FRANCË – Mélenchon shpall platformën presidenciale, kërkon ndryshimin e Kushtetutës dhe reformimin e ekonomisë
– Lideri i së majtës radikale franceze, Jean-Luc Mélenchon, prezantoi programin e tij politik për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, duke propozuar një transformim të thellë të sistemit politik, ekonomik dhe shoqëror të Francës, sipas “Financial Times”.
Gjatë një tubimi të zhvilluar në Le Bourget, në veri të Parisit, ku morën pjesë rreth 20 mijë mbështetës, kandidati i partisë “Franca e Panënshtruar” (La France insoumise – LFI) bëri thirrje për një ndryshim rrënjësor të mënyrës se si qeveriset vendi.
Programi i tij, i titulluar “E ardhmja e përbashkët” (L’Avenir en commun), përmban propozime për reformimin e institucioneve, rishpërndarjen e pasurisë dhe ndryshimin e politikave ekonomike e mjedisore.
Një nga propozimet kryesore është krijimi i Republikës së Gjashtë, përmes zëvendësimit të sistemit aktual kushtetues të Republikës së Pestë.
Plani synon riorganizimin e institucioneve dhe forcimin e demokracisë, ndërsa një tjetër masë e rëndësishme është ulja e moshës së të drejtës së votës nga 18 në 16 vjeç.
Mélenchon argumentoi se të rinjtë duhet të kenë më shumë ndikim në vendimmarrjen politike, veçanërisht në një kohë kur Franca po përballet me protesta të shumta të nxënësve dhe studentëve për kushtet në shkolla, mungesën e mësuesve dhe pabarazitë në arsim.
Në programin e tij, kandidati i majtë propozon gjithashtu uljen e moshës së pensionit në 60 vjeç, për personat që kanë kontribuar për 40 vjet në sistemin e sigurimeve shoqërore.
Ai kërkon edhe rritjen e pagës minimale mujore neto në 1,700 euro, nga rreth 1,480 euro aktualisht.
Për të përballuar rritjen e kostos së jetesës, Mélenchon propozon ngrirjen e çmimeve të produkteve bazë, rritjen e pagave dhe indeksimin e tyre me inflacionin.
Programi parashikon gjithashtu rritjen e taksave për familjet më të pasura, heqjen e taksës së sheshtë mbi të ardhurat nga kapitali dhe vendosjen e kufijve për çmimet e produkteve ushqimore thelbësore.
Në fushën ekonomike, ai premton një politikë nxitëse të konsumit dhe investimeve publike, duke argumentuar se kursimet ekzistuese, duhet të orientohen drejt nevojave sociale dhe mjedisore të vendit.
Transformimi ekologjik është një tjetër shtyllë e programit.
LFI propozon krijimin e një shteti të ri ekologjik, me planifikim ekonomik të orientuar drejt mbrojtjes së mjedisit.
Ndër masat e parashikuara janë zëvendësimi i rajoneve administrative me rajone ekologjike, të organizuara rreth menaxhimit të burimeve ujore, si dhe forcimi i mbrojtjes së mjedisit në Kushtetutë.
Partia mbështet gjithashtu largimin gradual nga energjia bërthamore dhe kalimin drejt një sistemi energjetik të mbështetur, tërësisht te burimet e rinovueshme.
Objektivi për arritjen e 100% të energjisë së rinovueshme është shtyrë nga viti 2050 në vitin 2060.
Për luftën në Ukrainë, programi kërkon një armëpushim dhe propozon krijimin e një kuadri të ri evropian të sigurisë, ku të përfshihet edhe Rusia.
Sipas planifikimit financiar, të paraqitur nga partia në tetor, programi parashikon rreth 100 miliardë euro të ardhura shtesë nga masat fiskale dhe rreth 80 miliardë euro shpenzime shtesë.
Prezantimi i programit vjen në një moment tensionesh sociale në Francë, ku protestat e nxënësve, studentëve dhe sindikatave janë përqendruar te kushtet në arsim, pagat, kostoja e jetesës dhe shërbimet publike.
Mélenchon, 75 vjeç, i cili ka kandiduar katër herë për presidencën franceze, synon të konsolidojë mbështetjen e së majtës përpara zgjedhjeve të vitit 2027.
Sipas sondazheve të përmendura nga mediet ndërkombëtare, ai renditet rreth 18% në mbështetjen e votuesve, ndërsa kandidatja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, kryeson me rreth 35-37%.
Propozimet e tij kanë shkaktuar reagime nga kundërshtarët politikë.
Marine Le Pen e ka cilësuar programin si një plan për çmontimin e Francës, ndërsa ish-kryeministri Édouard Philippe ka kritikuar vizionin ekonomik dhe politik të liderit të së majtës radikale.
Zgjedhjet presidenciale franceze pritet të zhvillohen në prill dhe maj të vitit 2027. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.