Ekspozita “Mish dhie” nga piktori Helidon Haliti pas Tiranës në Belsh
“Mish dhie” ekspozita që përmes pikturave të saj ofron një reflektim të thellë mbi temat e paragjykimit dhe perceptimit, në shoqërinë bashkëkohore, pas Tiranës u hap këto ditë në galerinë “2 Botë” në Belsh. “Mish dhie” është ekspozita e re e piktorit Helidon Haliti “Mjeshtër i Madh”, e kuruar nga Diella, një ekspozitë e cila në Belsh është vizituar nga të rinj, artdashës, studiues të artit dhe më gjerë. Ekspozita sjell risi të dukshme konceptuale dhe vizuale, duke përfshirë vepra të reja, si dhe video instalacione, që eksplorojnë dimensione të reja të narrativës artistike.
Një elemente i veçantë i kësaj ekspozite është përdorimi i inteligjencës artificiale në krijimin e personazheve, duke hapur një dialog bashkëkohor mbi identitetin, perceptimin dhe ndërveprimin mes artit dhe teknologjisë. Përmes këtij cikli “Mish dhie” vijon të trajtojë temat e paragjykimit dhe perceptimit shoqëror, duke ndërtuar një univers simbolik që sfidon publikun të reflektojë mbi marrëdhënien mes individit dhe gjykimit kolektiv. Kjo ekspozitë ka mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ndërsa Bashkia Belsh ka krijuar mundësimin e realizimit të galerisë “2 Botë”.
Piktori Helidon Haliti është një nga emrat më të spikatur të artit bashkëkohor shqiptar, i njohur për veprat e tij që përzien emocione, përvoja personale dhe reflektime mbi realitetin social. Veprat e piktorit gjenden në galeri private, koleksione muzeale dhe tek koleksionistë në Shqipëri dhe jashtë saj. Nga kritikë dhe studiues Helidon Haliti cilësohet si një figurë e rëndësishme e artit bashkëkohor. Ekspozita “Mish dhie” shënon një hap tjetër të rëndësishëm në aktivitetin artistik të piktorit Haliti, duke forcuar ndikimin e tij në artin bashkëkohor shqiptar dhe më gjerë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.