Me moton “Qielli i hapur. Mendje të hapura!” nis festivali “Dea Open Air 2026”
Festivali ndërkombëtar i filmit “Dea Open Air” nisi në Tiranë edicionin e 13-të. Festivali vjen këtë vit nën moton “Qielli i hapur. Mendje të hapura!”, ku për disa ditë me radhë, amfiteatri dhe mjediset e Universitetit të Arteve do të shndërrohen në një hapësirë takimi mes kineastëve, artistëve, studiuesve, studentëve dhe publikut, të bashkuar nga besimi në fuqinë e kinemasë për të krijuar dialog, reflektim dhe mirëkuptim.
Ceremonia e hapjes mblodhi përfaqësues të trupit diplomatik, institucioneve kulturore, universiteteve, industrisë së filmit dhe medias, prefektin e Tiranës Shkëlqim Hajdari si dhe artistë e kineastë nga vende të ndryshme të botës, duke konfirmuar profilin ndërkombëtar të festivalit dhe rolin e tij si një platformë e rëndësishme shkëmbimi kulturor. Në fjalën e tij përshëndetëse, themeluesi dhe drejtori i festivalit, Edmond Topi, u ndal te filozofia që udhëheq edicionin e sivjetmë. ““Qielli i hapur. Mendje të hapura” është më shumë se një formulë poetike, është një filozofi që përshkon vetë thelbin e kinemasë. Sepse filmi, në esencën e tij, është një dritare e hapur drejt botëve të tjera, një mënyrë për të parë përtej vetes dhe për të kuptuar më thellë realitetin që na rrethon”, tha ai. Ndërsa drejtorja artistike e festivalit, Mirela Oktrova, iu referua rolit të kinemasë si instrument njohjeje dhe reflektimi. “Filmat e mëdhenj nuk rrëfejnë thjesht ngjarje.
Ata ofrojnë këndvështrime dhe sfidojnë bindje. Kinemaja është mënyrë të menduari, mënyrë të ndjeri, mënyrë të kuptuari. Sepse kinemaja nuk është thjesht art, thjesht industri apo thjesht argëtim. Kinemaja është botëkuptim”, u shpreh Oktrova. Sipas saj, në një kohë kur zhurma shpesh mbivendos kuptimin dhe spektakli zë vendin e reflektimit, festivali “Dea Open Air” mbetet ndër hapësirat e pakta ku arti i filmit vazhdon të mbrojë mendimin kritik, ndjeshmërinë dhe dialogun kulturor. Në konkurrim për Çmimet DEA 2026 marrin pjesë 40 filma nga 25 vende të botës, të ndarë në tre seksione konkurruese: Filmi me Metrazh të Gjatë, Filmi Studentor dhe Filmi i Shkurtër. Edicioni XIII u hap me filmin “Gülizar”, me regji të Belkıs Bayrak dhe produksion të Valmira Hysenit, një vepër që mishëron në mënyrë të plotë filozofinë e festivalit të sivjetëm.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.