Politika

Emrat e kundërshtarëve të Bashës në PD

Deputetët e PD-së vijojnë kontestimet ndaj linjës që kryedemokrati Lulzim Basha po ndjek për sa i përket reformës në sistemin e drejtësisë, duke e akuzuar se po bën lojën e Edi Ramës.

Menjëherë pas largimit të mediave, mbledhja e grupit parlamentar të PD-së dje ka vijuar diskutimet me dyer të mbyllura, ku burime nga selia blu bëjnë me dije se disa anëtarë të grupit parlamentar kanë kërkuar nga kryetari i tyre, Lulzim Basha, një strategji të qartë politike lidhur me angazhimin e opozitës në reformën në drejtësi dhe draftet për ndryshimet në Kushtetutë.

Nga të njëjtat burime mësohet se ndryshe nga debati i javës së kaluar, Eduard Selami nuk ka qenë i vetëm në shprehjen e kritikave ndaj qëndrimeve të PD-së, por në këto debate me kryetarin Basha dhe janë përfshirë, edhe ish-kryetari i grupit parlamentar, Astrit Patozi, ish-nënkryetarjaJozefina Topalli, si dhe deputetët Arben Imami dhe Eduard Halimi. Shkak i kësaj përplasjeje është bërë kërkesa për një qëndrim të qartë politik të opozitës, duke këmbëngulur që debati për ndryshimet në Kushtetutë të mos mbetet vetëm në nivel ekspertësh.

Nga burime nga selia blu mësohet se Patozi ka theksuar se përtej fjalëve duhet një strategji konkrete e pa komplekse se deri ku shkon dhe çfarë lëshon opozita dhe çfarë bëjnë demokratët nëse qeveria nuk përfill kërkesat e tyre. Në të njëjtën linjë mësohet se është shprehur edhe deputeti Arben Imami, i cili ka theksuar se përqendrimi i diskutimeve dhe debateve publike te reforma në drejtësi është një manovër e Kryeministrit Rama, i cili sipas tij, po përpiqet të eklipsojë keqqeverisjen e vendit.

Po ashtu mësohet se deputetët janë shprehur se qeveria nuk është realisht e angazhuar për reformën në drejtësi dhe opozita nuk e kryen vetëm këtë proces, por sipas tyre diskutimi në nivel ekspertësh i një drafti që ndryshon në themel Kushtetutën nuk duhet vijuar më tej.

“Kushtetuta është marrëveshje politike dhe si e tillë as nuk ndryshohet në mënyrë të njëanshme dhe as nuk mund të lihet në dorë të ekspertëve siç i leverdis Kryeministrit Rama”, mësohet të jetë shprehur ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli.

Por kritikave të tyre do t’u përgjigjej nënkryetari i komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Eduart Halimi, i cili i ka njohur ata me ecurinë e deritanishme të procesit. Sipas burimeve nga PD-ja, mësohet se Halimi u ka thënë deputetëve se dhjetë vërejtjet e opozitës kanë të bëjnë me reduktimin e arkitekturës dhe moskapjen e sistemit.

Ndërsa kryetari Basha mësohet se ka shprehur bindjen e tij se Rama do të përpiqet ta sabotojë reformën në drejtësi, ndërsa ka këmbëngulur që procesi të bëhet politik.

Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha mësohet të ketë thënë se Rama është aq dinak sa nuk është çudi që për shkak të dështimit të reformës ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Kjo është mbledhja e dytë që demokratët shigjetojnë Bashën për mënyrën se si e drejton PD-në. Ndërsa përplasjet qenë mes tij dhe Topallit për faktin e braktisjes së mbledhjes së grupit të një jave më parë.

Marrë nga Gazeta Dita

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button