën se si policia ka menaxhuar protestat, ndalimet dhe episodet e dhunës.
“Sot pyetja nuk është vetëm çfarë thotë Rama, por edhe çfarë bën dhe çfarë nuk bën Policia e Shtetit përballë këtyre zhvillimeve”, përfundoi ajo.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.