“Eksperienca s’duhet të na bëjë cinikë”, Rama: Nuk duhet t’i lëmë njerëzit të shkojnë te “fallxhorët”, detyrë historike të mos lejojmë që zgjidhjet magjike të fitojnë terren
Kryeministri Edi Rama deklaroi se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk duhet të banalizohet, ndërsa u bëri thirrje drejtuesve vendorë të jenë më pranë qytetarëve dhe të mos i konsiderojnë kritikat si mosmirënjohje.
Gjatë prezantimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”, Rama tha se qeveria ka një detyrë historike për të mos lejuar që, sipas tij, “marrëzia e zgjidhjeve magjike” të fitojë terren në opinionin publik.
“Nuk mund të lejojmë që çështja e anëtarësimit në Bashkimin Europian të banalizohet. Bërja e prekshme e përfitimeve të këtij procesi është një detyrë e përbashkët. Është një proces historik jo vetëm për shtetin, por edhe për ekonominë dhe jetën e çdo qytetari”, u shpreh kryeministri.
Sipas Ramës, përfitimet nga integrimi europian duhet të shihen përtej investimeve në infrastrukturë.
“Evropa nuk është vetëm infrastrukturë, por cilësi jete. Nuk është vetëm të ndërtojmë qytetin, por të ndërtojmë komunitetin. Nuk është vetëm ekonomi, por mirëqenie”, tha ai.
Kryeministri pranoi se, megjithëse treguesit ekonomikë janë pozitivë, ekziston një diferencë mes statistikave dhe perceptimit të qytetarëve për mirëqenien.
“Po të shohim shifrat, ekonomia jonë nuk ka qenë asnjëherë më mirë. Por kur e krahasojmë këtë me mënyrën se si e perceptojnë njerëzit ekonominë e tyre, atëherë problemi është te ne dhe jo te njerëzit. Ndjesia reale e mirëqenies është ajo që ka rëndësi”, deklaroi Rama.
Ai u bëri apel kryebashkiakëve dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor të jenë më të hapur ndaj kritikave të qytetarëve.
“Eksperienca nuk duhet të na bëjë cinikë, por më të hapur ndaj kritikës dhe pakënaqësisë. Nuk duhet ta konsiderojmë çdo reagim si mosmirënjohje. Nëse arrijmë t’i kuptojmë njerëzit dhe t’u përgjigjemi nevojave të tyre, atëherë do të kemi sukses të ri”, tha ai.
Në fjalën e tij, Rama përdori edhe një krahasim për të paralajmëruar rrezikun që, sipas tij, paraqesin premtimet për zgjidhje të lehta.
“Ajo që kemi si detyrë kombëtare dhe historike është të mos lejojmë në asnjë mënyrë që marrëzia e zgjidhjeve magjike të fitojë terren. Nëse kjo ndodh, gjithçka që kemi ndërtuar mund të shkojë mbrapsht. Pastaj nuk bëhet më fjalë për Bashkimin Europian, por për një kthim dramatik pas.”
Duke përdorur metafora si “mjekë popullorë” dhe “fallxhorë”, kryeministri tha se politika duhet të kuptojë arsyet pse qytetarët humbasin besimin.
“Vjen një moment kur njerëzit besojnë te mjekët popullor, pastaj vjen një moment tjetër kur nga mjekët popullorë kalojnë te fallxhoret. Këta që ofrojnë recetat në publikë janë fallxhorë. Ne nuk duhet ta lejojmë këtë. Ne duhet ta kuptojmë pse i lind nevoja për fallxhoret njerëzve. Shkaku jemi ne. Po e kërkuam shkakun në të tjera gjëra duhet ta lëmë këtë punë sepse eksperienca na ka bërë cinikë. Fallxhorët ia fusin kot, njerëzit nuk ia fusin kot. Njerëzit kanë një nevojë që ne duhet tua kuptojmë dhe tua lexojmë. Po ngelën në dorë të fallxhorëve do jetë shumë vonë. Pastaj nuk ka më vlerë që të shkosh te mjeku. Nuk doje ilaçe, por qumësht miu me mjaltë grenxe, tani duhet të pres këmbën”, përfundoi Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.