Ekzekutohet shqiptari 39-vjeçar në Spanjë, u qëllua në tarracën e lokalit, autori u largua me monopatinë elektrike
Ngjarja ndodhi pasditen e së hënës në Orihuela Costa, në zonën e Costa Blanca-s. Policia dyshon për një larje hesapesh mes grupeve kriminale, ndërsa viktima, që jetonte prej kohësh në Spanjë, kishte precedentë penalë.
Një shqiptar 39-vjeçar është vrarë me armë zjarri pasditen e së hënës në një lokal në Orihuela Costa, në zonën e Costa Blanca-s pranë Alicante-s, në Spanjë. Siç njofton Shqiptarja.com, viktima u qëllua për vdekje në tarracën e lokalit, ndërsa autori i dyshuar u largua nga vendngjarja me një monopatinë elektrike.
Policia e rrethoi menjëherë zonën, ndërsa shërbimet mjekësore tentuan ta mbanin në jetë 39-vjeçarin, por pa sukses, dhe vdekja e tij u konstatua në vend. “Sapo mbërritëm, e gjetëm burrin të shtrirë në tokë me një plagë me armë zjarri në kokë”, citohet të ketë deklaruar Guardia Civil, sipas Shqiptarja.com.
Sipas mediave spanjolle, të cituara nga Shqiptarja.com, policia dyshon se bëhet fjalë për një larje hesapesh mes grupeve kriminale. Viktima, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, jetonte prej kohësh në Spanjë, njihej nga policia dhe kishte precedentë penalë, pasi më parë ishte përfshirë në trafikun e drogës.
Hetuesit kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe po shqyrtojnë pamjet e kamerave të sigurisë së zonës.
Policia po verifikon gjithashtu nëse vrasja ishte e paramenduar apo pasojë e një takimi të rastësishëm mes autorit dhe viktimës, ndërsa autori mbetet ende në arrati.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.