E ardhmja e fëmijëve tanë nuk mund të jetë politika jonë e shkuar

“Ju jeni brezi i sakrificës. Ne jemi brezi i mundësive”, më tha im bir gjatë një debati.
Kam mbetur te kjo fjali. E kam bërë disa herë objekt bisede edhe me miq e kolegë, ndoshta sepse përmblidhte diçka që e shoh çdo ditë edhe te studentët e mi. Ata janë shumë më të vetëdijshëm se ne për mundësitë që kanë, për alternativat që ekzistojnë jo vetëm brenda vendit, por në çdo cep të botës dhe, sidomos, për atë që mendojnë se meritojnë nga jeta.
Ne, brezi mbi 35–40 vjeç, u rritëm duke mësuar se për të arritur diçka duhej të sakrifikonim gjatë në punë, por edhe të sakrifikonim kohën për veten, dëshirat dhe e gjithë kjo në vitet më të mira, sepse “nëse nuk punon si gomari tani, kur do të punosh?!”. Në një Shqipëri të dalë nga izolimi komunist, ku mundësitë ishin të pakta, ku në emigrim mësuam se mundësitë madje nuk ishin për ne, albanosët, ne mësuam të prisnim, të përshtateshim dhe ta konsideronim durimin pjesë të domosdoshme të suksesit. Ky brez i fëmijëve tanë nuk është domosdoshmërisht më pak punëtor apo më pak ambicioz, por duket se nuk është më aq i gatshëm ta pranojë sakrificën si kusht të përhershëm të përparimit individual.
Një mik që jeton në Vjenë më tregonte së fundmi se po e kishte të vështirë të gjente punonjës të rinj me orar të plotë. Ata nuk po negocionin vetëm pagën, por edhe kohën që ishin të gatshëm t’i kushtonin punës, madje, madje edhe “vibe”-in (pra, energjinë pozitive) që gjenin në ambientin e punës, te kolegët e, aq më tepër, te pronari. Por kushti kryesor për ta ishte sa kohë do t’u mbetej për të shijuar jetën.
Nuk është një ndryshim i vogël. Është një rishikim i marrëdhënies mes punës, mirëqenies dhe lirisë personale. Dhe nëse kjo marrëdhënie po ndryshon, përse duhet të mbetet e pandryshuar marrëdhënia e tyre me politikën?
Në Serbi, më 25 tetor 2026, Lista Studentore fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Por ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte një nga propozimet e tyre të para: mundësia e zbatimit të javës katërditore të punës, prej 32 orësh, me pagë të pandryshuar, nga ndërmarrjet që zgjedhin ta aplikojnë këtë model. Një propozim që natyrisht ngre pyetje serioze për produktivitetin, kostot dhe mundësinë e zbatimit, por që tregon se çfarë po hyn në debatin politik.
Krahas kërkesës për institucione të ndershme, që ishte në themel të protestave të tyre disamujore, vjen edhe kërkesa për një mënyrë tjetër jetese. Rasti i Serbisë tregon se një brez që po ndryshon marrëdhënien me punën, kohën dhe jetën, mund të ndryshojë edhe marrëdhënien me pushtetin, duke vënë në diskutim jo vetëm kush qeveris, por edhe për çfarë qeveris.
Po në Shqipëri?
Kanë kaluar 35 vjet nga fillimi i pluralizmit dhe dy partitë kryesore vazhdojnë të identifikohen me dy njerëz që kanë dominuar pothuajse gjithë historinë tonë politike pas komunizmit. Sali Berisha është figurë qendrore e PD-së që prej themelimit të saj, në vitin 1990. Edi Rama ka hyrë në qeverisje në vitin 1998, ka drejtuar për 11 vjet Bashkinë e Tiranës, drejton PS-në prej vitit 2005 dhe është kryeministër që prej vitit 2013.
Nuk bëhet fjalë thjesht për CV me jetëgjatësi politike, por për dekada pushteti dhe ndikimi mbi institucionet, partitë dhe mënyrën se si funksionon shteti. Pothuajse dy breza shqiptarësh kanë lindur, janë rritur dhe kanë hyrë në jetën e punës duke njohur pothuajse të njëjtat figura në krye të politikës.
Ndërkohë, për këta të fundit, të lindur pas vitit 2005, bota ka ndryshuar rrënjësisht. Studentët e sotëm mund të krahasojnë në kohë reale universitetet, pagat, profesionet dhe kushtet e jetesës në vende të ndryshme. Mund të mësojnë, të punojnë dhe të krijojnë mundësi përtej kufijve të vendit të tyre. Sigurisht, jo të gjithë i kanë të njëjtat mundësi, por pothuajse të gjithë janë të vetëdijshëm se alternativat ekzistojnë. Kjo vetëdije e qartë për mundësitë ndryshon edhe pritshmëritë ndaj pushtetit.
Për më shumë se tri dekada, PS-ja dhe PD-ja kanë konkurruar jo vetëm për mënyrën se si duhet të qeveriset vendi, por edhe për kontrollin e mundësive që ofron shteti, sidomos për të rinjtë, si punësimi, emërimet, kontratat, lejet e, në fakt, e gjithë karriera. Me ne, brezin e dalë nga mungesa, pushteti pati aftësinë të na hapte ose të na mbyllte dyer dhe, në njëfarë mënyre, kjo krijoi një marrëdhënie varësie që partitë e kanë shfrytëzuar gjatë. Por a mund të vazhdojë të funksionojë e njëjta marrëveshje me një brez që nuk e konsideron më mundësinë një favor të pushtetit?
Pikërisht këtë PS-ja dhe PD-ja ende nuk e kanë kuptuar. Ato vazhdojnë të konkurrojnë për të njëjtin pushtet, me të njëjtën logjikë politike, me të njëjtat mënyra dhe, fatkeqësisht, me të njëjtët individë ose miniatura të tyre në moshë më të re, ndërsa një pjesë e shoqërisë po ndryshon mënyrën se si e përkufizon suksesin, punën, autoritetin dhe madje vetë jetën.
Shpërndaje te miqtë



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.