“Edhe Churchill u bashkua me Stalinin”- Berisha nga Foltorja e Beratit, përsërit thirrjen për bashkim: Kemi bërë gabime
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar në Berat takimin e radhës në kuadër të “Foltores së Ripërtëritjes”, ku ka përcjellë thirrjen për bashkim të demokratëve përballë asaj që e cilësoi si rrezik ekzistencial për Shqipërinë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal te nevoja për kapërcimin e ndasive brenda opozitës, duke theksuar se bashkimi është mesazhi kryesor në momente të vështira. Për të ilustruar këtë qëndrim, ai solli si shembull edhe bashkëpunimin e Winston Churchill me Josif Stalinin gjatë Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht dallimeve të thella mes tyre.
“Përballë çdo rreziku ekzistencial ka vetëm një mesazh, bashkimi! Edhe Churchill u bashkua me Stalinin”, deklaroi Berisha.
Ai kritikoi gjithashtu përpjekjet për të krahasuar Partinë Demokratike me Partinë Socialiste dhe atë me kryeministrin Edi Rama, duke i cilësuar këto përpjekje si përpjekje për të dobësuar opozitën. Berisha mbrojti historinë dhe kontributin e Partisë Demokratike, duke përmendur arritje që, sipas tij, lidhen me orientimin perëndimor të Shqipërisë, integrimin në NATO, liberalizimin e vizave dhe marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.
Kreu i PD-së tha se partia ka bërë gabime, por këmbënguli se historia e saj është e lidhur me lirinë dhe orientimin europian të shqiptarëve.
Në vijim, Berisha e lidhi thirrjen për bashkim me situatën aktuale në vend, duke akuzuar qeverinë për korrupsion, ndikim të krimit dhe keqmenaxhim të pasurive kombëtare.
“Ne kemi një rrezik ekzistencial, kemi një rrezik që po na përzë nga Shqipëria. Kemi një rrezik që ka shndërruar pasuritë tona në mallkim për shqiptarët. Kemi një rrezik që për ne vendos droga në të gjitha nivelet. Atëherë hajde të bashkohemi”, u shpreh Berisha.
Takimi në Berat është pjesë e turit të tij politik “Foltorja e Ripërtëritjes”, përmes të cilit ai po zhvillon takime me mbështetës dhe demokratë në qytete të ndryshme të vendit.
“Ka mesazhe të tjera, ju e patë, në atë uragan mesazhi i vërtetë ishte bashkimi, kurse mesazhi i çirakëve të qeverisë dhe armiqve të PD, ishte krahasimi i PD me partinë e krimit apo ishte krahasimi i Berishës me Edi Ramën me shpresën dhe mendimin se do mund të krijonin skenarin serb.
Tani, unë nuk kam ndonjë tendencë të veçantë këtu të lavdëroj dhe të himnizoj PD-në, por përpjekjet ishin donkishoteske.
Nuk është parti që thyhet kjo, se në fakt parti për interesin e parë kombëtar që nga java e parë e themelimit gjer sot, ka paguar çdo çmim.
Një javë parti ishim ne kur deklaruam se çështja kombëtare është ylli ynë polar. Dhe çështjen kombëtare, të gjithë ata që e kishin krijuar, e pritën me drithma këtë deklaratë të partisë njëjavore. Në i qëndruam. Ne kemi bërë gabime, pa diskutim, por ama historia jonë, cilitdo që nuk ka frikë ta lexojë, do gjejë se është historia e lirisë së shqiptarëve.
Historia jonë, cilitdo që nuk ka frikë ta lexojë, do të gjejë se është historia e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar. Çfarë kanë shqiptarët evropiane të standardeve të sotme, të gjitha janë vepër e PD. Ishte kjo parti që i nxori nga honet e varfërisë dhe mjerimit dhe i renditi në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta. Që i shndërroi në qytetarët më të paguar të rajonit. Ishte kjo parti që vendosi javën e punës si në Evropë, pesëditore. Që zgjati lejen e lindjes një vit njëlloj si në Evropë. Që zgjati lejet nga dy javë në një muaj.
Pra ishte kjo parti që firmosi MSA-në, që liberalizoi vizat, anëtarësoi Shqipërinë në NATO. Dhe ishte kjo parti që kaloi një kalvar për dinjitetin dhe luftoi për dinjitetin e çdo demokrati, qëndroi e pamposhtur dhe tani të mendosh se mund ta sikterisësh është njëlloj si të besosh Shpiragun nga vendi. Por tani unë kthehem prapë tek mesazhi. Mesazhi është bashkimi.
Dhe në çdo rrezik ekzistencial ka vetëm një mesazh, bashkimi. Uinston Çërçill thotë se qytetërimi mund të jetojë gjatë, se liria mund të mbrohet, se paqja mund të ruhet, me kusht vetëm bashkimin. Me këto parime ai u bashkua me Josif Stalinin, që është pa diskutim krimineli më i madh i shekullit. Por u bashkua për të përballuar një makineri të tmerrshme lufte që po mbillte vrasje, djegie e shkatërrime në mbarë Evropën dhe ia doli. Dhe të themi ne shqiptarët të mos bashkohemi sot? Kurrë. Ne kemi një rrezik ekzistencial, kemi një rrezik që po na përzë nga Shqipëria. Kemi një rrezik që ka shndërruar pasuritë tona në mallkim për shqiptarët. Kemi një rrezik që për ne vendos droga në të gjitha nivelet. Atëherë hajt të bashkohemi”, tha Berisha.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.