EGJIPT – Përplasje e dy trenave në provincën e Gizës, të paktën katër të vdekur dhe 88 të plagosur
– Një aksident i rëndë hekurudhor është regjistruar sot në Egjipt, ku dy trena pasagjerësh janë përplasur në provincën e Gizës, në jug të kryeqytetit Kajro. Përplasja shkaktoi daljen nga shinat të disa vagonëve, duke shkaktuar viktima dhe dhjetëra të plagosur, sipas AP.
Sipas autoriteteve egjiptiane, aksidenti ndodhi në rajonin Al-Ayyat, rreth 52 kilometra në jug të Kajros, kur një tren që udhëtonte nga Giza drejt provincës Fayoum, u përplas me pjesën e pasme të një treni tjetër, që po udhëtonte nga Kajro drejt Asuanit, në jug të vendit.
Përplasja shkaktoi daljen nga shinat të disa vagonëve, ndërsa ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, për të ndihmuar pasagjerët dhe për të transportuar të plagosurit drejt spitaleve.
Ministria egjiptiane e Shëndetësisë raportoi fillimisht për 64 të plagosur.
Megjithatë, sipas përditësimit të mëvonshëm të autoriteteve, bilanci u rrit në të paktën katër viktima dhe 88 të plagosur.
Të plagosurit u dërguan në spitalet e zonës, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Për operacionin e shpëtimit u angazhuan dhjetëra ambulanca, ekipe emergjence dhe mjete të posaçme për largimin e vagonëve të dëmtuar nga shinat.
Ministria e Shëndetësisë urdhëroi strukturat spitalore në provincat Giza dhe Beni Suef, të rrisin gatishmërinë dhe të sigurojnë trajtimin e plotë të të plagosurve.
Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Hekurudhave të Egjiptit, njoftoi se kishte nisur operacionet për pastrimin e zonës së aksidentit dhe largimin e vagonëve të dëmtuar, me synimin për të rikthyer sa më shpejt qarkullimin normal të trenave në linjën Kajro-Asuan.
Presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, kërkoi zhvillimin e një hetimi të menjëhershëm, për të përcaktuar shkaqet e përplasjes dhe për të vënë përpara përgjegjësisë personat, që mund të rezultojnë përgjegjës për neglizhencë.
Rajoni Al-Ayyat është përballur edhe më parë me aksidente hekurudhore.
Në shtator të vitit 2026, dy trena mallrash u përplasën në të njëjtën zonë, duke plagosur drejtuesin e njërit prej trenave dhe ndihmësin e tij.
Aksidentet hekurudhore kanë qenë një problem i përsëritur në Egjipt, pavarësisht investimeve të ndërmarra nga autoritetet për modernizimin e rrjetit hekurudhor dhe përmirësimin e sigurisë së transportit publik. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.