Rajoni

DW/Bullgari: Përshkallëzim i luftës për pushtet

Presidenti i Bullgarisë Radev ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë për shkak të sjelljes “mafioze”. Në këtë mënyrë ai reagoi ndaj bastisjeve të fundit në zyrat presidenciale.

“Dalja nga situata e tanishme është: Dorëheqja e qeverisë dhe prokurorit të shtetit”, deklaroi presidenti i Bullgarisë Rumen Radev, në një paraqitje televizive pas bastisjeve të fundit në zyrat presidenciale. “Karakteri mafioz i qeverisë bullgare ka shkaktuar pakënaqësi tek secili në Bullgari, ndaj të gjithë kërkojnë tani respektimin e ligjeve”. Ishte ky reagimi i Radevit ndaj demonstratave të fundit kundër qeverisë bullgare, që janë mbajtur në Sofje. Në Bullgari është themeluar së fundi një “Konsens Anti-Mafia”, kundër korrupsionit dhe frikësimit të njerëzve, deklaroi Radev, i cili paralajmëroi qeverinë e kryeministrit Boiko Borisov për gjendjen.

Shkaku

Shkaku i këtyre kërkesave për dorëheqje është bastija dhe kontrollet e zyrave të dy bashkëpunëtorëve të lartë të presidentit, të cilët janë arrestuar përkohësisht. Radev pohon se përgjegjëse për këto bastisje është qeveria e Borisovit. Këta persona janë bastisur për shkak të hetimeve kundër korrupsionit dhe publikimit të sekreteve të shtetit.

Në shenjë proteste të premten në mbrëmje u mblodën mijëra vetë në Sofje duke kundërshtuar arrestimin. Gjatë protestave u arrestuan të paktën 18 persona. Demonstruesit kanë sulmuar policinë me shishe dhe gurë, kumtoi partia qeveritare GERB. Shumë policë dhe demonstrues janë lënduar. Protesta kundër qeverisë ka pasur edhe të shtunën dhe të dielën (12. – 13.07).

Radev i cili ka mbështetjen e socialistëve në opozitë, ka kundërshtuar qeverinë nacional-konservatore dhe prokurorin Ivan Geshev për lidhje me oligarkët dhe sjellje antiligjore. Radev ka kërkuar dorëheqjen e tyre si “zgjidhja më e mirë”. Presidenti tha, se “BE ka nevojë për një Bullgari demokratike”, që lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend.

“Presioni i madh”

Geshev konsideron, se presidenti Radev ka shkelur Kushtetutën e vendit: “Bashkuesi i kombit po i lejon vetes sërish që të sulmojë autoritetet juridike dhe po bën presion të madh ndaj prokurorisë”, shkruan prokurori në twitter.

Kryeminisri Borisov ka reaguar përmes një videoje në Facebook dhe ka kërkuar dorëheqjen e presidentit Radev: “Ne në qeveri do të respektojmë vetëm përgjegjësitë tona dhe asgjë tjetër”, tha Borisov. Ai tha se Bullgaria do të përçahet nëse socialistët vijnë në pushtet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button