Dueli special me Elbasanin e Glen Dajës, flet zv.trajneri Kalari: Kemi 2-3 mungesa, por do të japim maksimumin…
Dinamo do të përballet në transfertë ndaj Elbasanit në duelin e vlefshëm për javën e 12-të të Superiores. Pas pauzës 2 javore, kryeqytetasit do të rikthehen në fushën e lojës, teksa do të kërkojnë të “shkelmojnë” krizën e rezultateve.
Në prag të kësaj sfide, zëvendës trajneri i bluve, Renaldo Kalari, foli për përgatitjet e skuadrës, gjendjen e grupit dhe kundërshtarin. Ai vlerësoi punën e zhvilluar gjatë ndërprerjes së kampionatit dhe shprehu besimin se skuadra do të japë maksimumin për të marrë fitoren.
Përgatitjet dhe gjendja e skuadrës – “Rikthehemi pas një pauze dyjavore. Grupi është pothuajse i plotë, me dy-tre mungesa për shkak të dëmtimeve dhe pezullimeve nga kartonët. Kemi punuar mirë gjatë kësaj periudhe, pavarësisht mungesës së lojtarëve që ishin të grumbulluar me kombëtaret. Kemi analizuar me kujdes edhe ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut, për të përmirësuar fazën sulmuese dhe për të rritur shpejtësinë e veprimeve në manovrën e skuadrës.”
Përball Elbasani– “Përballë kemi Elbasanin, një skuadër që e kemi analizuar dhe që është ndryshe nga ajo me të cilën u përballëm në fazën e parë. E kemi përgatitur sa më mirë këtë ndeshje dhe nesër do të synojmë të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme.”
Përballja me Glen Dajën- “Gleni është shoku dhe miku im, përtej kësaj ndeshjeje. Largimi i tij është një vlerë më pak për stafin e Dinamos, ndërsa për Elbasanin është një vlerë e madhe profesionale dhe njerëzore. Nesër, ne do të bëjmë gjithçka për ta fituar ndeshjen.”
Gatishmëria për sfidën e nesërme– “Jemi gati. Pavarësisht lojtarëve të dëmtuar apo të pezulluar, kemi një organikë të plotë për ta përballuar këtë ndeshje. Ashtu siç kanë bërë në çdo takim, jam i sigurt se lojtarët do të japin maksimumin dhe më të mirën e tyre për të arritur objektivat tanë.”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.