Gjykata në Spanjë liron shqiptarin e kërkuar nga Italia, ishte dënuar me 7 vite burg për trafik droge
Gjykata Kombëtare e Spanjës vendosi lirimin e përkohshëm, pa garanci pasurore, të shqiptarit të arrestuar në Alicante, të kërkuar nga Italia për trafik heroine në Bolonja në vitin 2004.
Gjykata Kombëtare e Spanjës ka vendosur lirimin e përkohshëm, pa garanci pasurore, të një shtetasi shqiptar të arrestuar javën e kaluar në Alicante, siç njofton Shqiptarja.com. Ai kërkohej nga Italia për një krim të kryer 22 vite më parë, ndërsa autoritetet italiane e kishin dënuar me 7 vite burg për trafik droge, një dënim që nuk është vuajtur ende.
Sipas njoftimit, shqiptari u arrestua të enjten e kaluar nga Policia Kombëtare spanjolle në zonën e Playa de San Juan, pas një alerti në Sistemin Informativ Shengen (SIS). Rasti lidhet me datën 11 nëntor 2004 në Bolonja, ku ai u shpall fajtor për trafik heroine së bashku me një person të paidentifikuar.
Dënimi u konfirmua më 3 tetor 2023, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm i Gjykatës së Apelit të Bolonjës lëshoi urdhrin e ekzekutimit, me dokumentacionin e përcjellë përmes SIRENE-s. Të premten, ai u paraqit para një gjyqtari të Gjykatës Kombëtare në Madrid, i përfaqësuar nga avokati Roberto Sánchez Martínez, dhe kundërshtoi dorëzimin në Itali.
Lirimi u shoqërua me kushte të rrepta: ai duhet të paraqitet çdo javë para organit gjyqësor më të afërt, nuk mund të largohet nga territori spanjoll dhe duhet të dorëzojë pasaportën brenda 72 orëve. Shkelja e këtyre kushteve mund të çojë në arrestim dhe ndalim.
Sipas të dhënave të publikuara, ai jeton prej rreth 15 vitesh në Spanjë, ku ka leje qëndrimi dhe është i punësuar. Ndërkohë, procedura spanjolle vijon për të vendosur nëse kërkesa e Italisë për dorëzimin e tij do të miratohet.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.