E dashura e re e ish-kancelarit Schroeder? Një koreanojugore!
ATSH-DPA: Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroeder ka filluar një romancë të re, sipas njoftimeve të sotme të medias.
”Koreanojugorja Soyeon Kim, 48 vjeçe, është e dashura e re e ish-liderit të socialdemokratëve gjermanë, i martuar katër herë deri tani”, sipas së përditshmes ”Bild” dhe revistës ”Bunte”.
Zyra e shtypit e 73-vjeçarit Schroeder refuzoi të komentonte për DPA-në këto njoftime.
Doris Schroeder-Koepf, bashkëshortja e fundit e ish-kancelarit, me të cilin ajo u nda vitin e kaluar, postoi në Facebook se lajmi se ai mund të kishte gjetur një partnere të re nënkuptonte se ata duhej që tashmë të divorcoheshin.
Vetë Doris Schroeder-Koepf është tani e dashura e Boris Pistorius, ministër i Brendshëm në Saksoninë e Poshtme.
Kim është një afariste e suksesshme, e cila jeton në Seul, ku jep këshilla për kompanitë koreane të interesuara të bëjnë biznes në Gjermani.