Nga mbrojtja e sekretit profesional te krijimi i mekanizmit GRAVO, Shqipëria ratifikon Konventën e Luksemburgut për avokatët
Nga mbrojtja e sekretit profesional te krijimi i mekanizmit GRAVO, Shqipëria ratifikon Konventën e Luksemburgut për avokatët
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 106/2026 për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, të nënshkruar në Luksemburg më 13 maj 2025. Akti ligjor, i shpallur me dekretin nr. 585 nga Presidentit i Republikës, Bajram Begaj, synon të forcojë mbrojtjen institucionale dhe mjedisin ku ushtrohet mbrojtja ligjore në vend.
Sipas përcaktimeve të neni 1, instrumenti i ri ndërkombëtar synon “të forcojë mbrojtjen e profesionit të avokatit dhe të drejtën për ta ushtruar këtë profesion me pavarësi dhe pa diskriminim, pengesë ose ndërhyrje të papërshtatshme, ose pa iu nënshtruar sulmeve, kërcënimeve, ngacmimit ose frikësimit”.
Dokumenti vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve në rritje për cenimin e mbrojtësve ligjorë gjatë ushtrimit të detyrës.
Në aspektin e të drejtave materiale, Konventa garanton paprekshmërinë e marrëdhënies avokat-klient dhe mbron sekretin profesional. Ndër të tjera, në nenin 6 specifikohet se avokatët “nuk do të kenë përgjegjësi civile ose penale për deklaratat me gojë dhe me shkrim, të bëra me mirëbesim dhe përkushtim gjatë kryerjes së të gjitha procedurave në emër të klientëve të tyre”, si dhe nuk mund të detyrohen të zbulojnë ose të japin prova mbi informacionet e marra gjatë punës së tyre.
Gjithashtu, ligji përcakton se avokatët “të mos vuajnë pasoja negative si rezultat i identifikimit me klientët e tyre ose me çështjen e klientëve të tyre”.
Konventa i kushton vëmendje të veçantë pavarësisë së shoqatave profesionale dhe masave mbrojtëse gjatë hetimeve. Sa i përket kontrolleve apo sekuestrimeve logjistike, dokumenti sanksionon se avokatët kanë të drejtë “të kenë të pranishëm një avokat të pavarur ose një përfaqësues të shoqatës së tyre profesionale gjatë ndonjë kontrolli të kryer si pjesë e një hetimi ose procesi civil, penal ose administrativ”.
Për të siguruar zbatimin efektiv nga shtetet palë, marrëveshja ngre një mekanizëm specifik monitorues të quajtur GRAVO (Grupi i Ekspertëve për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit). Ky organ do të përbëhet nga 8 deri në 12 anëtarë të pavarur, të cilët do të kryejnë vlerësime periodike, vizita në terren dhe, në raste të urgjencës ose shkeljeve të rënda, mund të kërkojnë raporte të posaçme nga shtetet anëtare.
Ligji i ratifikuar hyn zyrtarisht në fuqi 15 ditë pas botimit të tij në Fletoren Zyrtare, duke e bërë Shqipërinë pjesë përbërëse të kuadrit evropian për mbrojtjen e lirisë dhe ushtrimit të paanshëm të avokatisë. /RTSH/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.